“Mrekullitë” e vogla të një regjioni të madh
Gjilan – Gjilani gjithmonë i ka pasur karakteristikat e veta, me të cilat është identifikuar ndër vite dhe deri në ditët e sotme. Bukuritë e tij konsiderohen Kalaja e Pogragjës, shpella e Resulës, burimi në Pidiq, lumi Llapusha në Pogragjë, liqeni i Përlepnicës, Guri i Shpuem, shpella në Bresalc, Tumat ilire, gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh, hanet dhe mullinjtë e tjera. Objekt mjaft i lashtë dhe i rëndësishëm në Gjilan, është Kalaja e Pogragjës.
Llogaritet të jetë e vjetër mbi 15 shekuj. Kalaja është bërë në një vend shumë tërheqës për vizitorë. Vendi ku ekziston kalaja, është shumë karakteristik. Thonë se prej aty shihet kalaja e Artanës, që dëshmon se kalatë kanë komunikuar mes vete. Objekt me vlerë dhe mjaft interesante për t`u vizituar, është edhe shpella e Resulës, që sipas legjendës, e ka daljen në rrethinat e Kumanovës.
Thuhet se këtë korridor e ka përshkuar tej për tej një zagari, që po ndiqte pas një lepur. Një atraksion i vërtetë janë edhe burimi në Pidiq, lumi Llapusha në Pogragjë dhe liqeni i Përlepnicës. Guri i Shpuem, mbi Përlepnicë, përngjan me një gojë të etur, e cila pret të pijë ujët e liqenit. Shpella në Bresalc, e cila është zbuluar së voni, pret të hulumtohet më tutje, që korridoret e saj të bëhen të depërtueshme për vizitorë.
Tumat ilire në Llashticë, që janë të rëndësishme për kulturën ilire dhe patjetër edhe atë shqiptare, i takojnë epokës së hekurit. Riti i varrimit në tuma qe shfaqur për herë të parë në epokën e bronzit. Ndërsa në epokën në vazhdim, në atë të hekurit, numri i varrezave të tilla është shumë i madh. Tumat ilire të Llashticës janë zakonisht disa kodra të vogla në rrafshina, të përbëra nga gurë e dhe. Njëra prej tyre që nuk është hulumtuar ka një sipërfaqe prej 800 m/2 (20×40 m). Mrekulli në vete janë edhe gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh dhe të tjera. Në komunën e Gjilanit janë të njohura edhe Hani i Fetah Qerimit në Verbicë të Zhegocit dhe Hani i Ajvaz Sylës në Bresalc. Hani i Fetah Qerimit, që ka mbetur ekzemplari i vetëm në këtë anë, nuk ka humbur asgjë nga origjinaliteti, por ka nevojë për një renovim të shpejtë, për faktin se ka filluar të shkatërrohet. Mullinjtë kanë qenë shumë të përhapur në komunën e Gjilanit.
Kishte fshat me dy-tre mullinj, siç ishte Përlepnica e Cernica e ndonjë edhe më tepër, si Vërbica e Zhegocit që kishte 7 mullinj. Mullinjtë në Pidiç, Miresh, Livoç i Epërm dhe Verbicë e Zhegocit janë ndër të rrallët që punojnë edhe sot. Edhe qyteti i Gjilanit i kishte dikur mullinjtë e tij, por sot nuk ekzistojnë më. Veç mullinjve, në Gjilan kishte edhe çezma, ku uji sillej nga largësi të mëdha me gypa prej dheu.
Në qytet sot funksionon Çezma e Balecit. Çezmat më të njohura të qytetit kanë qenë Çezma e Lilit, Çezma e Okllapëve, Çezma e Agushagëve dhe Çezma e Ilaz Beut. Çezma e Lilit, njihet ndryshe si Çezma e Petigocit. Në fshatra ka shumë çezma edhe sot, po më pikantja mbetet çezma e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme. Edhe hambarët, koshat, plemet kanë rëndësi të madhe për arkitekturën e këtij rajoni. Hambarët punoheshin me dru, sikundër edhe koshat. Shërbenin për mbajtjen e drithërave. Plemet janë ndërtuar gjithashtu me dru, por themelet e tyre kanë qenë prej gurësh. /rajonipress/