Mustafa kërkon bashkimin e votës në Novobërdë për Bajrush Ymerin

Gjilan – Elektorati në Novobërdë nuk ka nevojë që ta ndajë votën kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të komunës, ata duhet t’i bashkojnë votat për kandidatin më të mirë dhe ky është kryetari aktual dhe ai i ardhshëm i Novobërdës (Artanës), Bajrush Ymeri, tha të dielën në Novobërdë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një takimi me qytetarët e kësaj komune.
Kryetari i LDK-së u ka bërë thirrje edhe partive të tjera politike që në rastin e zgjedhjes së kryetarit t’i bashkojnë votat për kandidatin e LDK-së, Bajrush Ymerin, sepse ai ofron zgjidhjet më të mira për problemet dhe posedon planin për perspektivën e kësaj komune.
“LDK-ja në Novobërdë përfaqëson një parti e cila ka një program demokratik dhe një program të përparuar. Ne do ta respektojmë votën e çdo qytetari të Novobërdës. Ju ftoj që të votoni edhe këshilltarët e LDK-së, sepse ata respektojnë vullnetin e zgjedhësve dhe adresojnë kërkesat e tyre”, tha Mustafa.
Kryetari i LDK-së u bëri thirrje qytetarëve të Novobërdës, atyre të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, që në këtë pjesë të Kosovës të votojnë programin LDK-së dhe kandidatët e saj për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë, sepse ky program ofron adresimin më të mirë të kërkesave të qytetarëve në këto komuna, por edhe në gjithë vendin në përgjithësi.
Bajrush Ymeri, kryetar i Novobërdës dhe kandidat i LDK-së për rizgjedhje në krye të kësaj komune, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega e Novobërdës ka një program vizionar, praktik dhe në interes të qytetarit.
“Gjatë këtyre gjashtë vjet kemi punuar shumë në infrastrukturë, kemi ndërtuar shumë rrugë, ujësjellës, kanalizime, kemi ndërtuar dhe rinovuar shumë shkolla dhe shtëpi shëndeti, kemi subvencionuar shumë fermerë dhe bujq të komunës sonë, kemi subvencionuar nxënës e studentë të shkëlqyeshëm, kemi hartuar plane zhvillimore për shumë sektorë të rëndësishëm zhvillimorë që veç kanë nisur të japin frytet e para”, ka thënë Ymeri.
Ymeri potencoi se Novobërdës i duhet qeverisja e LDK-së, për t’i çuar përpara aspiratat tona për një komunë të zhvilluar ekonomikisht, me një arsimim të lakmueshëm, më shëndetësi për të gjithë, me infrastrukturë moderne për të gjithë qytetarët tanë, pa asnjë dallim, politik, etnik a fetar.
“Objektivat programore të LDK-së për Artanën janë: zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, infrastruktura moderne, krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin e sektorit privat, krijimi i kushteve më të mira për mbështetjen dhe promovimin e prodhimeve vendore përmes grave afariste, zhvillimi i kulturës, rinisë dhe sportit, transparencë në vendim-marrje, shërbime të shpejta dhe cilësore si dhe; bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare dhe vendore me qëllim të tërheqjes së donacioneve për realizim të objektivave tona”, tha kryetari i Artanës, në tubimin me elektoratin e kësaj komune.
Në fund Bajrush Ymeri nënvizoi se Kosova ka nevojë për ndryshime të mëdha dhe të shpejta, e këto ndryshime mund t’i bëjë vetëm nga Lidhja Demokratike e drejtuar nga kryetari Isa Mustafa.
Ymeri në fund ka prezantuar anëtarët (kandidat) për kuvendit komunal, Shefkije Mehmeti, Xhevat Mehmeti, Xhemajl Novobërdaliu, Gani Avdyli, Xhejlane Behluli, Mehedin Beqiri, Latif Vllasaliu, Fiknete Ahmeti, Zymer Zymeri, Naser Ibrahimi, Elmedina Maliqi, Habit Osmani, Fatos Mustafa, Ramize Abazi, Enver Selmani, Egzona Zeqiri. /rajonipress/