MPJ – Ministria për Punësimin e Jaranëve

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po planifikon që ta dërgojë në stafin diplomatik të Kosovës edhe njërin nga këshilltarët e tij. Në vazhdën e punësimeve të anëtarëve të kabinetit të tij, ai së shpejti do ta dërgojë si ambasador në Bruksel këshilltarin e tij politik, Gëzim Visoka.
Burime të besueshme të “Zërit” brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë treguar se kryediplomati kosovar tashmë ia ka “vënë syrin” Ambasadës së Kosovës në Belgjikë, dhe se ka vendosur që për ta rehatuar këshilltarin e tij ta “sakrifikojë” ambasadorin aktual, Ilir Dugolli.
“Ministri e ka vendosur që këshilltari i tij, Gëzim Visoka, të bëhet ambasador në Bruksel. Përveç se është staf politik, Visoka është shumë i ri në moshë, dhe nuk ka asnjë ditë përvojë pune si ambasador. Qëllimi është që të futet në mesin e stafit diplomatik, e pastaj të zhvillohet aty si diplomat. Përveç kësaj, Visoka e ka bashkëshorten në punë në Bruksel…”, thotë burimi i gazetës.
Ndërkaq, sipas burimit, ministri Enver Hoxhaj po planifikon që ambasadorin aktual në Bruksel, Ilir Dugollin, ta dërgojë në Suedi, në vend të Lulzim Pecit, i cili është emëruar i dërguar i Kosovës në Beograd, ndërsa vendin e mbetur bosh në Bruksel ta plotësojë me këshilltarin e tij politik…. (zëri)