UBT

Muqolli: Do të punojë me përkushtim që LDK-së t’i kthehet pozicioni dhe shkëlqimi që e kishte në kohën e Rugovës

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Halim Muqolli tashmë edhe zyrtarisht është zgjedhur kryetar i degës së katërtë të LDK-së. Inkuadrimi i Halim Muqollit dhe marrja e përgjegjësive brenda LDK-së po konsiderohet si një “bombë” pozitive dhe si një vlerë e cilësi e kyçjes së kuadrove të reja në këtë subjekt politik. Halim Muqolli ka pasur pozita të rëndësishme në kohën studentore duke qenë kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (1992- 1994), pastaj kryeredaktor në “Bota e re” (1995). Ka të kryer Fakultetin Ekonomik dhe masterin për administrim e biznes në UBT dhe atë teknik në Vjenë. Po si e sheh Halim Muqolli LDK e tanishme dhe atë të ardhmen, çka thotë ai për koalicionin LDK-PDK, cili është koncepti i Muqollit për zgjedhjet e ardhshme dhe pse ai mendon se LDK-ja do të fuqizohet edhe më shumë. Si mund ta rikthejë pushtetin LDK-ja në Prishtinë etj.

Shkaktojë “tërmet” pozitiv zgjedhja e tij në krye të degës së katërtë të LDK-së në Prishtinë. Shumë medie e analist kanë pyetur për “bombën” e Muqollit që eliminoj nga skena politike veteran e veprimtar shumëvjeçar.

Halim Muqolli me të drejtë po konsiderohet shpresa dhe e ardhmja e LDK-së së Kosovës. E veçanta e këtij kuadri të ri të LDK-së nuk janë postet apo pozitat në parti, por fuqizimi i LDK-së dhe promovimi e kthimi i LDK-së së dikurshme kur shkëlqente në kohën e Ibrahim Rugovës.

Halim Muqolli për rajonipress flet për angazhimin e tij konkret në strukturat e LDK-së dhe për mundësinë që ai së bashku me kuadrot e reja të kthejë namin e dikurshëm që kishte LDK-ja.

Muqolli thotë se së pari i është falënderues anëtarësisë së LDK-së që kanë shprehur besimin se ai mund t’i përfaqësoj në mënyrë të denjë idetë, pikëpamjet dhe aspiratat e anëtarësisë së Degës së katërt të LDK-së dhe se mund t’i prij kësaj dege.”Unë e kam konsideruar si nder që kam pasur rastin të bëhem pjesë e partisë së parë politike me orientim të qartë kombëtar, partisë së parë demokratike në hapësirën shqiptare pas periudhës së errët të komunizmit, partisë që për dy dekada e gjysmë e ka artikuluar në mënyrë shembullore aspiratën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. E konsideroj nder, por edhe përgjegjësi, të qenit pjesë e partisë që ka shkruar faqet më të ndritshme të historisë së veprimit politik në Kosovë, pjesë e partisë së themeluar nga personalitetet më të shquara të kohës, nga bota e kulturës, artit e dijes, partisë së cilës i ka dhënë kuptim dhe shkëlqim lideri historik i saj dhe i gjithë Kosovës, Ibrahim Rugova.
E konsideroj nder dhe përgjegjësi të madhe edhe të qenit anëtar dhe pjesë e strukturës drejtuese të Degës së Katërt të LDK-së, pa dyshim degës më përfaqësuese në Kosovë, në kuptimin rajonal, profesional e social. Në strukturën organizative të degës sonë janë të përfshirë figura të shquara të jetës politike e publike, njerëz të botës akademike, ekspertë të të gjitha fushave dhe, mbi të gjitha, aktivistë të palodhshëm dhe qytetarë të ndershëm” thotë Muqolli.

Fundamenti

Muqolli thotë se anëtarët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, kanë përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, të vazhdojnë punën për realizimin e plotë të projektit politik të Presidentit Rugova, të zbërthyer në togfjalëshin “Liri, Pavarësi, Demokraci”, që shpreh në kuptimin e tij të plotë aspiratën shekullore të popullit të Kosovës. “Edhe sot e kemi obligim t’i kujtojmë e nderojmë të gjithë anëtarët e devotshëm të LDK-së, në të gjitha nivelet e organizimit të saj, që ishin vënë në shërbim të projektit politik të LDK-së, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i vuanin, ata vetë dhe familjet e tyre. Dhe ata janë shumë, janë qindra e mijëra, pothuaj në secilën shtëpi, në secilën lagje, në secilin cep të Kosovës. Sot e kemi detyrë të punojmë me përkushtim që Lidhjes Demokratike të Kosovës t’i kthehet pozicioni dhe shkëlqimi që e kishte në kohën e Rugovës e të bashkëpunëtorëve të tij. LDK-ja ka potencial të dalë përsëri e para dhe ta fitojë besimin e qytetarëve të Kosovës për udhëheqjen e vendit”.

