ARKATANA

Mungesë kreativiteti

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi- Kur kemi parasysh se ofertat e partive politike nuk ndryshojnë shumë nga ato të para katër vjetësh, gjithsesi se imponohet pyetja: çfarë bënë ato deri më tani dhe pse nuk ofrojnë diçka që më herët nuk e kemi dëgjuar?

Po ndryshojnë vetëm milionat, e asgjë tjetër. Kjo është panorama e fushatës parazgjedhore. Janë të pakta rastet kur elektoratit i premtohet diçka më shumë se ajo që iu kishte thënë para katër vjetësh. Pak ndryshim kanë vetëm partitë e reja, të cilat për herë të parë po hyjnë në këtë garë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia e Fortë.

Duket qartë se partitë që me vite të tëra janë në garë për vota dhe karrige janë duke u stërkequr. Nuk kanë bërë asnjë lëvizje, qoftë edhe brenda tyre. Në garë janë futur me kandidatët e njëjtë, disa edhe në moshë dhe pa pikë invencioni e kreativiteti, sërish po përsëritin investimet në infrastrukturë, në arsim e shëndetësi, përmirësim të ambientit për biznes dhe administratë më efikase. Asgjë e re!

Krejt çështja qëndron në faktin se fushata parazgjedhore, pro edhe programet e e partive politike në garë janë shabllonizuar. Më shumë përshkohen me fjalë të mëdha dhe numra me gjashtë, apo shtatë zero, por pa dhënë diçka konkrete- asnjë projekt i tyre nuk ka emër e mbiemër; nuk tregon se ku do të investohen ata shumë miliona, apo prej ku buron krejt ky potencial i ri që po hyn në treg.

ARKATANA

Gara me fjalë të mëdha, që në fund mbesin premtime boshe, nisë edhe nga mungesa e llogaridhënies. Kandidatë që për katër vjet kanë shfrytëzuar të gjitha të mirat dhe beneficionet që i jep kolltuku i pushtetit, nuk kanë treguar se çfarë kanë bërë deri më tash. Madje, këtë llogari nuk ua ka kërkuar as partia, e kryetari i partisë që ata i ka nominuar. Ata sërish flasin për rrugët që nuk i kanë nisur tash e katër vjet, apo për sasinë më të madhe të ujit, e ambient pa bërllok, të cilin edhe më tutje vazhdojnë ta kenë pas derës. Dhe kur i kemi parasysh të gjitha këto çështje, duket e qartë pafytyrësia, meqenëse gara me projekte të njëjta është dashur të nisë pas balancimit të të arriturave dhe vlerësimit të arsyeve për mospërmbushjen e premtimeve mbi të cilat është arritur fitorja. Kjo qasje do t’iu ndihmonte edhe partive, meqenëse duke bërë këto analiza do të kishin mundësi të identifikojnë gabimet, apo edhe të gjejnë garues të ri, të cilët nuk janë konsumuar nga premtimet e kota. Por, për fat të mirë të partive votuesit ende veprojnë sipas inercionit dhe “besës së dhënë” dhe nuk merren shumë me kandidatë, apo që të analizojnë atë që iu ofrohet. Po të kishin këtë vështrim, atëherë gara elektorale do të dukej krejt ndryshe- me shfletim të mundësive dhe me kandidat që duhet të dëshmohen në garë. Këtu qëndron edhe arsyeja pse partitë nuk ofrojnë asgjë të re dhe pse hyjnë në lojë me kandidatë të shpenzuar nga mosveprimi.
Këtu duhet dalluar dy partitë, të cilat sivjet nuk po lejojnë që fushata të kalojë krejtësisht në monotoni. Është Lëvizja Vetëvendosje, e cila duket se kryesisht është fokusuar në Prishtinë, ku është më agresive dhe ka një ofertë më të konkretizuar. Për dallim nga partitë e tjera, oferta e saj është më e qartë, më shumë merret me qytetarin dhe me problemet konkrete të tij, si është uji, banimi, ambienti, trafiku, apo edhe pastërtia e ambientit. Sado që këtu nuk përmenden shumë miliona, megjithatë, nuk është lehtë të zbatohen këto ide, meqenëse shumëçka duhet të nisë nga ambientin e degraduar me vite të tëra, si edhe duhen shumë para.

Është vështirë të identifikohet oferta serioze e Partisë së Fortë, meqenëse qasja e saj është larg realitetit, përkatësisht shkon deri në pamundësinë e realizimit të asaj që premtojnë. Mirëpo, ajo ka një veçori, të cilën deri më tash nuk e ka sjellë askush në tregun zgjedhor të Kosovës –sarkazmin dhe ironinë. Ndonëse paraqitjet e kandidatëve të kësaj partie duken joserioze, ata në mënyrë të sigurt janë duke shkuar kah synimi që të dëshmojnë se sa joserioz janë kandidatët e partive të tjera, të cilët flasin për gjëra që nuk mund t’i bëjnë, apo edhe nuk kanë ditur se si t’i bëjnë deri më tani. Por, edhe oferta e PF-së duhet të kuptohet seriozisht- ky është programi i saj. Ndërkaq, seriozitetin e saj duhet kërkuan në një kënd tjetër: PF-ja po mundohet ta dëshmojë se sa joserioz është i tërë procesi zgjedhor; sa të papërgjegjshëm janë kandidatët me premtimet që japin; dhe, sa anomali a defekte ka në mënyrën e funksionimit të shtetit. Posaçërisht , kur po vërehet se partitë (veterane) në garë kanë nxjerrë edhe kandidatë që nuk i kanë të qarta kompetencat dhe përgjegjësitë e pushtetit lokal dhe të atij qendror.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)