Eko Higjiena

Motra e Obama-s: Shqiptarët i besojnë vllaut tim

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

E di se shqiptarët e duan shumë Presidentin Barack Obama. Shqiptarët kanë vuajtur historikisht dhe për këtë vëllai im është shumë i ndjeshëm dhe gjendet kudo pranë popujve që luftojnë historikisht për paqe dhe fqinjësi të mirë”, kështu është deklaruar Auma Obama, motra e presidentit amerikan Barak Obama.

Takimi me motrën e Presidentit amerikan, Auma Obama, u mundësua në një event special të organizuar për nder të saj në Nju Jork.

Ashtu e thjeshtë, ajo pranoi të fliste për jetën e saj dhe marrëdhëniet me vëllain e saj, Barack Obama, të cilat i ka përcjellë edhe në librin e saj të fundit autobiografik “And then life happens”.

Ajo flet edhe për vlerat e shqiptarëve dhe për arritjet që ka bërë Kosova në krijimin e shtetit të saj me përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të administratës Obama.

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet elektorale presidenciale të 6 nëntorit, Auma Obama për gazetën “Shqip”, flet dhe për optimizmin e saj në fitoren e vëllait të saj, Barack Obama.

Madje, sipas saj, një mbështetje të madhe ndaj Presidentit Obama jep edhe faktori shqiptar, duke i falënderuar.
Më poshtë po u sjellim intervistën e plot të Auma Obama, dhënë gazetës shqiptare

A mund të na thoni më konkretisht, si e njohët Shqipërinë atëherë?

Edhe unë si shumë studentë të tjerë në Universitetin gjerman të Sarbruken, e njihnim Shqipërinë si një vend komunist, ku mungonte e drejta e lirisë së fjalës dhe e lëvizjes. Njerëzit ishin në një izolim të plotë. Dija se ishte shumë më egër se në mjaft vende rreth nesh, të bllokut lindor, si p.sh. Gjermaninë Lindore. Na vinte shumë keq për vuajtjet e tyre, duke krahasuar hapësirat që kishim ne në Gjermaninë Federale. Një vend si Gjermania njihte një zhvillim kolosal ekonomik dhe një mirëqenie të pakrahasueshme me vendet e tjera. Por për fat të mirë, erërat demokratike kishin nisur të frynin edhe në këto vende totalitare deri sa ra Muri i Berlinit, që solli edhe triumfin në të gjitha vendet e bllokut lindor.

Ju jeni motra e Presidentit amerikan Obama, si ndiheni kur ju njohin si një nga njerëzit më të afërt të tij?

Sigurisht që ndihem krenare për vëllain tim Barack. Kudo që shkoj njerëzit më presin dhe më flasin ngrohtësisht si motra e Presidentit amerikan, e vendit me demokratik të botës. Dhe për këtë jam e vetëdijshme. Por unë shfrytëzoj të gjitha mundësitë për të folur hapur me vëllain tim, duke hapur dyert e të tjerëve. Për t’u shërbyer njerëzve që kanë nevojë për ndihmën e vëllait tim, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj problemeve të të tjerëve në luftën kundër varfërisë në shtetet e Afrikës. Dhe unë e kam bërë me shumë kënaqësi këtë për të ndihmuar njerëzit. Kjo, për shkak edhe të punës sime si aktiviste e OKB-së për të drejtat humane në vendet e varfra afrikane. Kudo më presin ngrohtë me një dashuri shumë të madhe, si motra e Barack Obama-s, Presidentit të shtetit më të fuqishëm të botës që po jep një kontribut të madh në uljen e varfërisë së popujve afrikanë. Dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë për vlerat e vëllait tim. Ndihem shumë krenare që vëllai im, Barack Obama, është në vëmendjen e të gjithë botës, për rolin e tij të madh me vlera humane.

A e kishit ëndërruar ndonjëherë se vëllai juaj do të bëhej njeriu më i fuqishëm i planetit, pra President i Shteteve të Bashkuara?

Mbase për President mund të mos e mendoja që në fillim, por që do të jetë një politikan i suksesshëm, këtë e besoja shumë. Një besim që u rrit vazhdimisht deri sa thashë se Barack Obama do të jetë një lider i vërtetë me aftësitë e tij të rralla komunikimi. E besoja që atëherë kur jam takuar për herë të parë dhe që organizonte takime dhe mitingje për komunitetin në Çikago. Dallohej për një karizëm prej lideri, që fliste e fliste dhe njerëzit e dëgjonin me vëmendje. Kudo kishte admirues të shumtë që i shkonin nga pas dhe i besonin shumë vizioneve të tij të qarta në shërbim të njerëzve.

Pra, çfarë mendoni që ka më tepër vëllai juaj për të qenë kaq i veçantë dhe i suksesshëm në politikë?

