Mustafa: Gjendja në Medvegjë është alarmante, Serbia po tenton të bëjë spastrim etnik

Serbia përmes procedurave burokratike administrative po tenton të bëjë spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mijëra adresa të vendbanimeve në regjistrat civilë janë fshirë në Komunën e Medvegjës. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka folur për Gazetën Express rreth kësaj problematike. Ai ka thënë se si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar ka ngritur shqetësimet para bashkësisë ndërkombëtare dhe ombusmanit lidhur me këto politika të shtetit serb. Ai thotë se gjendja në Medvegjë është alarmante dhe po rrezikohet substanca kombëtare e shqiptarëve

Gazeta Express

Rreth 5000 shqiptarë janë shlyer nga listat e regjistri civil për shkak të ndërrimit të vendbanimit. E këtë çështje po e sheh alarmante kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.

Mustafa për Express ka thënë se çështjen e pasivizimit e kanë ngritur në disa instanca, ku kanë paraqitur fakte se Serbia është duke bërë fshirjen e adresave të vendbanimit në regjistrat civilë mbi kritere etnike kundër shqiptarëve.

“Çështjen e pasivizimit të adresave të përhershme të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e kemi ngritur edhe para institucioneve vendore edhe para bashkësisë ndërkombëtare që është prezentë. Gjithashtu si çështje e kemi ngritur edhe me ombusmanin. Kemi paraqitur fakte se si pasivizimi po është selektiv, e se ai po zbatohet sidomos mbi kritere etnike, pothuajse vetëm ndaj shqiptarëve, për t’i spastruar ata nga regjistrat civil”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se efektet janë shprehur në zgjedhjet e fundit në Medvegjë, dhe po rrezikohet substanca kombëtare e shqiptarëve atje.

“Efektet e këtij procesi diskriminues janë shprehur në zgjedhjet e fundit në Medvegjë. Dhe gjendja është më se alarmuese, ku seriozisht po rrezikohet substanca kombëtare e shqiptarëve atje”, është shprehur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Mustafa ka thënë se secili shqiptar banor i Luginës së Preshevës që është spastruar nga regjistri civil dhe që inicion proces para gjykatave do të ketë mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Sigurisht, mbetet procedimi i kësaj çështje përmes sistemit juridik. Po pasi që bie në të drejtat individuale i bëjë thirrje të gjithë atyre që kanë kurajën për të iniciuar proceset para gjykatave sa i përket pasivizimit të adresave të përhershme, do të kenë mbështetjen e plotë të Këshillit Kombëtar Shqiptar”, ka deklaruar ai.

Kryetari i KKSH-së ka thënë se këshilli që ai drejton do të krijojë bazën juridike të kësaj çështje për ta proceduar para mekanizmave ndërkombëtar.

“Njëkohësisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar edhe më tej do të vazhdoj, jo vetëm në sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe procedimin brenda mekanizmave juridik të Serbisë për të krijuar bazën juridike për ta proceduar edhe para mekanizmave ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar më tej se vazhdimisht kanë kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës si tërësi të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne kemi kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës si tërësi të jetë pjesë dialogut Kosovë-Serbi dhe të zgjidhet konform kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, është shprehur Mustafa. /GazetaExpress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).