Mobi Casa

Mustafa dhe Nevzati urojnë për vit të mbarë shkollor

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në mbledhjen e sotme të drejtorisë së Arsimit, me drejtorët e shkollave të të gjitha niveleve nga parashkollorët e deri tek të mesmet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa i cili ka marrë opinionin e secilit drejtor për përgatitjet e shkollave për këtë vit shkollor.

Të gjithë informuan se procesi arsimor do të filloj me rregull në të gjitha shkollat e Komunës. Ndërsa, Bujar Nevzati, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit tha se Gjilanit është një nga Komunat e rralla të Kosovës ku mësimi do të filloj në të gjitha shkollat, ngase në shumicën e Komunave ka shkolla të cilat nuk do të mund të fillojnë punën me kohë për shkak të problemeve të ndryshme teknike dhe të tjera.

Nevzati ka informuar të gjithë të pranishmit se me tre shtator do të hapet edhe solemnisht shkolla e mesme profesionale e Bujqësisë dhe dy javë më vonë shkolla e Gjimnazit. Po ashtu ka njoftuar drejtorët edhe me rregullimin e dhjetë fushave sportive, që do të filloj së ndërtuari gjatë këtyre ditëve, sikundër që janë kryer procedurat e furnizimit me pajisje për kabinete të informatikës, ku janë ndarë 80 mijë euro për një projekt të tillë

Ndërsa nxënësit edhe këtë vit do të pajisen nga Ministria e Arsimit me tekste shkollore falas, ku shpërndarja e tyre do të bëhet gjatë këtij vikendi nëpër të gjitha shkollat, ku pranimin do ta bëjnë vet shkollat, e nxënësit do t’i kenë të gatshme që në fillim të ditës së parë.

Nevzati, ka informuar se edhe për regjistrim në klasën e dhjetë ka ende vende të lira në shkollën e bujqësisë dhe arteve, ndërsa për herë të parë është plotësuar numri edhe në shkollën teknike bile edhe me nxënës shembullor gjë e cila nuk ka ndodhur viteve të mëhershme, por këtë e kanë bërë kriteret e qarta për numrin e nxënësve nëpër klasa.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit ka falënderuar të gjithë drejtorët, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit se kualitetet e shkollës së sotme në Gjilan, nuk do të mund të ishin ato çfarë janë sikur të mos ishte përkushtimi i të gjithëve.

RCCOLA

Ai tha se edhe pse janë investuar dhjetëra mijëra metra katror me hapësirë shkollore, por përsëri kemi nevoja edhe për një shkollë të mesme dhe për një fillore në zonën urbane, në mënyrë që në të gjitha shkollat të punohet normalisht dhe me standarde.

Mustafa ka thënë se e mira e gjithë këtyre viteve është tradita e krijuar për së miri, që nga regjistrimi në klasën e parë e deri tek matura, sikur që janë krijuar rregulla prej pranimit të kuadrit e deri në pensionimin e tyre.

Ai ka kërkuar përkushtimin edhe më të madh të drejtorëve, mësimdhënësve, nxënësve dhe gjithë komunitetit që arsimimin ta lëvizim përpara fuqishëm për të mirën e gjithë shoqërisë në të ardhmen.

Informohen të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe prindërit e tyre se mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të nis më 2 shtator 2013 (e hënë).

Me këtë rast kryetari i Komunës Mustafa, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nevzati, i uruan një vit të mbarë të gjithë nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe stafit tjetër, duke dëshiruar që ky vit të jetë edhe më i mirë dhe më i mbarë se vitet paraprake./rajonipress/