Mbi të gjitha ai është autentik. Ai beson në të vërtetë në atë që kërkon dhe përpiqet ta bëjë. Ai nuk ka asnjë program të fshehtë, por është i hapur për gjithçka dhe shumë ambicioz ndaj objektivave në realizimin e tyre. Unë mendoj se origjinaliteti, pasioni dhe imazhi i tij janë makina tingëlluese te njerëzit që i bën ta besojnë kaq shumë në idetë e tij…

Ju jeni me një punë në përkrahjet humane, sa është e rëndësishme për ju ky mision?

Uji Dea

Unë kam një jetë të tërë që punoj vetëm për njerëzit. Dua të jap ndihmën maksimale pa kursim ndaj njerëzve që na kanë nevojën dhe të jenë zot të vetvetes. Dhe mbështetja ime nuk ka munguar kurrë, aq më tepër tani që jam një aktiviste e Kombeve të Bashkuara në ndihmën humane te populli i varfër afrikan. Puna ime është një pasion që përkushtohem në maksimum. Një pasion për të ndihmuar të rinjtë që të fitojnë identitetin e tyre. Për këtë kauzë kam luftuar me vendosmëri, duke u qëndruar pranë të rinjve. Unë mendoj se të rinjtë janë forca kryesore me energji të pashtershme për të realizuar aspiratat tona të përbashkëta. Që në moshë të re e kuptova se nëse nuk e bëj atë vetë, askush tjetër nuk mund ta bëjë vërtet për mua…

Në punën tuaj, a ka ndryshuar diçka në marrëdhëniet me kolegët kur ju shohin si motra e Presidentit Obama?

Aspak. Për sa i përket sjelljes sime, unë nuk jam edhe shumë e vetëdijshme te pjesa e famës. Mundohem të jem vetvetja. I kam bërë të vetëdijshëm njerëzit rreth meje që mbiemri im është dytësor për punën që bëjmë. Por, gjithsesi, të jesh motra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk kalohet kaq lehtë. Është një përgjegjësi që më bën të jem më e përkushtuar në punën time misionare. Duke qenë motra e Presidentit të Amerikës më ka lehtësuar shumë në punën time për të qenë më rezultative në misionin humanitar të OKB-së në luftën kundër varfërisë, mision i cili po jep një kontribut të pashoq në ushqyerjen e fëmijëve të uritur.

Si janë marrëdhëniet me vëllain tuaj, Barack Obama?

Absolutisht shumë të mira dhe plot ngrohtësi. Ruajmë një afrimitet dhe mall sa herë që takohemi. Sado që jam e angazhuar me misionin tim humanitar, gjej kohën ta takoj, duke ditur se edhe ai ka një axhendë të ngjeshur me plot punë e përkushtime.

Marrëdhënia e Presidentit Obama me familjen e përbashkët në Kenia ka filluar pas shumë viteve, sepse vinte prej një lidhjeje të babait tuaj me nënën e zotit President, gjë që ju e keni shpjeguar edhe në librin tuaj të fundit. A mund të na thoni sesi ka qenë kjo marrëdhënie në distancë me vëllain Barack?

Ne e dinim se kishim një vëlla në Amerikë dhe im atë na fliste vazhdimisht për të dhe ishte krenar për ecurinë e tij. Babai i kishte vënë emrin e tij dhe na thoshte ta thërrisnim për shkurt, Barry. Por ne nuk e quajmë më ashtu, por me emrin e tij të vërtetë. Babai dhe nëna e tij mbanin kontakte dhe shkëmbenin raportimet me vlerësimet e shkëlqyeshme që merrte Barack-u në shkollë, meqenëse babai ynë ishte një avokat i mirë dhe ishte prirur për edukimin arsimor të tij dhe të gjithëve ne, fëmijëve të tjerë. Nëna e tij i dërgonte fotot nga jeta amerikane dhe unë i kam ruajtur vazhdimisht si një formë kontakti me vëllain tonë të panjohur, por që na mungonte shumë…

Po pastaj, si u krijua njohja me Presidentin dhe mund të na e kujtoni takimin e parë me të dhe me familjen tuaj?

Që në fillim, në mënyrë automatike jam ndier familjare me të.. Unë kam qenë që fëmijë shumë nervoze dhe e vështirë në lidhje, pra nuk lidhem menjëherë me dikë. Vendosa të shkoj ta takoj në Amerikë te shtëpia e tij në Çikago dhe të qëndroj me të. Por kur u takuam nuk e besova se ishte aq i lehtë në komunikim, kur bëhej fjalë për një takim për herë të parë me vëllain tim. Që në fillim nisëm të flasim kaq lirshëm sikur të ishim njohur me kohë me njëri-tjetrin, dhe kjo ishte një fakt i vërtetë dhe i veçantë. Karakteri i Barack-ut me thjeshtësinë e tij të bën të ndihesh mirë falë dhe njohurive të rralla të tij.

