Eko Higjiena

Mulla Nusret Hajdari – hoxhë atdhetar, që ra për lirinë e Kosovës

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Historia e lavdishme e popullit shqiptar është e mbushur plotë e përplot me data dhe vepra të personaliteteve, që me kontributin e tyre kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ngjarjeve të cilat në mënyra të ndryshme ishin të lidhura me fatin e popullit. Për Kosovën, e tillë ishte edhe periudha e viteve të ’90-ta, të shekullit XX, kohë kjo e cila kishte arritur kulmin e zgjimit kombëtar për t’u organizuar në luftë për liri e pavarësi, kundrejt okupatorëve të cilët kah do që shkonin, bënin dhunë, terror, vrasje e agresion ndaj popullit shqiptar. Sot, ne banorët e fshatit Dobërçan, në 20-të vjetorin e çlirimit të Kosovës, me dhembje dhe krenari përkujtojmë 13 qershorin e vitit 1999, datë në të cilën ra dëshmorë për lirinë e Kosovës, Mulla Nusret (Fejzullah) Hajdari.

Hoxhë Nusreti u lind më 1 tetor 1968 në fshatin Dobërçan të Gjilanit, në një familje me traditë kombëtare e fetare. Të parët e hoxhë Nusretit janë me origjinë prej fshatit Çarr të Malësisë së Bujanocit, të cilët u shpërngulën në fshatin Dobërçan të Gjilanit në vitet e ’50-ta. Gjyshi i tij, haxhi Sylejmani, njihej si prijës i fisit, pajtimtar i gjaqeve, patriot dhe njëri ndër vullnetarët e Malësisë së Hashanisë, në mbrojtjen e kufirit lindor të Kosovës me Serbinë.

Mulla Nusret Hajdari, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin shkollor 1988/1989, mbaroi medresenë e mesme “Alaudin” në Prishtinë. Pas mbarimit të medresesë u angazhua për një kohë të shkurtër në detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Pogragjë, ku e ndërpreu për shkak të shkuarjes në shërbimin e detyruar ushtarak jugosllav të asaj kohe. Pas kthimit në vitin 1991, për një vit u emërua imam në xhaminë ‘’Atik’’ të Gjilanit, ndërsa, që nga viti 1992, emërohet imam i rregullt në xhaminë e poshtme të fshatit Dobërçan, ku shërbeu deri në momentet e fundit të rënies së tij për lirinë e Kosovës me 13 Qershor 1999.

Hoxhë Nusreti, si duket kishte ndjekur idealet e atdhetarit të madh Mulla Idriz Gjilanit, i cili dikur moti pati thënë se: “S’ka Fe pa Atdhe”, andaj edhe angazhimi i tij në kohët më të vështira për popullatën e fshatit tonë ishte për t’u dalë në mbrojtje dhe t’i përmbushë detyrat që i takojnë një prijësi të devotshëm kombëtar e fetar, ashtu siç ishte Ai. Kjo veprimtari patriotike e hoxhë Nusretit, u kishte penguar armiqve serbë, andaj edhe e vranë në krye të detyrës, me 13 Qershor 1999, kur e panë se nuk tërhiqej dot nga angazhimi dhe idealet e tij dhe të shokëve me të cilët angazhoheshin së bashku. Në momentet kritike, së bashku me hoxhë Nusretin ishte edhe mësuesi Basri Bislimi, i cili mbeti i plagosur së bashku me kushëririn e hoxhës, Hafiz Hajdari si dhe rrahën e malltretuan aktivistin Hamdi Kastratin, haxhi Januzin, dhe disa familjarë e bashkëfshatar të tjerë.

Në të njëjtën ditë, kur forcat militare e paramilitare serbe e sulmuan Dobërçanin gjatë tërheqjes së tyre për andej nga kishin ardhur si pushtues shekuj më parë, ata dogjën edhe xhaminë e epërme të fshatit Dobërçan, e cila ishte njëra ndër xhamitë më të vjetra të Kosovës, e ndërtuar rreth vitit 1527. Banorët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, për t’u strehuar në periferi të fshatit, e më pas një pjesë e madhe e tyre natën e kaluan në fshatin Malishevë të Gjilanit.

Mobi Casa

Hoxhë Nusreti u varros të nesërmen më 14 qershor 1999, në kushte të jashtëzakonshme dhe pa ndonjë ceremoni të madhe, për shkak se situata ende ishte e me plot rreziqe dhe nuk kishin lejuar që pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të ishte e madhe dhe se duhej të kryhej sa më shpejtë.

Pas përfundimit të luftës, fshati Dobërçan i nderoi dëshmorët Mulla Nusret Hajdarin dhe Mehmetali Behlulin, duke ndërtuar Parkun e Dëshmorëve, në të cilin është ngritur lapidari, ndërsa në vazhdimësi në përvjetorët e tyre ka organizuar dhe vazhdon të organizojë aktivitete me të cilat përkujtohet jeta dhe vepra e tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për sakrificën e tyre sublime, për të na sjellë lirinë e cila u fitua edhe me gjakun e tyre të njomë.

Edhe sot, në këtë 20 vjetor, aktivist, kryetarët e nëndegëve të partive politike, xhemati i dy xhamive në krye me imamin e xhamisë së epërme, familjarët e dëshmorit Mehmetali Behlulit dhe shumë bashkëvendës të tjerë, nderuan jetën dhe veprën e hoxhë Nusretit, duke bërë homazhe pranë varrit të tij, si dhe duke vizituar familjen.

Lavdi jetës dhe veprës së Mulla Nusret Hajdarit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës!

Rexhep H. Arifi, Dobërçan