Fundamenti

Mustafa: Do ta ndalim trendin negativ të degës së PDK-së dhe do e ndërrojmë qeverisjen e keqe në Gjilan

/ 14 minuta lexim

Gjilan – Dega në Gjilan tash e sa kohë gjendet në udhëkryqin e saj përcaktues. E ka mundësinë të zgjedh nga dy rrugët që i ka përpara: njëra është rruga e reformës programore e strukturore që e hapë degën dhe e përparon. Tjetra është rruga e mbajtjes së mjegullës mbi degën dhe mbajtja peng e saj për nevojat e fisit, klanit e familjes së të “të merituarve” të përjetshëm të saj. Kjo e dyta e ka sjellur në katandinë e sotme. I mbetet anëtarësisë së PDK në Gjilan që të zgjedhë se nëpër cilën rrugë don me i ra thotë Qemajl Mustafa.

Qemajl Mustafa vazhdon të mbetet kandidati më i kërkuar dhe më popullarizuar brenda strukturës dhe aktivistëve të PDK-së në Gjilan. Kandidimin e tij tashmë nuk mund ta ndalojë askush. Lexojeni në vazhdim prononcimin e Qemajl Mustafës rreth kandidimit të tij, dhe të ardhmes së PDK-së në Gjilan.

Reagimi i plotë i Qemajl Mustafës

Kërkesa për kandidimin tim për kryetar të degës (e pastaj edhe për kryetar të komunës) është kërkesë që vije natyrshëm nga baza e partisë, nga struktura e degës dhe nga spektri i gjerë i shoqërisë së komunës jashtë PDK. Qytetarët e duan punën, sjelljen dhe sinqeritetin tim të viteve 2008 – 2013. E duan përkushtimin tim dhe të strukturës së PDK në komunë, e duan hapjen dhe gatishmërinë ndaj halleve e problemeve të tyre. Kërkesat për rikthimin tim janë së paku në funksion të dy nevojave emergjente që i ka shoqëria e Gjilanit. E para është ndalja e trendit negativ në degën e PDK-së në Gjilan dhe e dyta edhe më emergjente se e para – ndërrimi i qeverisjes së keqe në Gjilan e cila e ka dëshprue secilin qytetar të tij përveç përfituesve, sekserëve e zhvatësve të Lutfi Hazirit.

Kjo kërkesë, e përsëritur disa herë, në njëfarë mënyre e ka bërë kureshtar kryetarin e PDK, z. Kadri Veselin dhe udhëheqjen në qendër.
Më duhet ta shpjegoj se unë nuk isha aktiv nē strukturën e degës këto pesë vitet e fundit për shkak të rrethanave rënduese të krijuara në degë pa dashjen time por, aktivisht dhe me kureshtje e kam përcjellë punën e kësaj dege e cila, ishte e konsoliduar mirë deri te viti 2012 dhe dy herë e fitoi bindshëm komunën.

Në degë, u pat krijue klimë e keqe dhe tejet përçarëse pas humbjes së zgjedhjeve lokale 2013. Krejtë kjo klimë ishte krijuar artificialisht për t’i drejtuar të gjitha shigjetat kah unë dhe kah pjesa progresiste e degës. Bëhej kjo për t’i krijuar hapësirë një koncepti tjetër që për qëllim të parë e të fundit e kishte dominimin e degës, pengmarrjen e saj pavarësisht rezultateve të dobëta që do të pasonin. Bëhej kjo që t`i krijohej hapësira një njeriu tjetër, i cili pa meritë, pa njohuri as elementare për procesin në degë e në komunë “duhej” t’a merrte drejtimin e saj. Kështu edhe ndodhi. U pa nga vitet në vazhdim se përveç këtij njeriu, pra, kryetarit të degës dhe të një fisi rreth tij, askush nuk fitoi nga ky potez degradues. Në realitet, fituan rivalët politikë të PDK. Dega e Gjilanit e mori teposhtëzën. Ajo ishte e shëndoshë “si molla” në vitin 2013 pavarësisht që nuk doli e para në zgjedhje. Dega i kishte 10633 vota të zgjedhësve të Gjilanit dhe kandidati i saj (që isha unë), kishte hyrë në balotazh edhe pas dy mandateve të qeverisjes me mbi 12000 vota nga raundi i parë. Dikush nga qendra, në sinkron me një pjesë lakmitare të degës e krijuan klimën e mosdurimit ndaj meje dhe e sollën një realitet përçarës e rrënues në degë. Pjesa e degës që e kishte qëllimin e mirë e përparues, nuk i rezistoi dot kësaj stuhie rrënuese dhe pasoi ajo që tashmë është e njohur për degën, për partinë dhe për komunën si tërësi. Ajo, nga 10633 vota që i kishte në 2013, përfundoi në 7300 vota në zgjedhjet e vitit 2017.

