UBT

Musliu: Lëvizja e Progresit Demokratik faktor unifikues dhe vendimmarrës në Bujanoc

/ 5 minuta lexim

Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu në pyetjen e Titulli.com se a është elektorati i partisë së tij në rrezik është shprehur se LPD ishte, është e do të mbetet subjekt politik frymëzues, unifikues e faktor vendimmarrës në komunën e Bujanocit. “Lugina e Preshevës ka dhënë verdiktin për bashkim me Kosovën. Lideri ynë Jonuz Musliu përpjekjet për bashkim me Kosovën i ka filluar qysh nga vitet e 80-ta, duke qenë pjesë e LPK(Lëvizjes për Bashkim Kombëtar) pastaj u aktivizua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kërkesa jonë është e arsyeshme, është natyrale”, tha Musliu në intervistën për Titulli.com. Musliu ka folur edhe për qeverisjen lokale të komunës së Bujanocit dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Titulli.com: Në muajin tetor të vitit 2018 jeni zgjedhur kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik. Si e keni gjetur udhëheqjen e kësaj partie dhe sa jeni të kënaqur me punën që është bërë?

Musliu: Vdekja e liderit të LPD-së, Jonuz Musliu tronditi gjithë shoqërinë shqiptare, sidomos aktivistët e LPD-së. Por, jam i mahnitur me mënyrën se si e kanë menaxhuar gjithë atë periudhë, nënkryetari i LPD-së, Adnan Salihu dhe pjesa tjetër e kryesisë, të cilët sot në cilësinë e kryetarit të subjektit i falënderoj jashtëzakonisht shumë, për kontributin e dhënë që subjekti ynë të mos shpërndahet e as përçahet. Sot jemi rikonsiliduar, dhe bashkërisht jemi duke punuar për përpilimin e një platforme politike, platformë kjo e cila do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për shoqërinë shqiptare të kësaj treve.

Titulli.com: Jeni në bashkëqeverisje në komunën e Bujanocit dhe partia juaj udhëheq disa drejtorate. Si e vlerësoni punën e qeverisjes komunale dhe kuadrove të juaj?

Musliu: Kemi raporte korrekte me partnerët me të cilët po bashkëqeverisim, kemi sigurisht dhe divergjenca, mospajtime e ide të ndryshme, për të gjithë këto bashkëbisedojmë dhe mundohemi të gjejmë atë më të duhurën dhe më të nevojshëm. Sa i përket kuadrove tona, jemi të kënaqur jashtëzakonisht shumë, në çdo javë organizohemi dhe bashkëbisedojmë për të gjitha temat për të cilat ata janë të autorizuar.

Titulli.com: Partia juaj që nga themelimi ka promovuar idenë e bashkimit të Luginës me Kosovë. Sa është reale sipas jush në këtë kohë?

Fidanishtja

Musliu: Lugina e Preshevës ka dhënë verdiktin për bashkim me Kosovën, përmes organizimit demokratik të organizuar më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, gjithashtu është organizuar edhe një ushtri, UÇPMB, e cila ideal kishte këtë qëllim, bashkëngjitjen e kësaj pjese me trungun e saj natyral. Edhe LPD, që nga themelimi i saj vazhdimisht ka artikuluar këtë ide. Madje lideri ynë përpjekjet për bashkim me Kosovën i ka filluar qysh nga vitet e 80-ta, duke qenë pjesë e LPK(Lëvizjes për Bashkim Kombëtar) pastaj u aktivizua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, d.m.th, kërkesa jonë është e arsyeshme, është natyrale. Dhe sot, kur dialogu në mes të Kosovës e Serbisë ka arritur në fazën finale duhet ta shfrytëzojmë këtë moment historik. Unë besoj.

Titulli.com: Në opinionin lokal flitet se një pjesë e elektoratit të juaj po i bashkohet Alternativës për Ndryshim në Bujanoc gjithashtu ka zëra se partia juaj është në rrezik të shuarjes politike. Çka mundë të na thoni për këtë?

Musliu: Çdo subjekt i cili kalon në fazën e reformimit e karakterizojnë ikjet dhe ardhjet. Është normale për ne ky proces, andaj nuk jemi aspak të shqetësuar, jemi duke u konsoliduar dhe riorganizuar. Sa i përket shuarjes politike, e kemi theksuar dhe po e ritheksojmë, se LPD ishte, është e do të mbetet subjekt politik frymëzues, unifikues e faktor vendimmarrës, të jeni të bindur.

Titulli.com: Në zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk keni marrë pjesë si parti ndërsa ju personalisht punon në atë institucion. A po punohet mjaftueshëm në përmbushjen e objektivave që ka KKSH dhe ku ka ngecje më të mëdha?

Musliu: Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, për këtë proces kemi diskutuar e debatuar gjerë e gjatë, me të gjitha nivelet e partisë, pastaj jemi konsultuar edhe me personalitete me ndikim në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dhe si përfundim dolëm me vendim që t’i bojkotojmë këto zgjedhje, me arsyen e vetme; që shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta shfrytëzojnë këtë moment historik, bashkëngjitjen e Luginës me Kosovë. Ndërsa në lidhje me sukseset apo ngecjet e këtij institucioni, është shumë herët që të japim një mendim real e vlerësues./Titulli.com/