UBT

Mustafa: Do t’i mbrojmë votat tona

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbrojë votën që populli ia jep në zgjedhje, thotë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në një intervistë për Telegrafin, Mustafa deklaron se Prishtina bindshëm do të fitohet nga partia që udhëheq, ndërsa shprehet se LDK ka votuar pro ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që të ndryshoj për të mirë gjendja në veri të vendit. Ai nuk deklarohet për koalicionet e mundshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por thotë se partitë që akuzojnë LDK-në se po i shërben pozitës, janë akoma në inkubator të demokracisë.

Telegrafi: Në takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel në mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb Ivica Dacic, është përmendur se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 3 nëntor. Ju si Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) keni deklaruar se kjo datë do të krijonte mundësi të manipulimit të zgjedhjeve. A keni ju, si LDK, ndonjë strategji se si do ta parandaloni keqpërdorimin e votës?

Prishtinën sërish do ta fitojmë

Mustafa: Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin në kohën kur qytetarët e kanë më të lehtë daljen në zgjedhje dhe kur ato zgjedhje nuk mund të manipulohen në terr – ashtu siç ndodhi në të kaluarën.

Koha në të cilën janë caktuar zgjedhjet nga Presidentja Jahjaga, si rezultat i dialogut ndërmjet Thaçit dhe Dacicit, rrezikon edhe daljen e qytetarëve në zgjedhje, sikurse edhe transparencën dhe rregullsinë e tyre. Ne kemi kërkuar nga ndërkombëtarët që të dërgojnë më shumë vëzhgues statikë në zgjedhje, ndërsa do të punojmë maksimalisht që të kemi vëzhgues dhe komisionarë, nga LDK, të cilët do ta ruajnë votën tonë.

Telegrafi: Tashmë LDK-ja ka shpallur nominimet e kandidatëve për kryetarë të komunave, përveç kandidatit për Prishtinën. A nënkupton kjo se ju do të rikandidoheni përsëri për të parin e kryeqytetit?
Mustafa: Kandidimin për Prishtinën do ta diskutojmë veçmas në Lidhjen Demokratike të Kosovës e pastaj do të vlerësojmë se cili është interesi ynë. Atëherë do të vendosim. Ne do ta fitojmë Prishtinën, por jemi të interesuar të kemi kandidatë të cilët e fitojnë bindshëm.

Telegrafi: A mendoni se secili kandidat i nominuar për kryetar të komunës nga e cila vjen, është personi më adekuat i LDK-së për atë komunë. Ka zëra që e relativizojnë këtë gjë, siç është rasti i akuzave të bëra nga ish kryetari i Fushë Kosovës, Skender Zogaj, i cili pretendon se LDK-ja – në këtë komunë, dhe jo vetëm aty – në listën e kandidatëve të nominuar ka njerëz me afera korruptive dhe kriminale. Cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

Ata që trumbetojnë, le të japin argumente

Mustafa: Kandidatët të cilët i kemi nominuar kanë marrë përkrahjen unanime të degëve dhe të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Janë kryetarët e tanishëm të komunave ata të cilët janë vlerësuar se kanë punuar mirë, në interes të qytetarëve dhe se kanë rezultate të mira në punën e deritanishme. E njëjta vlen për kandidatët tjerë të cilët vlerësohet se do të fitojnë.

UBT

Ne nuk do të propozonim asnjë kandidat, siç thuhet, “me dosje kriminale apo korruptive”. Prandaj, ata të cilët trumbetojnë këto dosje, duhet t’i argumentojnë ato. Sidoqoftë, përgjigjen më të mirë do ta marrin në zgjedhje.

Telegrafi: Të flasim për zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ka pasur zëra nga LDK-ja se asnjëherë nuk do të hyni në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). A qëndroni ende prapa këtyre deklaratave dhe cilat janë vijat e kuqe të cilat i keni përcaktuar ju si LDK? Me cilat parti do ta favorizonit koalicionin?
Mustafa: Për koalicionet në zgjedhjet e ardhshme do të vendosë Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës – sipas statutit. Ne do të vlerësojmë interesin e Kosovës dhe të LDK-së për partnerin e koalicionit.

Telegrafi: Në Kuvendin e Kosovës u ratifikuar marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, me ç’rast LDK-ja votoi pro-ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Në rast se zbatimi i saj nuk shkon ashtu siç është premtuar nga Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, a konsideroni se përgjegjësia për dështim bie edhe mbi ju, si parti, që keni votuar pro ratifikimit të saj?

Opozita nuk nënkupton ofendim dhe denigrim

Mustafa: Ne jemi të vetëdijshëm se do të ketë vështirësi të mëdha në implementimin e marrëveshjes, sepse Serbia nuk ka vullnet dhe gatishmëri për këtë. Duhet ta bëjmë punën tonë me qëllim që të integrojmë pjesën veriore të vendit, e cila udhëhiqet nga organe, individë dhe institucione të Serbisë, e institucionet tona verbërisht theksojnë se po e ushtrojnë sovranitetin atje. Edhe pyjet atje qeverisen si pyje të Serbisë. Është kjo një gjendje që nuk duhet të tolerohet të vazhdojë si e tillë.

Telegrafi: Si i vlerësoni veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në protestën e fundit kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Brukselit?
Mustafa: Janë veprime të cilat dëmtojnë të drejtat demokratike të deputetëve dhe të Kuvendit të Kosovës. Askush nuk mund t’i jap vetit të drejtë të imponojë vendimet dhe të komandojë në Kuvend se si duhet të votojnë deputetët.

E drejta për të protestuar është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, por kjo e drejtë nuk nënkupton të drejtën për uzurpim të Parlamentit dhe për pengim të përfaqësuesve të huaj diplomatik që të ushtrojnë punën e tyre në Kosovë.

Telegrafi: Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar LDK-në se po i shërben interesave të kryeministrit Thaçi? Sa ka opozitë të mirëfilltë në Kosovë?
Mustafa: LDK është opozitë e mirëfilltë. Kjo është vërejtur qartë, sepse kemi iniciuar një mori çështjes në Kuvend të cilat janë në interes të qytetarëve. Por, nëse mendohet se për të qenë opozitë duhet me çdo kusht të ofendosh të tjerët, të denigrosh, atëherë LDK nuk e ka këtë kulturë të sjelljes.

LDK i shërben interesave të Kosovës dhe ne po punojmë për një qeverisje e cila do të përmbushte këto interesa për një qeverisje të LDK-së. Jemi parti shumë e madhe dhe jashtëzakonisht e konsoliduar dhe këto akuza që i dëgjojmë na duken se janë akuza të atyre që akoma janë në inkubator të demokracisë. /Blendi Devolli/Telegrafi/