Mustafa inspekton renovimet në Spitalin e Gjilanit

Gjilan – Kreu i komunës Qemajl Mustafa i shoqëruar edhe nga Riad Rashiti e Xhamajl Salihu e kanë vizituar spitalin rajonal të Gjilanit ku janë njohur nga drejtori aktual Abdylatif Latifi me renovimet e fundit që janë bërë në tërë hapësirën e spitalit.
Kreu i Komunës Qemajl Mustafa është inkurajuar me pamjen e re që ka marrë Spitali i Gjilanit pas investimeve të fundit në renovimin e sallave dhe reparteve të këtij spitali që kapin vlerën e mbi 110 mijë eurove.
Mustafa është njohur nga Abdylatif Latifi me zhvillimet e fundit dhe me investimet serioze që janë bërë.
Mustafa ka inkurajuar drejtorin e spitalit për këto rezultate dhe tha se ai përherë e ka përkrahur dhe ndihmuar me buxhetin ne komunës këtë institucion shëndetësor.”Për ne nuk është me rëndësi se çfarë bindje partiake ka drejtori apo menaxhmenti sepse mbi të gjitha janë pacientët që janë qytetar tanë dhe ata kërkojnë vetëm shërbime cilësore e asgjë tjetër” tha Mustafa.
Mustafa tha se përkundër faktit që ka nivel më të avancuar të shërbimeve ne megjithatë insistojmë përherë që këto shërbime të forcohen e avancohen. “Për ne është shumë domethënëse që spitali të jetë funksional dhe të jetë në shërbim të pacientëve në mënyrë që ata mos të bredhin për ndonjë sëmundje të lehtë në qendrat e rajonit” tha Mustafa.
Kurse drejtori i spitalit të Gjilanit Abdylatif Latifi tha se këto investime janë rezultat edhe i participimti të Komunës. Latifi tha se me këto investime janë renovuar nyjat sanitare, emergjenca, reparti i sallave të lindjes dhe neonatalogjisë. Në Infektivë dhe repartin e mushkërive janë duke u vendosur edhe ashensorët tha Latifi. E tërë vlera e këtyre investimeve sipas tij arrin në 158 mijë euro.
Spitali rajonal i Gjilanit me disa renovime të rëndësishme që janë bërë tani së fundit ka marrë një pamje krejt tjetër. Në veçanti nga ky renovim kanë përfituar Emergjenca, dhe sallat e lindjes dhe reparti i neonatalogjisë tha Latifi.
Abdylatif Latifi tha se nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë janë ndarë rreth 108 mijë euro për të rinovuar nyjat sanitare dhe repartin e emergjencës. Në këtë projekt hynë edhe Neonatologjia dhe rregullimi i tri dhomave të lindjes në repartin e gjinekologjisë.
Latifi tha se me këto investime Spitali i Gjilanit është funksionalizuar ndërsa brenda pak ditësh përfundon e tërë faza e renovimeve në të gjitha hapësirat e spitalit duke përfshirë këtu edhe murin rrethues të spitalit i cili është investim i komunës.
Latifi i shoqëruar edhe nga stafi i tij bashkë me kreun e komunës kanë vizituar shumicën e reparteve dhe hapësirave ku ka pasur investime./rajonipresss/