Mustafa: Deri në fund të vitit pritet të përfundohen mbi 20 projekte kapitale

Gjilan – Qemajl Mustafa të shtunën ka vizituar terrenin sportiv që është pronë e shkollës fillore “Thimi Mitko” projekt ky i dobishëm për shkollën dhe qytetin. Mustafa tha se deri në fund të vitit do të përfundohen mbi 20 projekte ku përfitues do të jenë qytetarët.
Kreu i Komunës Qemajl Mustafa të shtunën ia ka kushtuar projekteve në të cilat po punohet dhe po rregullohet infrastruktura në shkolla, ndriçimi publik dhe infrastrukturë rrugore. Pasi ka përcjellur përfundimin e punimeve të terrenit sportiv në shkollën fillore “Thimi Mitko” Mustafa ka premtuar se deri në fund të vitit do të përfundojnë mbi 20 projekte.
“Në këtë projekt përfitues është komuniteti i Gjilanit, fëmijët, sportistët dhe mbi të gjitha shkolla “Thimi Mitko” e cila ka pasur mungesë të hapësirës sportive. Vlera e projektit arrin në mbi 90 mijë euro, derisa USAID- ka participuar për çka i jam mirënjohës” tha Mustafa.
Mustafa tha se këto projekte janë të mira dhe të dobishme për qytetarin dhe qytetin e Gjilanit. “Mbi 20 projekte janë duke u përfunduar dhe çdo javë do të vizitojmë nga dy projekte”. Mustafa ka vizituar edhe punimet në ndriçimin publik të qytetit investim ky që kap vlerën e mbi 150 mijë eurove ku USAID-i ka investuar 61 mijë euro.
Kompania e cila po kryen punimet në terrenin sportiv “Mabb Construction” me pronar Bashkim Hoxha tha se është i kënaqur me intensitetin e punimeve. Hoxha tha se ky projekt është i kompletuar me të gjitha standardet përcjellëse duke përfshirë klasën verore, lodra për fëmijë, fushën e futbollit, tenisit, volejbollit etj./rajonipress/