Mobi Casa

Mustafa: Agim Ramadani modeli tipik i edukimit kombëtar

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Agim Ramadani është shembulli dhe modeli më tipik i edukimit të mirë kombëtar e njerëzor të njeriut të hapësirës shqiptare. Agim Ramadani është njëri nga shembujt më tipikë të dashurisë së vërtetë për lirinë dhe përparimin e atdheut. Vetëm popujt që kanë dhënë dhe japin dëshmi kulmore për angazhim e vetëmohim siç janë aktet heroike për liri e krijojnë mundësinë që ta shkruajnë historinë e tyre të ndritur e krenare që bëhet mësim i mirëfilltë dhe i përhershëm jo vetëm për ta por edhe për të tjerët në rrethinën e tyre ka thënë Qemajl Mustafa.

Në Zhegër të Gjilanit ka nisur të mërkurën manifestimi “Ditët e Agimit 2013”, që mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa dhe në organizim të Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Këshillit Vendor në Zhegër, që i kushtohet heroit Agim Ramadani.

Të premten ndërkaq manifestimi ka filluar me kremtimin e ditës së shkollës në Zhegër dhe ditëlindjen e heroit Agim Ramadani , për të vazhduar me vendosjen e luleve te shtatorja e Agimit në Gjilan , si dhe për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”, që u mbajt në Zhegër.

Në këtë tubim madhështor merrnin pjesë shumë zyrtarë komunal e qendror, në mesin e tyre Lutfi Hziri, Ahmet Isufi, Rexhep Kadriu, Glauk Konjufca, Ismajl Kurteshi, Izmi Zeka, Naim Rexhepi, Rrustem Berisha, Shukrije Ramadani, Nijazi Idrizi, Ejup Qerimi etj.

Sami Kadriu në emër të Këshillit Organizativ tha se Zhegra ndihet krenare që sot përkujton kolosin e saj.

Kurse kreu i Komunës Qemajl Mustafa tha se Ditët e Agimit është festë e përvjetëshme, është festë e të gjithë neve e cila na bashkon për disa ditë me radhë, është festë e dashur që në vete e ka dhimbjen për mungesën e njeriut tonë të mirë, të thjeshtë, të urtë, të ndritur dhe trim Agim Ranadanit, por më shumë se dhimbjen, kjo festë e mban në vete krenarinë që na e dhuroi Agimi me shkrirjen e tij në themelet e lirisë shqiptare 14 vite më parë.

Mustafa tha se është kjo festë e jona për rikujtimin e punës së veçantë, përherë të palodhshme dhe vetëmohimit deri në rënie të strategut tonë Agim Ramadanit. Është kjo festë kur për ditë të tëra rikujtohet dhe mësohet lavdia historike e Agimit dhe dëshmorëve të tjerë të kombit.

“Agim Ramadani është shembulli dhe modeli më tipik i edukimit të mirë kombëtar e njerëzor të njeriut të hapësirës shqiptare. Agim Ramadani është njëri nga shembujt më tipikë të dashurisë së vërtetë për lirinë dhe përparimin e atdheut. Vetëm popujt që kanë dhënë dhe japin dëshmi kulmore për angazhim e vetëmohim siç janë aktet heroike për liri e krijojnë mundësinë që ta shkruajnë historinë e tyre të ndritur e krenare që bëhet mësim i mirëfilltë dhe i përhershëm jo vetëm për ta por edhe për të tjerët në rrethinën e tyre” ka thënë Mustafa.

UBT

Mustafa ka shtuar se historinë tonë duhet t’a mësojmë e ta dimë të gjithë ne e sidomos duhet ta mësoni e ta dini ju të rinjtë qysh në shkollimin tuaj të hershëm. “Por, nuk mjafton që ta mësojmë vetëm historinë e kombit tonë sepse mbetemi patjetër të mangët. Me shumë kujdes duhet t’i mësojmë së paku pjesët kryesore të historive të kombeve punëtore e të përparuara, të kombeve që herët e sfiduan veten dhe e siguruan lirinë dhe përparimin teknik, teknologjik, ekonomik e kulturor për veten e tyre e pastaj edhe për të tjerët në rruzullin tokësor.

“Në këto orë të mësimit për historinë, hapësirë e veçantë dhe e bollshme duhet t’u kushtohet heronjve e dëshmorëve të spikatur të kombit e në veçanti profilit të luftëtarit e dëshmorit çfarë ishte Agim Ramadani. Vetëm njeriut që e merr përgjegjësinë e plotë për punën dhe jetën, puna i bëhet e lehtë, jeta i bëhet e suksesshme e fundi i bëhet i lavdishëm”.

Plotësisht i tillë ishte Agimi sepse këtë përcaktim e vetëmohim e kishte mësuar nga vepra e kolosit të madh të kësaj malësie Idriz Seferit por edhe nga veprat e rralla që bënë Mulla Idriz Gjilani, Ramiz Cërnica, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Zija Shemsiu si pararendësit e tij dhe të dëshmorëve tanë të luftës së UÇK si Abdullah Tahiri, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti e shumë të tjerë.

Mustafa ka shtuar se e kemi obligim që të gjithë dhe secilën ditë të ardhshme ta forcojmë e ta rrisim lirinë për të cilën u sakrifikuan heronjtë, dëshmorët dhe veteranët e invalidët e luftës tonë për liri. “Vetëm në këtë mënyrë dëshmojmë që fryma e jetës dhe e veprës së Agimit jeton për ditë me ne dhe thellë në ne” ka thënë Mustafa.

Ndërkaq në emër të bashkëluftëtarëve të Agimit ka folur Rrustem Berisha i cili tha se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kanë luftuar për idealin e sotshëm që Kosova të frymojë lirshëm.

Edhe Dom Lush Gjergji tha se vepra e Agimit është plotë dritë e dashuri, andaj respekti për këtë figurë emblematike do të jetë i përjetshëm.

Manifestimi ka vazhduar me programin e pasur kulturo artistik. /rajonipress/