MPB-ja rikthen vendimin që ishte hequr si i kundërligjshëm
Vendimi për konfiskim të dokumenteve personale si masë e përkohshme me rastin e shqiptimit të kundërvajtjes në komunikacionin rrugor, i cili në vitin 2010 ishte hequr, pasi që ishte konsideruar si i kundërligjshëm, është rikthyer përsëri nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në prill të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse shoqëria civile dhe qytetarët e shohin ende si të tillë, pasi që vlerësojnë se ua cenon lirinë e lëvizjes, Policia e Kosovës dhe MPB-ja konsiderojnë se me këtë vendim “po shpëtojnë jetët e pjesëmarrësve në komunikacion”.
Ky vendim fillimisht i jepte të drejtë policisë që kundërvajtësve në komunikacion krahas gjobës t’u konfiskohej edhe libreza e veturës. Por një muaj më vonë, në maj, MPB-ja e kishte vërejtur se konfiskimi i një dokumenti të tillë “nuk është i nevojshëm” dhe po shkaktonte telashe.
Prandaj e kishte shfuqizuar atë dhe ishte lëshuar vendimi i dytë që në vend të librezës të konfiskohej patenta e shoferit. (Koha Ditore)