Vlenë të thuhet se edhe në këtë periudhë fatkeqe për degën e Gjilanit, kryetari i saj i ardhur me trysni, me prapaskena e me procedurë jo të rregullt bëri përfitime për veti. Përfituan edhe disa individë dhe familje rreth tij por, fatura që i erdhi degës në derë ishte e lartë – këta njerëz, degën e quan në buzë të humnerës.

Tani, një front i madh i aktivistëve duhet bërë punë të shumëfishtë, punë me përkushtim të veçantë, me sinqeritet dhe me hapje të plotë ndaj publikut, për ta këndellur këtë degë dhe për ta kthyer në elitën politike të komunës.

T’i kthehemi aktualitetit. Pra, kërkesa e vazhdueshme për kthimin tim
ka ndodhur pas rënies së vazhdueshme pesëvjeçare të degës në Gjilan dhe humbjes së shpresës se ky trend mund të ndalet pa ndërrime rrënjësore dhe pa kthimin e klimës së shëndetshme në degë. Aktivistët e terrenit dhe anëtarësia e gjerë (por edhe udhëheqja e copëzuar e degës) e kanë kuptue se duhet të ndërrohet dhe të ridizajnohet mirë struktura e degës dhe sidomos qasja ndaj shoqërisë së Gjilanit e cila shoqëri është mjaftë heterogjene, me sens të hollë dhe me specifikat e saja te veçanta.

Një djalë, i ri në moshë, e ka shprehur dëshirën për kandidim për kryetar të degës. Në publik ka dalur qe disa muaj duke trumbetuar se është kandidati për kryetar. Kjo nuk është e vërtetë. Sipas statutit të PDK (neni 24. – Procesi zgjedhor në degë), kandidaturat për kryetarë të degëve i bën valide (domosdoshëm), kryetari i PDK dhe kryesia e saj në qendër. Personalisht, do të doja që këtij të riu, në kushte plotësisht ligjore e demokratike, t’i pranohet dhe zyrtarizohet kandidatura. Kjo e pasuron garën dhe e nxit rritjen e kualitetit në degë.

Pra, unë e çmoj ambicien e këtij të riu i cili sipas njohurive të mia, është anëtar fare i ri në degën e Gjilanit dhe nuk ka qenë asnjëherë në strukturën e saj. Në degën e PDK në Gjilan janë së paku edhe dhjetëra aktivistë meritorë dhe të gatshëm për me e shpallë pretendimin për kandidat për kryetar të degës dhe me përparësi të dukshme, para këtij të riu. Disa prej tyre ishin edhe këshilltarë të shkëlqyer shumëvjeçar në kuvendin e komunës për një, dy e më shumë mandate. Janë kryesisht njerëz të ri me plotë ambicie dhe energji, të cilët e njohin deri në detaje procesin në parti e në komunë. Atëherë, natyrshëm duhet shtruar pyetjen, pse këto kuadro të vlefshme të degës nuk i shpallën pretendimet e tyre? Është fare e thjeshtë. Ata nuk e bënë këtë duke i njohur rrethanat tepër polarizuese në degë. Ata kërkuan rrugë për unifikim dhe dalje nga kjo gjendje e molisjes. Ata synim të parë e kanë rikthimin e degës në qeverisje e jo marrjen e pronësisë mbi të. E kanë për synim rritën dhe zhvillimin e komunës së tyre.

