UBT

Mustafa i pafuqishëm karshi Thaçit

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Opozita vazhdimisht po i shpreh pakënaqësitë lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel nga kryeministri Mustafa, pasi sipas tyre ato vetëm do i sjellin dëm vendit.Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa duhet ta shkarkojë ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe atë të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, si dhe Komisionin për Demarkacion për shkak të Marrëveshjes së dëmshme që kanë nënshkruar.

Lidhur më këtë çështje, analisti politik, Donik Sallova për Gazetën Tribuna ka thënë se Kosova humbë territor nga marrëveshja e Demarkacionit, mirëpo sipas tij kryeministri Isa Mustafa nuk e ka fuqinë ta shkarkojë Hashim Thaçin për një gjë të tillë.

“Faktikisht, tashmë është e vërtetuar që Demarkacioni ka gabime të mëdha dhe faktikisht duhet të fajësohet komisioni që ka marrë pjesë në këtë proces. Kryeministri ose ka qenë i painformuar gjatë gjithë kësaj kohe ose ka dashur të jetë arrogant duke thënë që ne nuk e humbin asnjë hektarë toke. Tash, aq sa është përgjegjës Komisioni, është përgjegjës edhe Isa Mustafa e Hashim Thaçi”, ka thënë Sallova për Gazetën Tribuna.

Mobi Casa

Kurse sa i përket mundësisë që kryeministri Mustafa ta shkarkojë Thaçin, Sallova ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur, pasi sipas tij mënyra se i është zgjedhur Mustafa kryeministër, ka krijuar varësi nga Hashim Thaçi.

“Sa i përket çështjes se a mund ta shkarkojë Isa Mustafa-Thaçin, një gjë e tillë nuk mund të ndodh sepse Isa Mustafa varet nga Hashim Thaçi edhe politikisht edhe nga votat në Kuvend. Pra ai është bërë kryeministër vetëm me koalicion të PDK’së. Isa Mustafa më lehtë jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit sesa ta shkarkojë Hashim Thaçin”, kështu ka thënë Sallova.

Ndërkaq, sa i përket çështjes se Demarkacionit, deputetët e pozitës kanë thënë se është çështje ende e papërfunduar mirëpo sipas tyre, nuk po kanë hapësirë ta diskutojnë, pasi opozita nuk po e lejon një gjë të tillë. /Gazeta Tribuna/