Mustafa: Falltarët e PDK-së mund të flasin, por Blloku e ka shumicën në Kuvend

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Adem Grabovcit të PDK-së, duke e quajtur atë falltar. Reagimi i Mustafës përmes rrjetit social Facebook, është bërë pasi Grabovci ka thënë se PDK i ka numrat në Kuvend për ta formuar Qeverinë.
Mustafa ka thënë se “falltaret e Koalicionit PDK, mund të flasin për çfarëdo vota, por Blloku shumicë LDK AAK Nisma tregoi se ka mbështetjen e 83 deputetëve dhe se mori besimin e shumicës së deputetëve.
Ky reagim i Mustafës vjen pasi Grabovci ka deklaruar se PDK i ka votat e më shumë se 70 deputetëve në Kuvend për ta formuar Qeverinë.
Lexojeni të plotë postimin e Isa Mustafës në Facebook:
“Falltaret e Koalicionit PDK, mund të flasin për çfarëdo vota, por Blloku shumicë LDK AAK Nisma tregoi se ka mbështetjen e 83 deputetëve dhe se mori besimin e shumicës së deputetëve. Ata që nuk e kanë të qartë, duhet të vetëdijesohen se shumica është rregull e demokracisë.
Asnjë kërcënim mbi fragjilitetin e sigurisë, nëse PDK nuk është në pushtet dhe mbi “paprekshmërinë ligjore të fituesit” nuk e lëvizë konsistencën dhe besimin e këtij blloku shumicë. Nuk ka fitues me 30% të votave dhe me 37 deputetë nga 120 sish në Kuvendin e Kosovës.
Fituesi është ai që merr votat dhe përkrahjen e shumicës së deputetëve, të cilët në mënyrë inkluzive determinojnë shumicën e votave të fituara nga qytetarët, pra mbi 50%.
Koha që po kalon nuk do të qoj ujë në mulli të qeverisë Thaçi por do ta vërshojë këtë qeveri me gjithë përbërjen e saj të tanishme antikushtetuese, asambleiste-ekzekutive”, (sic), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/