Mujotës mund t’i bëhen rrugët për ski

Në rast se do të fillojë të bjerë borë pandërprerë për disa ditë në Kosovë, atëherë rrugët e vendit mund të shndërrohen në rrugë skijimi. Kjo pasi që Ministria e Infrastrukturës (MI) e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk ka arritur të nënshkruajë ende kontratën me operatorin ekonomik “Pagarusha”, e cila është rekomanduar për kontratë për furnizim me kripë industriale.
E gjithë kjo pengesë është bërë pas ankesës që ka bërë kompania “Pro Biznes” e cila pretendon se i është bërë e padrejtë në këtë tender, pasi që, sipas tyre, kanë qenë më të lirë përreth 200 mijë euro në krahasim me kompaninë “Pagarusha” e cila është rekomanduar për kontratë nga zyra e Prokurimit në MI.
Kjo ministri më 10 dhjetor kishte përzgjedhur kompaninë “Pagarusha – N” në tenderin “Furnizim me kripë industriale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës 2013/2014 – ritender” në vlerë prej 1 milion e 96 mijë e 562 euro. Por nënshkrimin e kontratës deri më tash e ka pamundësuar kompania tjetër “Pro Biznes” e cila ka bërë ankesë më 20 dhjetor në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik me arsyetimin se i është bërë e padrejtë, përderisa nuk ka arritur të marrë përgjigje brenda afatit të paraparë deri më 30 dhjetor nga OSHP…(Tribuna).