Mobi Casa

Mustafa: Fitorja e PDK-së kësaj radhe do të jetë edhe më e madhe

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Qemajl Mustafa, ka thënë se nuk ka asnjë dilemë në fitoren e sigurt të PDK-së në Gjilan dhe se fitorja do të jetë edhe më e madhe se asnjëherë më parë. Kjo do të jetë kështu sepse ne fuqinë tonë politike e bazojmë në qytetarët tanë të shumtë që e mbështesin PDK-në dhe që do t’i bashkohen gjatë ditëve në vijim. Ju jeni burim i fitores tonë, jeni organizëm i fuqishëm që besimin tonë kësaj radhe do të na jepni më me lehtësi, sepse projekti ynë i qeverisjes është më i miri nga të gjithë të tjerët ka thënë Mustafa.

Qemajl Mustafa, kryetar aktual i Komunës së Gjilanit dhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për mandatin e tretë në zgjedhjet lokale për të parin e Gjilanit, i shoqëruar edhe nga shefi i shtabit Izmi Zeka, sekretari organizativ, Bujar Nevzati dhe disa prej kandidatëve për këshilltarë komunal, është takuar me strukturat e PDK-së në Pogragjë, Miresh dhe në Shurdhan, ku ka bashkëbiseduar me ta për 6 vjet të qeverisjes si dhe për programin e tij dhe të partisë së tij për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

Me këtë rast kandidati Qemajl Mustafa, ka thënë se nuk ka asnjë dilemë në fitoren e sigurt të PDK-së në Gjilan dhe se fitorja do të jetë edhe më e madhe se asnjëherë më parë. “Kjo do të jetë kështu sepse ne fuqinë tonë politike e bazojmë në qytetarët tanë të shumtë që e mbështesin PDK-në dhe që do t’i bashkohen gjatë ditëve në vijim. Ju jeni burim i fitores tonë, jeni organizëm i fuqishëm që besimin tonë kësaj radhe do të na jepni më me lehtësi, sepse projekti ynë i qeverisjes është më i miri nga të gjithë të tjerët” ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se me besimin tuaj ne erdhëm në qeverisje në vitin 2007 dhe shumë më bindshëm fituam në vitin 2010, por fitorja e vitit 2013 do të jetë që në raundin e parë, edhe ashtu nuk do ta mundojmë qytetarin tanë që të bëhet gati për balotazh. “Fitorja jonë është e sigurt falë punëve të mëdha e të mira që kemi bërë së bashku, në të gjitha fshatrat e Komunës së Gjilanit pa dallim, por edhe falë besimit tashmë të krijuar mes nesh”.

Mustafa ka përmendur punë të mëdha që janë bërë në fshatin Pogragjë si në renovim të shkollës, rregullim të ndriçimit publik, investime në infrastrukturë, dhe projekte të tjera si të ujësjellësit, lidhjes së fshatrave të tjera me rrugë etj.

Mobi Casa

Kurse në fshatin Miresh Mustafa ka thënë se është një komunitet jashtëzakonisht i përgjegjshëm për funksionimin e fshatit dhe si këshill jeni shembull në nivel të Komunës. “Ju keni mbajtur mrekullueshëm ambientin këtu, për çka unë ju falënderoj përherë, sikundër që keni mirëmbajtur edhe shumë aspekte të tjera si shtratin e lumit, trotuaret, etj. Ne bashkë me ju kemi investuar në infrastrukturë rrugore, trotuare, ujësjellës etj, por dua që vet ju ta kujtoni gjendjen në të cilën ishte Mireshi para vitit 2007 dhe atë në të cilën është tani”.

Mustafa ka shtuar se ardhja jonë në pushtet në zgjedhjet e vitit 2007, ka qenë me prioritetin e parë që qeverisjen t’ia ofrojmë qytetarëve, atë e kemi bërë dhe kështu bashkë do të vazhdojmë edhe për katër vite të tjera, duke realizuar projekte madhore për Gjilanin por edhe fshatrat e kësaj Komune. “Neve na kanë mbetur vetëm edhe pak fshatra për t’i lidhur me rrugë me qytetin, sepse tani vetëm është duke u rregulluar rruga në Kravaricë, do të rregullohet shumë shpejt edhe ajo mes Llashticës dhe Nasalës, do të investohet edhe në rrugë të tjera si te Kokajt, e në fshatra të tjera të Karadakut. Ju them kemi investuar jashtëzakonisht shumë si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ambient, bujqësi, kanalizime, ujësjellës, trotuare, e shumë projekte të tjera që janë jetike për qytetarin tonë”.

Mustafa ka thënë se PDK është shumë unike, ndoshta më unike se asnjëherë më parë, dhe bashkë edhe me ekipin kandidues që poashtu është më i miri në raport me të tjerët, ne do të fitojmë bindshëm, duke mos e harruar asnjëherë besimin tuaj shumë të çmueshëm për ne. Nuk jemi lodhur fare, pos që jemi edhe më me forcë që proceset ti lëvizim përpara për të mirën e të gjithëve.

Ndërsa, Bujar Nevzati, sekretar organizativ, ka thënë se PDK dhe Qemajl Mustafa, është zgjidhja e vetme dhe më e mira për të bashkë-qeverisur me ju për interesat e të gjitha familjeve tona të Komunës së Gjilanit. “Ne kemi dëshmuar këtë dhe do të vazhdojmë edhe më tutje.Ju rikujtoj se deri në vitin 2007 Komuna e Gjilanit ka pasur diku mbi 50 mijë metra katror hapësirë shkollore, ndërsa vetëm për 5 vjet e gjysmë ne kemi ndërtuar mbi 30 mijë metra katror, dje kemi nisur shkollën në Kishnapole së shpejti nis shkolla e arteve që kanë përafërsisht 6 mijë metra katror. Jemi me fat që sot e kemi inauguruar edhe Universitetin Publik të Gjilanit dhe a ka më mirë se të jemi qytet universitar, ku brenda ditës do të gravitojnë mijëra të rinj e të reja, që është nderë së pari për juve të nderuar qytetar e pastaj edhe për Komunën dhe këtë regjion. Ne do të korrim fitore bindëse, në çdo lokalitet, s’ka forcë politike që e mund PDK-në, sepse ne jemi lidhur fuqishëm mes vete, ndaj që nga sot ju uroj fitoren e madhe të PDK-së” ka thënë Nevzati./rajonipress/