Muhaxheri kritikon ndarjen buxhetore për komunat: S’mbahet shteti me vitra – 700 milionë € mbesin të pashfrytëzuara

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka dëmtuar komunat e Kosovës të cilat nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, me ndarjet buxhetore që ka bërë ekzekutivi për vitin 2013, është bërë në baza partiake, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Muhaxheri ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dhënë dy mesazhe, atë politik dhe ekonomik.Teksa ka folur për këtë, Muhaxheri u shpreh se Qeveria po tenton ta frikësojë qytetarin se nëse nuk udhëheq partia e tij me atë komunë, nuk do të ketë buxhet të mjaftueshëm.

Sipas Muhaxherit, shumica e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale do të shkojë për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.“Qeveria e Kosovës me ndarjen e buxhetit nëpër komunat e ka dhënë një mesazh politik dhe jo vetëm ekonomik. Mesazhi politik është sepse ai me këtë buxhet i ka frikësuar qytetarët se nëse nuk më votoni për neve, komunat që nuk i keni votuar nuk do të kenë buxhet të mjaftueshëm. Ndërsa në komunat ku ka fituar VV-ja, është ndarë 52 për qind e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale, dhe kjo tregon jashtëzakonisht qartë se ka është e orientuar dhe si po hakmerret kjo Qeveri ndaj qytetarëve të cilët nuk e kanë votuar në zgjedhjet e fundit lokale. Realisht me këtë ndarje i ka dhënë dy mesazhe, mesazhin politik dhe mesazhin ekonomik, duke tentuar t’i varfërojë komunat duke mos i shpërndarë buxhet”, u shpreh Muhaxheri, duke thënë se problem për komunat do të jetë premtimi që kanë dhen kryetarët për investime kapitale.

“Shumica e projekteve që i kanë bërë komunat i mbesin që t’i trajtojë këto probleme, sepse me aq mjete sa ka ndarë Qeveria, nuk mjafton për t’i finalizuar të gjitha ato projekte të cilat i kanë planifikuar, prandaj secila komunë që ka pësuar nga ndarja buxhetore, duhet të mbështetet në forcat e veta, për të pasur mundësi që t’i trajtojnë dhe t’i rregullojnë projektet e nisura ose të reja”, tha tutje ai.

Duke folur për gjendjen ekonomike në vend, Muhaxheri thotë se Qeveria nuk duhet të qëndrojë duarkryq.

Shqetësuese për të është edhe kërkesa e qytetarëve për të marrë kredi konsumuese.“Gjendja ekonomikisht është jashtëzakonisht e rëndë. Vet fakti që kriza ekonomike e ka rënduar jo vetëm Kosovën por e ka rënduar edhe Evropën, por kjo nuk do të thotë që Qeveria duhet të qëndrojë duarkryq dhe të mos veprojë asgjë në raport me krizën që është krijuar në Kosovë. Është krizë e thellë, e rëndë dhe qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me një inflacion të jashtëzakonshëm, ku një prej indikacioneve kryesore është kërkesa e madhe e qytetarëve për të marrë kredi. Ky është alarmi thelbësor që tregon se sa vështirë është gjendja ekonomike në Kosovë, e madje po marrin kredi konsumuese, e kjo është akoma më alarmuese si gjendje ekonomike, ndërsa në buxhetin e Kosovës qëndrojnë 700 milionë euro pa vënë në përdorim të interesit të qytetarëve”, thotë ai për EO.

Muhaxheri ka pasur kritika edhe për ndarjet e mjeteve nga pakot e ndryshme dhe mbajtjen e 700 milionë euro në llogari të Qeverisë.

Sipas tij, mbajtja e këtyre mjeteve në kohën e inflacionit, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet vendit.“Ndonëse kriza është globale, Qeveria duhet t’i marr masat e brendshme sepse ka dy llojeve të krizave; janë ato që ndikojnë nga faktorët e jashtëm dhe faktorët e brendshëm. Aktualisht ne jemi duke u sulmuar nga faktorët e jashtëm që nuk varen prej neve, por ajo që varet prej neve është se çfarë masa po marrin për t’u mbrojtur nga sulmet e faktorëve të jashtëm në fushën ekonomike, dhe ne nuk jemi bërë asgjë”, tha Muhaxheri.

Ai ka propozuar që këto mjete t’i fusë në funksion me rritjen e pagave dhe ta ndihmojë sektorin privat.

Thotë se në Kosovë ka pasur shpërndarje të vitrave me nga 100 euro për kategori të ndryshme.“Ajo çka duhet të bëjë Qeveria është që këtë 700 milionë që është duke qëndruar në llogari të Qeverisë, duhet ta vë në funksion, dhe e dyta t’i rrisë pagat në sektorin publik për vlerën e rritjes së inflacionit, pra minimalisht aq duhet të rriten për të pasur një stabilitet ekonomik dhe të qëndrueshëm, po ashtu edhe ta ndihmojë sektorin privat për të pasur mundësi edhe ata të bëjnë rritje pagash të punëtorëve të tyre, dhe asnjëra prej tyre nuk është duke ndodhur në Kosovë, ajo që po ndodh është shpërndarja e vitrave, nga 100 euro për kategori të ndryshme që e nuk e lehtëson aspak situatën e rëndë ekonomike”, u shpreh tutje Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, mbajtja e këtyre mjeteve në llogari bankare të Qeverisë është bërë për të vetmin qëllim, që në publik të dalë si “Qeveri që rrit buxhetin”.“Është qëllim politik, pra mbajtja e 700 milionë eurove në llogarinë e Qeverisë pa i vu në funksion, ka edhe një mesazh politik që dëshiron që të tregojë në një farë forme ‘muskuj’ që unë e rrita buxhetin në këtë vlerë që nuk ka qenë kurrë më herët. Natyrisht kur shtrenjtohen të gjitha çmimet, buxheti domosdo rritet në atë formë, por nuk është ideja aty dhe menaxhimi i mirë nuk bëhet duke i ruajtur ato por duke i shpenzuar dhe si po i shpenzon ato. Unë mendoj se Qeverisë i mungojnë ekonomistët e mirë dhe si rezultat i kësaj, ne e kemi këtë gjendje të rëndë ekonomike”, u shpreh ai.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS