Mustafa duhej të distancohej nga “kërcënimet” e djalit

Grupit të “kapadaive” nga djemtë e zyrtarëve shtetëror e liderëve partiakë, i është shtuar edhe një. Bëhet fjalë për Besnik Mustafën, birin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Besniku nuk është përmbajtur nga publikimi i një lajmi të rremë nëpër portale se vëllai i tij Arbeni, është në mesin e të arrestuarve të ditës së mërkurë. Reagimin e ka bërë përmes rrjetit social facebook, madje duke kërcënuar se do t’i hyjë t’i kryejë vetë punët nëse në Kosovë nuk ka drejtësi.
Ai në këtë rast ka përmendur edhe parimet e Kanunit, duke kërkuar nga prokurorët që të ndërhyjnë para se të reagojë personalisht. “A ka Shtet, a ka Drejtësi, a ka Prokurori, a ka Polici, a ka Hetuesi, a ka Gjyqësi ky ven a s’ka !!!! O shtet i mjerë, ndërmerrni masa ndaj këtyre portaleve që shpifin ose e kthejmë me kanun e ndërmarrim masa vetë”, ka shkruar ai në profilin e tij në facebook.
Për ekspert që merren me marrëdhëniet me publikun, një veprim i tillë nga ana e birit të Isa Mustafës, vetëm sa mund t’ia prishë punët këtij të fundit, i cili synon të marr drejtimin e qeverisë së ardhshme. Analistët vlerësojnë se është shqetësues fenomeni ku çdo ditë e më shumë shfaqen djemtë ose të afërmit e zyrtarëve shtetërorë të cilët në emër të baballarëve bëjnë skandale publike…(Tribuna).