Mustafa i bindur se LDK do t’i fitojë zgjedhjet

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka pasur një takim me ambasadorin italian në Kosovë Andreas Ferrarese. Sipas LDK’së, gjatë takimit Mustafa ka thënë se partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka takuar Ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, si dhe për procesin e integrimeve evropiane, në të cilin Kosova pret përkrahjen e mëtejshme të shtetit italian, ka njoftuar LDK.
“Duke e falënderuar Ambasadorin Ferrarese për mbështetjen e gjatë dhe të shumanshme të Italisë për Kosovën dhe popullin e saj, Kryetari Mustafa ripotencoi angazhimin e plotë të LDK-së për avancimin e demokracisë së brendshme në vend, për plotësimin e kritereve të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për forcimin e rendit dhe të ligjit në të gjitha segmentet e jetës.
Po ashtu, Kryetari Mustafa ritheksoi se LDK-ja është e bindur që do të dalë fituese e zgjedhjeve të sivjetshme nacionale dhe se, nën qeverisjen e saj, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve do të intensifikohen dhe do të thellohet edhe më shumë” theksohet në njoftim.
LDK bën të ditur se Mustafa dhe Ambasadori Ferrarese diskutuan edhe për mundësitë e nxitjes së bashkëpunimit në mes bizneseve të Italisë me ato të Kosovës.
“Në këtë kontekst, Ambasadori Ferrarese e siguroi Kryterain Mustafa se Italia jo vetëm që do të vazhdojë t’i nxisë bizneset italiane për të investuar në Kosovë, por edhe do t’i shqyrtojë mundësitë e krijimit të hapësirave të nevojshme për shtrijen e veprimtarisë së bizneseve të Kosovës në Itali” thuhet në njoftim.