UBT

Mustafa: I njoh kush janë “zhurmaxhinjtë” që shesin moral si “LDK-istë të mirë”!

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Për herë të parë që nga mbajtja e Kuvendit të VIII të LDK-së, kryetari i rizgjedhur Isa Mustafa, njëherësh kryeministër i Kosovës flet për Botapress për procesin zgjedhor, për debatet e zhvilluara, për interesimin e shtuar të mediave dhe për sondazhet, të cilat sipas kryeministrit tregojnë se më të rëndësishme janë zgjedhjet në LDK sesa zgjedhjet e përgjithshme.

Lideri i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa flet edhe për kritikat që i janë bërë nga persona që ai thotë se i ka përkrahur me qëllimet më të mira, por nuk habitet me fjalorin dhe kritikat e atyre “që në LDK paraqiten çdo katër vite, kur mbahen zgjedhjet”.

Mustafa i cili në Kuvendin e VIII zgjedhor mori shumicën e votave të delegatëve për ta drejtuar edhe për katër vjet partinë mohon përfoljet për krizë qeveritare dhe zgjedhje të reja.

Madje ai që nga tash paralajmëron të gjithë ata që po bëjnë “llafe” se zgjedhje nuk do të ketë deri më 2018.

Në intervistë për Botapress, kryetari i LDK-së flet edhe për raportet e tij me Vjosa Osmanin dhe Arben Gashin.

Botapress: Z. Kryeministër dhe z.kryetar i LDK-së. Si çka po ndiheni më shumë pas përfundimit të zgjedhjeve në LDK, si kryeministër I vendit apo si I pari I LDK-së?

I.Mustafa: Në LDK kemi kaluar një proces zgjedhor shumë demokratik me një pjesëmarrje të madhe të anëtarësisë. Ndjehem krenar për besimin që kam marrë nga Kuvendi i Tetë Zgjedhor i LDK-së. Ky besim sublimon përkrahjen e partisë sime si Kryeministër i vendit dhe përgjegjësinë për ta drejtuar LDK-në në periudhën e ardhshme katërvjeçare.

Botapress: Zgjedhjet në LDK u përcollën me debate, deklarata, anketime e prononcime publike. Të gjithë folën, ju heshtët por ju e fituat garën?

I.Mustafa: Unë vlerësoj interesimin e mediave, analistëve, promovuesve të sondazheve. Ato tregojnë se LDK është tepër e rëndësishme, bile kësaj radhe për nga debatet e zhvilluara dhe letrat e shkruara, pa pare, doli se më të rëndësishme janë zgjedhjet në LDK sesa ato nacionale. Unë përcolla këtë lloj interesimi me besim të plotë se LDK është ajo që vendosë në mënyrë të pavarur.

Uji Dea

Botapress: Debati për zgjedhjet në LDK shpesh herë ka devijuar deri në degradim. Jeni kritikuar madje edhe jeni fyer nga aktivistë të LDK-së, madje edhe nga zyrtarë të LDK-së. A e dini përafërsisht “prejardhjen” e këtyre kritikave me fjalor herë herë ofendues?

I.Mustafa: Nuk e kam pritë një diskurs të tillë politik të disa individëve në LDK, sidomos të atyre me të cilët kam punuar afër dhe i kam përkrahur me qëllimet më të mira. Të tjerët,që moti e kanë lëshuar LDK-në dhe që në LDK paraqiten çdo katër vite, kur mbahen zgjedhjet, me deklarata e kritika janë raste të njohura për mua. Ata akoma i kanë fotografitë e tyre në postere të partive të tjera politike, kurse shesin moral në LDK si “LDK-istët e mirë”. Zhurmagjinjtë mendoj se ishin të nxitur më shumë nga fakti se LDK ka marrë përgjegjësinë të drejtoj qeverisjen e vendit, sesa nga ajo se mërziteshin shumë për fatin e LDK-së.

Botapress: Bashkë me ju, në rrugëtimin tuaj politik e institucional keni avansuar emra të rinj në LDK. Por “njerëzit tuaj” si Arben Gashi, Vjosa Osmani e ndonjë tjetër u pozicionuan kundër jush. Jeni befasuar, jeni zhgënjyer apo ju vjen keq për veprimet e tyre “kundër” jush?

I.Mustafa: Në LDK ka pasur ardhje të shumta të njerëzve të rinj dhe të rejave dhe unë do të përkrahë dhe do të angazhohem për përfshirje më të madhe të të rinjve edhe në të ardhmen. Shumica dërmuese e të rinjve kanë dhënë kontributin e tyre në LDK, përfshirë edhe Vjosën edhe Arbenin. Logjika e partive politike është logjikë e interesit të shumicës, si rregull e demokracisë dhe e bashkimit vullnetar politik. Unë vlerësoj përkrahjen nga shumica dërmuese e LDK-së, kurse ata që nuk më përkrahin, sigurisht se kanë arsyet e tyre.

Botapress: Është folur e shkruar për një krizë qeveritare, se vendi do të shkojë në zgjedhjet të parakohshme, se koalcioni nuk është stabil. Janë fjalë “të hallkut…” apo ka diçka të vërtëtë në këto llafe me kafe…

I.Mustafa: Koalicioni qeverisës është shumë stabil dhe nuk ka as më të voglën arsye të flitet për zgjedhje. Prandaj, zgjedhjet e “parakohshme” do të mbahen në vitin 2018.

Botapress: Keni marrë përgjegjësinë institucionale që të drejtoni vendin dhe përgjegjësinë politike që të udhëheqni LDK-në. Ku do të jetë Kosova në fund të mandatit tuaj dhe LDK-ja pas katër vjetësh?

I.Mustafa: Kosova do të jetë më afër procesit të anëtarësimit në BE, do të jetë vend me më pak problem të zhvillimit dhe papunësisë, shtet ligjor që funksionon dhe merr përgjegjësinë për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe i respektuar në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, LDK do të jetë partia më e fuqishme politike në vend e cila do të kultivojë relacione të mira me subjeket e tjera politike, në interes të vendit.