Kjo që e thash, aspak nuk nënkupton që ky djalë i ri nuk ka patur të drejtë të pretendojë por, thënë troç e hapur, pretenca e tij irracionale e ka irritue pjesën më të madhe të aktivistëve të vyeshëm dhe të nëndegëve të mëdha të kësaj dege. Kjo është kështu sa për shkak të meritës së munguar të këtij kandidati për degën në Gjilan, aq më shumë se vije nga po i njëjti fis i cili e ka sjellur degën në këtë derexhe në të cilën ajo është sot. Zatën, ky është edhe hendikepi më i madh i këtij kandidati të mundshëm.

Uji Dea

Për çfarë po flasim? Çili çark i njerëzve e rrethon këtë pretendent?
Janë njerëzit që rrafsh qe 20 vjet janë “shtierë” si përfaqësues në Prishtinë të degës në Gjilan e besa edhe të degëve në Anamoravë, por kurrë nuk e kanë luajtur atë rol. Janë njerëz që me fanatizëm dhe pa meritë politike e kanë ruajtur statusin e tyre në qendër, duke mos lejuar asnjë kuadër tjetër të depërtojë atje. Janë njerëz që kapitalin politik të degës në Gjilan dhe më gjerë e kanë përkthyer në të mira për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për çarkun a fisin e tyre, por jo kurrë përtej këtij kufiri. Janë këta njerëz që e kanë dëmtue aq keq PDK-në në Gjilan e Anamoravë. E kanë dëmtuar keq themelimin dhe rritën e Universitetit Publik “Kadri Zeka” duke vendosur vetëm dhe vetëm vartës të tyre në maje të udhëheqjes së tij dhe duke sjellur në të kuadro plotësisht të dyshimta e të plogështa (me ndonjë përjashtim, natyrisht). Janë njerëz që me kapitalin politik të madh të dikurshëm të degës (por edhe me këtë të tashmin), kanë bërë tradicionalisht vetëm e vetëm emërime e punësime familjare e klanore. Rrallë ka ndodhur që ky “kontribut” i tyre t`i sjellë të mira edhe ndonjë aktivisti të mirë të degës në Gjilan jashtë këtij çarku vicioz. Nëse kjo ka ndodhur, atëherë ka ndodhur nga mbetjet e “darkës së tyre të majme” për fisin e ngushtë. Me qëllimin më të mirë, vet pretendenti kaq i vullnetshëm për kryetar të degës do të duhej natyrshëm me e shtrue pyetjen “Prej nga mua mundësia që të jem në marrëdhënie të rregullt të punës si djalë i ri, në sektorin publik, para shumë e shumë aktivistëve të kualifikuar të degës në Gjilan e të atyre në Anamoravë?” Përgjigja tashmë është plotësisht e qartë dhe e njohur sikur për këtë të riun pretencioz ashtu edhe për krejtë strukturën e PDK të kësaj ane. Është fisi, klani, çarku që ia krijoi një mundësi të tillë. Është selektimi aq i ngushtë, i paskrupullt e goditës për partinë dhe për shoqërinë e kësaj ane në tërësi. Pasojat tashmë janë të dukshme e aq më shumë, të dhimbshme. Qindra aktivistë të dëshpëruar e të demotivuar për punë. Qindra aktivistë që mbi supet e tyre e ndjejnë peshën e padrejtësisë që u është bërë për shumë vite.

Po i njëjti çark e fis që e uzurpoi dhe e mbajti peng degën në Gjilan, tani me tjetër pretendent (më të ri në moshë por, me klishe e doktrinë të vjetër uzurpuese) po don me e vazhdue amullinë e kësaj dege. Është e çuditshme pse këta njerëz e ky çark nuk shohin dhe nuk mësojnë nga krejtë ajo që i ka ndodhur degës në Gjilan dhe atyre tjerave në Anamoravë? Lakmia dhe oreksi i pakontrolluar përherë kanë qenë cytje verbuese nëpër karrierë.

Çka duhet bërë më tutje?

