Fundamenti

Mustafa: Gjilanasit më shumë japin e më pak përfitojnë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Me këtë projektbuxhet shihet anashkalimi i Gjilanit dhe assesi nuk mund të afrohemi as për së afërmi premtimeve të cilat i kemi dhënë për qytetarët tanë, të cilët janë shumë të përgjegjshëm në kryerjen e obligimeve ndaj shtetit, bile do të thosha janë qytetarët më të vyeshëm në të gjitha aspektet e kontributit të tyre për komunën dhe shtetin në përgjithësi ka thënë Qemajl Mustafa

Jo vetëm opozita në Gjilan është e pakënaqur me projektbuxhetin e vitit 2013 në nivel qendror. Madje Qemajl Mustafa disa herë ka dhënë kritika rreth anashkalimit të Gjilanit nga niveli qendror sa i përket investimeve. Mustafa tha se kjo ndarje e buxhetit është bazuar në prejardhjen e ministrave, zëvendësve të ministrave, deputetëve më të zëshëm. Kjo ndarje sipas tij është ndarje e rajoneve prej nga vijnë këta zyrtar të lartë.

“Me këtë projektbuxhet shihet anashkalimi i Gjilanit dhe assesi nuk mund të afrohemi as për së afërmi premtimeve të cilat i kemi dhënë për qytetarët tanë, të cilët janë shumë të përgjegjshëm në kryerjen e obligimeve ndaj shtetit, bile do të thosha janë qytetarët më të vyeshëm në të gjitha aspektet e kontributit të tyre për komunën dhe shtetin në përgjithësi”, tha Mustafa.

Sipas tij, komuna, qeverisë së Kosovës i ka paraqitur një kërkesë mbi 20 milion euro, ku janë paraparë, investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi etj, por kjo nuk është ndarje e mirë për Gjilanin, sepse është një komunë mjaft e madhe që ka kërkesa shumë të mëdha. “Kur i marrim parasysh të hyrat vetanake ne jemi në mesin e komunave me të hyrat më të mëdha në Kosovë.”, ka thënë Mustafa.

Ai duke folur për përcaktimin e qeverisë në këtë projektbuxhet tha se ndarja për infrastrukturën është larg shumë e vogël në krahasim me atë që ne kemi kërkuar.

KKVITI

“Si kryetar i Komunës, me kërkesën e kryeministrit dhe ministrit të financave në zyrën e tij kam dërguar kërkesën e komunës prej 20.5 milion euro, që në vete përmban rregullimin e lumit Mirusha, hyrjes së rrugës së Prishtinës, trajtimin e infrastrukturës nga hyrja në Gjilan deri tek teatri, infrastrukturën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, dhe shumë aspekteve të tjera. Pse kjo është kështu, mendoj se qeveria duhet ta arsyetoj këtë para Kuvendit dhe mendoj se është ndarje jo e drejtë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, është çështje e deputetëve tanë që e përfaqësojnë komunën tonë në Kuvendin e Kosovës. “Unë gjatë kohë e kamë ngritur zërin që të bëhemi tok të gjithë edhe ata të partive opozitare që janë nga Gjilani, për ta kërkuar hisen tonë në Kuvendin e Kosovës, sepse ne jemi kontributdhënës, me këtë rast nuk na fal askush nga niveli qendror asgjë, pos që na kthen atë që ne e meritojmë”, thotë Mustafa..

Sipas tij, kryeministri gjithnjë ka thënë se Gjilani do të marrë aq sa ka mundësi me punuar. “Unë ju them me përgjegjësi se Gjilani kishte kapacitete që për këto dy vitet e kaluara të punonte deri në 40, 50 milion euro, por ne fatkeqësisht nuk e kemi pasur atë përkrahje. Kjo nuk është një mosbesim i kryeministrit ndaj Komunës dhe mua si kryetar i saj, por është një presion i madh i deputetëve, dhe ministrave që vinë prej rajoneve të tjera”, thotë Mustafa..

Ai shtoi se në ditët në vijim do ta mbaj një takim me deputetët nga ky regjion dhe do tu thotë se bazuar në kontributet që jep Gjilani po anashkalohet pothuajse totalisht. “Në atë takim unë atyre do t’ua shpalli të dështuar në një masë të madhe vizionin tim për Gjilanin, sepse kjo që po ndodhë në Komunën e Gjilanit sa u përket investimeve kapitale, nuk është përcaktim dhe vizion i imi sepse kemi shumë ngushticë në financim, a në fakt u kemi premtuar njerëzve jo vetëm unë, por shumë më zëshëm ka premtuar kryeministri. Është e vërtetë se ka ndodhur kthesë e madhe historike nga viti 2008 deri më sot në të gjitha aspektet, mirëpo Gjilani meriton dhe do të duhej me marrë më shumë” tha si.

Kryetari Mustafa tha se kjo po ndodhë sepse nuk jemi tok. “E them se Komuna e ka humb përfaqësimin në nivelin qendror, nuk konsultohen dhe as nuk bashkëpunojnë me Kryetarin dhe as me kryesuesin asnjëri nga deputetët, janë bërë pikë e pesë dhe gjendja është kështu si është”, ka thënë Mustafa./rajonipress/