Duke folur për koalicionin LDK – PDK, Muqolli thotë se vitin e fundit LDK-ja është detyruar të marr një vendim të rëndë, për bashkëqeverisje me PDK-në. “Nga dëshira e madhe për ta bërë distancën nga partia që është identifikuar me keqmenaxhimin dhe të keqen, ne pothuajse e shndërruam në kauzë kërkesën “Jo me PDK-në”. Kjo tani për LDK-në, mund të shërbej vetëm si mësim për të ardhmen, që përderisa sistemi aktual zgjedhor na e imponon, dhe interesi shtetëror e kërkon, objektiv i joni i vetëm duhet te jetë që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen ato, të fitojë dhe të jetë ajo partia që zgjedh partnerët për qeverisje. I mbetet qeverisë dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, si kryeministër, dhe përfaqësuesve tjerë të partisë në qeveri, në veçanti ata të sektorëve ekonomik, t’i bëjnë një favor të madh LDK-së, me rezultatet e institucioneve që i drejtojnë” është shprehur Muqolli.

Muqolli shton se para anëtarësisë së LDK-së, sidomos para strukturave drejtuese të forumeve të partisë, shtrohet nevoja e avancimit të veprimit politik. “Besoj se tani është koha që LDK-ja të vazhdojë reformat, të demokratizohet plotësisht dhe të bëhet parti moderne evropiane. Po ashtu, besoj se ka ardhur koha që edhe zgjedhjet brenda LDK-së të zhvillohen sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës japin shenja të tendencës së rritjes graduale të hapësirës për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Siç po shihet, disa parti po humbin përditë ngapak besimin e qytetarëve dhe ky është një rast i përshtatshëm për forcimin e pozicionit të LDK-së. Mendoj se kjo mund të arrihet duke shtuar llogaridhënien para anëtarësisë së partisë dhe duke rritur përfshirjen e sa më shumë të rinjve në forumet e partisë” ka shtuar Muqolli.

Po si e sheh Muqolli qasjen dhe nevojën për ndryshime. “Në mbledhjet formale dhe në tubimet joformale me drejtues e anëtarë të nëndegëve të Degës së Katërt kam kuptuar nevojën për ndryshimin e qasjes ndaj anëtarësisë së gjerë. Para së gjithash, e kam kuptuar se anëtarët e strukturave drejtuese të partisë, sidomos përfaqësuesit e degës, duhet të jenë më pranë anëtarësisë, të njihen me hallet, shqetësimet e preokupimet e tyre, por edhe t’i dëgjojnë idetë, propozimet e sugjerimet e tyre. E kam kuptuar se jo vetëm anëtarët e LDK-së, por të gjithë qytetarët, janë shumë të irrituar nga praktika që një person të mbajë më shumë funksione. Është përceptim i përgjithshëm se partia është e disbalancuar për nga ndikimi politik i një grupi të kryetarëve të Degëve që i mbajnë në të njëjtën kohë disa funksione shtetërore e politike. Në këtë mënyrë ata ua zënë frymën kuadrove tjera të Degëve, humbin lidhjen me qytetarin dhe bllokojnë debatin e brendshëm. Ne, nga ky Kuvend duhet të fillojmë të japim shembullin e mirë që mund t’i shërbej si standard edhe kolegëve të Degëve tjera. Ne nuk do t’i përfshijmë në listat e propozimeve për kryesi të Degës dhe delegatë të Kuvendit Qendror njerëzit e njëjtë. Si kryetar i ardhshëm i Degës nuk do të kërkoj pozita tjera në parti, hiq pjesëmarrjen sipas detyrës. E gjithë kjo bëhet në mënyrë që të krijohet hapësirë për përfshirjen e sa më shumë njerëzve. Për më tepër, unë nuk do të kërkoj mandat tjetër, dhe do të punoj që pas 4 viteve, të vijnë në shprehje kandidatë që i përgjigjen nevojave të kohës”.

Si mendon Halim Muqolli që mund të kthehet pushteti i LDK-së në Prishtinë. “Degën e IV-të, por edhe Degët tjera të Prishtinës i pret punë e madhe në funksion të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme lokale. LDK-ja duhet ta kthej pushtetin në Prishtinë dhe duhet të bëhet plan i veçantë nga Kryesia e partisë dhe Kolegjiumi i Degëve. “Vetëvendosje” ka dëshmuar se pushteti edhe ndodhë që të merret me premtime, por, nuk mbahet me to. Ajo, po dëshmon se nuk ka kompetencë profesionale për udhëheqje të institucioneve shtetërore dhe se ideologjia e saj nuk i shërben për gjë interesave të prekshme të qytetarit. Neve na mbetet ta kultivojmë një mënyrë tjetër të të bërit opozitë ndaj tyre. Ne nuk do të shajmë e nuk do të thejmë, ne do t’i ofrohemi qytetarit. Në kuadër të Degës do të formohen grupe profesionale të fushave të ndryshme, si ai për Arsim, Kulturë, Shëndetësi, Infrastrukturë e Urbanizëm, Zhvillim ekonomik dhe të tjera sipas nevojës. Këto komisione do të merren me identifikimin e problemeve dhe dështimeve të qeverisjes aktuale të Prishtinës, si edhe me identifikimin e interesave dhe nevojave të qytetarëve. Besojmë se analizat dhe konstatimet e këtyre grupeve do të jenë me interes për hartimin e programit zgjedhor të LDK-së për Prishtinën. Po ashtu, besojmë se gjatë punës në këto grupe do të zhvillohen dhe afirmohen njerëz që mund të jenë drejtues të sektorëve të ndryshëm të qeverisjes apo të institucioneve shtetërore a publike” ka përfunduar Halim Muqolli./rajonipress/