Musa: Nëse fiton LDK-ja prioritet do ta ketë arsimin
Gjilan – Dega e LDK-së në Gjilan, më mirë se kurdoherë, është përgatitur t’i fitojë zgjedhjet komunale në vjeshtën e këtij viti dhe e gatshme për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së komunës në mandatin e saj katërvjeçar. Në mandatin qeverisës, LDK-ja do të këtë prioritet kryesor fushën e arsimit në të gjitha nivelet tha Nazmi Musa kryetar i komisionit për arsim në LDK e Gjilanit.
Nazmi Musa në një konferencë për medie të shtunën ka folur për prioritetet e komisionit të arsimit dhe të LDK-së në përgjithësi. “Menaxhimi i dobët, mungesa e hapësirës shkollore, mungesa e kabineteve, fushave e sallave sportive, literatura jo e mjaftueshme për shkollat profesionale, shkelja e ligjeve dhe rregulloreve që drejtojnë fushën e arsimit e , një varg dobësish tjera menaxhuese të kësaj qeverie, kanë shtyrë udhëheqjen e LDK-së që, në bashkëpunim me komisionin për arsim dhe profesionistë të kësaj fushe, të ndërtojë vizion të ri dhe objektiva për një udhëheqje shumë më të mirë të kësaj fushe, duke u mbështetur në reformat dhe praktikat bashkëkohore për edukimin dhe arsimimin e nxënësve tanë” ka thënë Musa.
Sipas tij LDK-ja në mandatin e saj qeverisës, do t’i zbatojë politikat zhvillimore duke filluar nga politika dhe organizimi që mundësojnë zbatim të reformave arsimore , politika dhe planifikimi që përmbushin standardet dhe kërkesat e tregut, politika organizative dhe kritere në sistemin menaxhues dhe të sigurisë në shkolla, zgjedhja e menaxherëve që avancojnë procesin edukativo-arsimor, aplikimi i formave të vlerësimit dhe stimulimit për menaxhim të mirë, promovimi dhe zhvillimi i arsimit dhe drejtimeve profesionale në harmoni me kërkesat e tregut, kompensimi i udhëtimit për arsimtarë të profileve deficitare , si dhe organizimi i transportit për udhëtimin e nxënësve në largësi mbi 4 kilometra nga shkolla.
Musa ka përmendur edhe pikat tjera siq është ndërtimi i shkollave me hapësirë standarde dhe sallave të ed. fizike. Bursa për studentë, nxënës dhe sportistë më të mirë dhe stimulimi i manifestimeve dhe garave me karakter komunal dhe regjional, sigurimi parashkollor, fillor dhe atij të mesëm për grupet etnike ( turq, serbë, romë), dhe arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta.
Sipas Nazmi Musës nga një vizion i qartë dhe politika të drejta zhvillimore në këtë fushë, LDK do të synojë objektivat për një udhëheqje, menaxhim e administrim funksional dhe cilësor në të gjitha nivelet, duke ndërmarr një varg detyrash e veprimesh, të parapara në Plnain zhvillimor. “Bashkëpunimi publiko –privat në përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor dhe ofrimi i shërbimeve cilësore, ngritja e cilësisë dhe gjithë përfshirje të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, përgatitja dhe zhvillimi profesional i vazhdueshëm i mësimdhënësve, krijimi i mjedisit miqësor, të shëndetshëm dhe të sigurt për të gjithë”.
Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së me vëmendje dhe përkushtim ka përcjellë proceset e zhvillimit të arsimit në komunë dhe kemi caktuar prioritetet, projektet për të gjitha institucionet e arsimit në komunë dhe kohën e realizimit të tyre për qeverisjen e ardhshme. Natyrisht, se me përcaktimin e prioriteteve dhe projekteve, që nuk janë të vogla, kemi përcaktuar edhe planin buxhetor të investimeve në arsim me një parallogaritje prej 8,475.150 euro.
Musa tha se një pjesë e këtyre mjeteve do të ndahen për ndërtim të shkollave të reja në fshatra dhe në qytet, anekseve shkollore, renovimeve të objekteve, sallave të edukatës fizike, që kapin shumën në një vlerë parallogaritur, 6,213.750 euro.
“Duke pasur për objektivë inkuadrimin e sistemit të arsimit në sistemet tjera të përparuara dhe reformat bashkëkohore në arsim dhe ngritjen e cilësi së mësimit , kemi paraparë edhe investimet në pajisjen e kabineteve, bibliotekave, ngritje dhe zhvillime profesionale të mësimdhënësve, infrastrukturë, mirëmbajtje të ambientit, sanitari, ngrohje qendrore po, edhe për vende të punës për pedagogë e psikologë nëpër disa shkolla, kryesisht në qytet, që kapin një shumë të parallogaritur në vlerë të 2,261.40 euro” tha Musa./rajonipress/