Pastaj, Barack-u vjen për vizitë për herë të parë në vendlindjen e babait të tij, dhe nëse ju kujtohet, çfarë ndodhi kur u takua edhe me familjen tuaj në Kenia?
Patjetër që më kujtohet, Barack-u sado që është amerikan, e do shumë edhe Kenian, vendlindjen e babait të tij. Në fillim vizita e tij e parë ka qenë një surprizë për familjen tonë. Mamaja del te dera dhe thotë se është një burrë që flet me aksent të pastër amerikan. Ai filloi të prezantojë vetveten duke thënë: “am Barack-u, Barack Obama…” Barryyyy, vërtet je ti Barack Obama, iu drejtua gjyshja dhe fshiu lotët që i rridhnin në sy. Atëherë gjyshja jonë e ngazëlluar doli për pak jashtë duke fluturuar nga gëzimi… Dhe u kthye e tha: “Sa i lumtur do të ishte babai i tij nëse do të ishte ende gjallë…” Vërtet ishte një surprizë e veçantë dhe që na bëri të gjithëve të lumtur. Ai kudo shoqërohej nga bashkëshortja e tij e mrekullueshme, Michele. Vëllai im është me shumë fat që ka për bashkëshorte Michele, e cila kudo është një mbështetëse e madhe e tij.

Kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 6 nëntorit, dhe vëllai juaj kërkon mandatin e dytë presidencial… Ndërkohë që edhe ju jeni një mbështetëse kryesore në jetën politike të vëllait tuaj, ku keni kontribuar që në fushatën e parë elektorale të fitores së Barack Obama-s për Presidentin e 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vazhdoni ta mbështesni atë?

Sigurisht, po. Unë kam qenë dhe vazhdoj ta mbështes atë, sepse është vëllai im. Por mbështes edhe idetë e tija që në fillim të karrierës së tij politike. Kam punuar në fushatën e tij të parë, edhe në muajt e acartë, në provincën e Ioua, në Jug të Kalifornisë dhe në Karolinën e Jugut. Ishte një eksperiencë e veçantë dhe tepër e mahnitshme. Takohesha me familjarë që kishin ardhur nga larg duke lënë familjet e tyre vetëm për t’u bashkuar me kauzën e vëllait tim, Barack Obama. Ata e besonin se kjo ishte shumë më e rëndësishme. Pra, rreth kësaj kauze ishte krijuar një familje e madhe dhe kjo ishte shumë e mahnitshme për mua për të kuptuar vlerat e vëllait tim, se si ai ishte në gjendje të ndikojë kaq shumë te njerëzit. Unë i jam mirënjohës se u bëra pjesë e kësaj e përvoje me mbresa të veçanta. Një përvojë që rrallë të bie në jetë të shohësh një popull të tërë të rendë si lumë pas vëllait tim dhe ta duan pa kufi. Kjo ndodh se Barack-u është njeri i veçantë, shumë i thjeshtë dhe i dashur me njerëzit. Unë besoj te fitorja e tij e dytë, sepse populli amerikan ka nevojë për objektivat e tij të projektit të tij në shërbimin shëndetësor “Obama Care”, në zhvillimin ekonomik të vendit me uljen e ndjeshme të papunësisë, duke krijuar vende punë të reja. Të gjitha këto arrihen vetëm me President Barack Obama. Dhe populli do ia besojë edhe një herë fatet e tij të mirëqenies së gjithanshme.

Presidenti Barack Obama ka shumë mbështetës edhe nga komuniteti shqiptar në Amerikë dhe simpatizantë të shumtë edhe në Shqipëri. Si e shikoni këtë fakt?

E di se shqiptarët e duan shumë President Barack Obama. Shqiptarët kanë vuajtur historikisht dhe për këtë vëllai im është shumë i ndjeshëm dhe gjendet kudo pranë popujve që luftojnë historikisht për paqe dhe fqinjësi të mirë… Shqiptarët i besojnë President Obama-s për vendosmërinë e tij në politikën e jashtme, duke qenë faktor kryesor në stabilitetin e rajonit dhe vendosjen e paqes dhe të mbrojtjes së vlerave demokratike në botë. Shqipëria është një nga partnerët kryesorë të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara po japin një kontribut të madh në vendosjen e paqes dhe demokracisë në Lindjen e Mesme, ndërkohë që kontribut të madh ka dhënë dhe po jep edhe për shtetin e ri sovran të Kosovës dhe në krijimin e institucioneve të saj demokratike. Dhe për këtë, administrata amerikane është shumë e kënaqur me zhvillimet pozitive politike në Kosovë, për ndërtimin e institucioneve të shtetit të tyre dhe të harmonizimit të bashkëjetesës me minoritetet e tjera. Prandaj unë i falënderoj për besimin e shqiptarëve në vizionet bashkëkohore të Barack Obama-s. Dhe besoj se mandati i dytë i vëllait tim në Shtëpinë e Bardhë do të jetë akoma më mbështetës dhe rezultativ në përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve drejt familjes europiane. Shqipëria dhe Kosova e meritojnë të jenë pjesë e kësaj familjeje, sepse e ardhmja e tyre do të jetë më e begatë dhe më progresive në mirëqenien e jetës së tyre./Indeksonline/