Uji Dea

Mustafa: Kemi një rënie të vazhdueshme të aktiviteteve kriminale

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Qemajl Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që probleme të vogla që mund ta lëndojnë sigurinë e ndonjë qytetari, mund të ketë ndonjëherë, por statistikat tregojnë për një rënie të vazhdueshme të aktiviteteve kriminale dhe rritje të zbulimit të veprave penale.

Gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit vlerësohet e qetë. Për këtë, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i ka komplimentuar të gjitha segmentet e sigurisë, institucionet lokale të qeverisjes si dhe qytetarët e të gjitha komuniteteve, të cilët, duke punuar së bashku, kanë arritur të ndërtojnë një klimë të tillë, ku të gjithë e ndiejnë veten të lirë dhe të barabartë.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se sigurinë e përgjithshme mund ta krijojmë vetëm nëse angazhohemi të gjithë së bashku, pavarësisht përkatësisë etnike, politike a fetare dhe nëse secili vetë e vetë, si person ose familje kontribuon në këtë segment.

“Pa një ambient të sigurt, pa një klimë të mirë politike dhe pa ndjenjën personale se kemi ndërtuar një ambient ku mund të jetojmë e punojmë lirshëm, nuk mund të pretendojmë përparime tjera”, ka thënë Mustafa, duke nënvizuar se kjo klimë e mirë është rezultat i një angazhimi të përbashkët, që nga viti 1999 e këndej. Nuk duhet harruar se kishim ndarje të thella ndëretnike, por tani ato i takojnë së kaluarës, ka thënë ai.

Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që probleme të vogla që mund ta lëndojnë sigurinë e ndonjë qytetari, mund të ketë ndonjëherë, por statistikat tregojnë për një rënie të vazhdueshme të aktiviteteve kriminale dhe rritje të zbulimit të veprave penale.

UBT

Ai ka shprehur keqardhje për rastin e para disa ditëve në fshatin Sllubicë, ku një djalë i ri vdiq nga plagët e marra, ndërsa autorët e krimit nuk janë zbuluar ende. “Do të donim të ishim më efikas në punë, të gjithë së bashku. Do të doja që gjykatat të jenë më funksionale, ndonëse janë më të mira seç ishin më herët dhe të ishin më të drejta dhe më të shpejta në vendimmarrje. Kjo nuk do të thotë se gjyqtarët nuk e kanë vullnetin për të bërë më shumë, por duhet pranuar se ka grumbullim të lëndëve të vjetra. Në Gjilan, besimin në institucione e kemi kthyer me punë, me shërbime të mira në administratë, në arsim, në shëndetësi dhe me investime në infrastrukturën publike”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, Omer Daku, kryesues i KKSB, ka thënë se gjithë angazhimi i këtij këshilli, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet, ka qenë i drejtuar në avancimin e gjendjes së përgjithshme, duke nënvizuar se në këtë drejtim është bërë punë e mirë. “Çdo shqetësim eventual e kemi adresuar me kohë për zgjidhje”, ka thënë Daku.

Togeri Fatos Latifi nga Policia e Kosovës, tha se edhe nga aspekti policor, gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit, vlerësohet e qetë, duke nënvizuar se statistikat e tremujorit të fundit falsin për një rënie të veprave penale.

Me punën e policisë së Kosovës u shprehën të kënaqur anëtarët e KKSB-së. Arben Maliqi tha se policia civile është duke e bërë një punë të mirë në hapësirat pranë shkollave të mesme, e cila vërehet te rënia e dukurive negative, njësoj sikurse edhe Leonora Bunjaku, e cila tha se policia është duke e bërë një punë të mirë edhe me ligjëratat për dukuritë negative.

Sejdi Selimi kërkoi reagim më të rreptë të policisë ndaj shoferëve që parkojnë veturat nëpër trotuare, sepse po pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ai përmendi një rast në lagjen e tij “Dardania”, ku policia ka arritur në vendngjarje për pesë minuta dhe ka shpëtuar një person që po mbytje në bunar. “Ne nuk ishin në gjendje si banorë t`i ofronim ndihmën e duhur këtij personi”, ka thënë Selimi./rajonipress/