Uji Dea

Mustafa: Djallit, engjëll nuk mund t’i themi

/ 4 minuta lexim

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka thënë të enjten se do të dëshironte që më shumë të shkruante se si PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma dhe të tjerët të vlerësonin sukseset e tij në qeverisje, por kjo sipas tij, nuk ndodhi pasi ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës, legalizuan gurët dhe promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se e vërteta nuk duhet të harrohet. Ai më tej shprehet se djallit, engjëll nuk mund t’i thuhet.

Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

“E vërteta dhemb. Më dhemb edhe mua!

Do të kisha dëshiruar që dje të shkruaj se si, PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma, përfaqësuesit e turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasëve në Kuvend dhe qytetarët vlerësuan një punë me përkushtim në rritjen ekonomike stabile prej 4%, për dy vitet e fundit ( më të lartën në regjion) dhe punësimit të mbi 40 mijë njerëzve, se iu gëzuan rritjes së buxhetit të Kosovës, për herë të parë në mbi 2 miliard euro, stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjes së pensioneve; pensioneve të veteranëve të UÇK-së, Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kodit shtetëror telefonik të Kosovës, integrimit të komunave të veriut dhe zhbërjes së Mbrojtjes Civile në Veri, përmbushjes së 93 nga 94 kriteret për liberalizimin e vizave; vlerësuan se nuk e dëmtuam paranë publike gjatë kësaj periudhe dhe ndërtuam standarde të reja qeverisëse.

Uji Dea

Me mirësjellje dhe mirëkuptim do të shkruaja se na kritikuan dhe bënë vërejtje me vend për proceset, të cilat duhet t’i qojmë më shpejtë, për punësim më të madh të të rinjve dhe grave, për tërheqje më të madhe të investimeve nga jashtë, për shëndetësi më të organizuar, për arsim më të mirë, për jetë më të begatshme kulturore,… për procese më demokratike ….

Kjo nuk ndodhi, sepse ata që e rrëzuan qeverinë i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë (djem dhe vajza të këtij vendi që shërbejnë për një pagë për të mbajtur familjet e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre). Promovuan akterët e flakës së vënë ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me mollotov dhe bomba në shtëpi private, të kanonadave të gazit lotsjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës.

U hapën rrugë atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme. Me sekserë. Sepse ndryshe e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendoj politikisht. Dhe nga një rrugë normale, me mendësinë e konspiracionit, e solli vendin në këtë derexhe.

E vërteta është e dhimbshme. E dhimbshme është që unë si Kryeministër, si Kryetar i LDK-së, anëtar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesor i dhjetëra mijërave studentëve të Universitetit të Prishtinës, prind dhe gjysh, t’u rrëfehem qytetarëve të mi për gënjeshtrat, dhunën dhe maltretimet politike. Por, ballafaqimi me të vërtetën pasqyron vlerat e një shoqërie. E vërteta nuk bën të harrohet. Sepse vetëm e vërteta bëhet faktor korrigjues i sjelljeve. Djallit engjëll nuk mund t’i themi. Edhe Bibla edhe Kurani e pranojnë se kemi djaj dhe engjëj, por ata i ndan. Ndërkaq, njerëzit i edukojnë të bëjnë vepra të mira”.