Dega në Gjilan tash e sa kohë gjendet në udhëkryqin e saj përcaktues. E ka mundësinë të zgjedh nga dy rrugët që i ka përpara: njëra është rruga e reformës programore e strukturore që e hapë degën dhe e përparon. Tjetra është rruga e mbajtjes së mjegullës mbi degën dhe mbajtja peng e saj për nevojat e fisit, klanit e familjes të të “të merituarve” të përjetshëm të saj.

I mbetet anëtarësisë së PDK në Gjilan që të zgjedhë se nëpër cilën rrugë don me i ra. Kuvendet e nëndegëve janë përcaktuesi i parë dhe më i rëndësishmi në këtë rrugë. Kandidimi dhe votimi i aktivistëve më të mirë të lagjeve e të nëndegës për kryesi të tyre dhe për delegatë në kuvendin e degës është akti më i rëndësishëm që e përcakton të ardhmen e degës dhe të PDK-së. E sugjeroj këtë anëtarësi që ta bëjë më të mirën që është e mundur në këtë proces zgjedhor duke i spikatur vetëm dhe vetëm më të mirët. Në të kundërtën, do të pendohet e do të dëshpërohet larg më shumë se përgjatë këtyre pesë viteve të rënies së pandalshme të degës në Gjilan.

Sa i përket pretendimit tim për kandidaturë të mundshme, nëse ajo vie këtyre ditëve, do të vie pikërisht në këto orë të vështira, për ta ndihmuar edhe njëherë degën e sidomos komunën tonë por, assesi për ambiciet e mia personale.

Dega në Gjilan nuk e ka asnjë aktivist tepër. Të gjithë janë të dobishëm e të mirëseardhur në këtë proces zgjedhor dhe në punët e angazhimet e mëdha që na presin në vijim.
Kjo degë bëhet stabile, rritet e forcohet vetëm pasi që të ketë ndodhur uniteti i brendshëm i saj.

Si mund të arrihet kjo?
Uniteti arrihet duke hequr dorë përfituesit tradicionalë e irracionalë të kësaj dege dhe duke krijue hapësirë për aktivistët dhe qytetarët e tjerë të vyeshëm të degës dhe komunës. Çka është mjaftë, mjaftë është. Kjo qasje përveç që i ndihmon degës, u ndihmon edhe atyre vet. Korrigjimi i veprimeve të gabuara nga e kaluara, i sjell degës besim e drejtësi, dy parakushte aq të munguara deri tani.

Gara e brendshme duhet të bëhet për ta përgatitur degën për garën e fortë të jashtme, për institucione, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë nacional.
Imazhi në politikë është fryma që krijohet me vite e vite përreth një individi e një strukture të organizuar e që buron nga puna, sjellja dhe përkushtimi i tyre programor, politik e njerëzor. Si për të mirë, ashtu edhe për të keq. Asgjë e mirë nuk ndodhë shpejtë e lehtë.

Gjilani ka nevojë për njerëzit që e duan, që e ruajnë dhe e përparojnë. Në komunën tonë nuk ka vendali e të ardhur, nuk ka rrafshali e malsi. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit e Kushtetutës. Ka vetëm njerëz besnikë të saj, njerëz punëtorë që e duan komunën dhe vendin e tyre dhe ka një pakicë të tjerë që janë përtacë, llafamanë e bjerrakohës. Këta të dytët jetojnë nga puna e atyre të parëve. Të tillë kemi në degën në Gjilan. Ky proces zgjedhor duhet ta zvogëlojë në minimum numrin e parazitëve në strukturën e degës. Të shpresojmë.

Fitorja gatuhet dhe përgatitet secilën ditë të vitit, deri në fushatat e ardhshme zgjedhore kurdo që ato të ndodhin. Humbja poashtu. Gjatë viteve të fundit jemi pajtuar me këtë të dytën, fatkeqësisht. Duhet të flaket me vendosmëri ky opsion.

Për ambiciozët dhe të suksesshmit, rruga përpara s’ka tjetër alternativë. Ka vetëm fitore. Gëzuar!, ka shkruar Qemajl Mustafa./rajonipress/