RCCOLA

Mustafa i pa kënaqur me të hyrat vetanake

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa ka dhënë një informatë për bordin lidhur me takimet që ai kishte me përfaqësues të USAID-it dhe Komisioni Evropian, si dhe për zotimet që ka marrë për bashkëpunimin e mëtejmë në realizimin e projekteve të ndryshme në Gjilan.

Me USAID-in amerikan aktualisht është duke u realizuar projekti i ndriçimit publik në qendër të qytetit që parashihet të shkoj deri të rruga e Malishevës, ndërsa nga KE dhe komuna në të ardhmen do të fillohet realizimi i projektit “Kosvet”.

Me këtë rast kryetari Mustafa tha se komunikimi dhe bashkëpunimi me donatorët është në nivel shumë të lartë. “Por inkasimi nga të hyrat vetanake nuk është edhe aq i mirë. Deri në fund të vitit pritet që të inkasohet rreth 92 % e planifikimit të përgjithshëm të buxhetit të Komunës nga të hyrat vetanake” ka thënë Mustafa.

Ai edhe sa i përket zbukurimit të qytetit për festat e fundvitit, tha se është duke u punuar me donatorët privat, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për ta mbështetur këtë projekt, duke reklamuar në ndonjë pjesë biznesin e tyre. Zbukurimi i qytetit do të filloj së shpejti, deri më tani këtë e ka bërë KRM “Higjiena” së bashku edhe me punëtorët e Komunës, por edhe këtë vit do ta bëjmë kështu.

Ndërsa në raportimet e drejtorëve drejtori i financave, Nuhi Nuhiu tha se mbi 900 objekte të reja janë regjistruar këtë vit dhe nga vitit 2013 to t’u dërgohen faturat e tatimit në pronë. Gjithashtu është bërë edhe evidentimi i secilit Shërbyes Civil, lidhur me borxhet që kanë ndaj tatimit në pronë, të cilëve në të ardhmen do t’u bllokohen xhirollogaritë bankare nëse borxhet nuk shlyhen nga këta të fundit.

Fidanishtja

Ndërsa Gani Neziri nga drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër tha se janë duke bashkëpunuar mirë me drejtorinë e Inspeksionit dhe Urbanizmit për të ofruar shërbime sa më të mira për qytetarët, sa i përket çështjeve të pronës, planeve dhe rregullit të ndërtimeve.

Edhe Behar Mehmeti nga drejtoria e Shërbimeve Publike theksoi realizimin e projektit të ndriçimit publik është duke shkuar mjaft mirë dhe kursimi i energjisë do të jetë shumë i madh. Gjithashtu këto ditë pritet të kryhet projekti i mbushjes së gropave në rrugën e Malishevës dhe atë të Velekincës.

Mehmeti theksoi gjithashtu edhe shërbimet e varrimit ndaj të cilëve janë kryer obligimet, megjithëse ka ende obligime, por kjo është në prioritetin e parë të drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Komunës.

Në fushën e arsimit, Bujar Nevzati, tha se këto ditë kanë dhënë dorëheqje 9 punëtor arsimor serb nga sistemi i pagave të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për arsye të kërcënimeve të vazhdueshme nga qeveria e Serbisë.

Në Zhvillimin Ekonomik përgjigje pozitive i është dhënë këtij sektori nga ambasada Çeke në Kosovë lidhur me financimin e studimit të fizibilitetit për themelimin e një zone ekonomike, tha drejtori i kësaj drejtorie, Riad Rashiti i cili ndër të tjera theksoi edhe përfundimin e regjistrimit të databazës së bizneseve të Komunës së Gjilanit e cila do të prezantohet në një hapësirë ku do të kenë mundësinë të marrin pjesë një numër më i madh i qytetarëve. /rajonipress/