Mustafa: Do të bëhet çdo gjë që migrimi ilegal të parandalohet

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz. Në këtë takim, Mustafa tha se do të bëhet çdo gjë që është e mundur me qëllim që migrimi ilegal të parandalohet, por edhe që të sigurohen kushtet që të kthehen qytetarët që kanë migruar.
Mustafa theksoi po ashtu se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për lëvizje të lirë, si për shkollim ashtu edhe për biznes, dhe se Qeveria e Kosovës është mjaft e fokusuar që të plotësojë kushtet për procesin e liberalizimit të vizave.

Ministri i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, në këtë takim përmendi ndihmën dhe miqësinë që kanë Austria dhe Kosova, duke vënë theksin në prezencën e ushtarëve austriakë në vend dhe projektet zhvillimore që janë përkrahur.

UBT

Ministri Kurz kërkoi që Kosova të bëhet vend me ambient të mirë si për investitorët aktual ashtu edhe për investitorët e ardhshëm dhe gjithashtu theksoi përkrahjen për Kosovën në proceset integruese dhe për liberalizimin, por theksoi se duhet të adresohet çështja e migrimit ilegal.

Kurz u interesua edhe për procesin e dialogut dhe raportet fqinjësore në Kosovë. Gjithashtu, ministri paralajmëroi Samitin për Ballkanin, i cili pritet të mbahet në Vjenë të Austrisë. /Telegrafi/