Mosvotimi i projektligjeve – pozita kërkon bashkëpunim, opozita e fajëson për injorim

Numër i madh i projektligjeve gjatë këtij sesioni të punës së Kuvendit janë bartura nga seanca në seancë, duke mos marrë kështu miratimin e të zgjedhurve të popullit, raporton Ekonomia Online.

Mungesa e deputetëve të pushtetit në seanca ka bërë që të dështojë miratimi i ligjeve me rëndësi, mirëpo në shumë raste edhe pse ishin prezentë deputetët e opozitës kanë pamundësuar votimin.

Pozitë e opozitë fajsojnë njëra tjetrën për mosbashkëpunim, duke konsideruar se krejt kjo po ndodh për inate politike dhe se krejt kjo po shkon në dëm të qytetarëve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku në një intervistë për Ekonomia Online u ka bërë thirrje deputetëve opozitar që t’i përkrahin iniciativat ligjore ngase po cenohet interesi i qytetarit.

Ajo shton se në një shtet demokratik, opozita duhet që të përkrah iniciativat që ndikojnë në mirëqenien e të gjithëve.“Tradicionalisht mazhoranca duhet t’i sigurojë votat për projektligjet dhe çështjet që janë me rëndësi për vetë qeverinë aktuale që të votohen. Mirëpo kishte qenë mirë që në parim edhe opozita të mbështes iniciativa të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve. Nuk është ratifikuar miratimi i një marrëveshje tejet të rëndësishme që ka të bëjë me mirëqenie sociale ku për reformimin e skemës sociale ku do të përfitonin qytetarët. Inkurajojë deputet opozitar që kur janë çështjet me prioritet për jetën e qytetarëve që ti përkrahin ato iniciativa qoftë ligjore apo plotësim ndryshime të ligjeve sepse aty po preket interesi i qytetarit”.“Unë mund të them se dëmtohen qytetarët. Ato inate politike unë jo që i kuptoj, por është e natyrshme që opozita mos t’i votojë projektligjet e Qeverisë, por nuk është e natyrshme që të mos i votojë ato që janë jetike për qytetarët. Pra në një shtet demokratik edhe deputetët e opozitës duhet të votojnë atëherë kur diçka e prek direkt qytetarin”, tha Kollçaku.

Deputeti i Listës “Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Haxhi Avdyli, tha sevonesat e miratimit të ligjeve vijnë si rezultat edhe i procedurave.

Por që sipas tij, dëmtimi më i madh që i bëhet qytetarit është zvogëlimi i buxhetit dhe mungesa e barnave.“Në të shumtën e rasteve vonesat që vijnë janë të arsyeshme sepse ajo rrjedha e ligjeve fillon nga ministria. Ne nuk do të lejojmë që të kalojnë ligje jo të mira për qytetarët”.“Mendoj që nuk ka vend për dëmtim, por disa ligje kur ne i shohim se nuk përkojnë me realitetin e tanishëm dhe duhet të ndryshohet. Dëmtimi më i madh është nëse zvogëlohet buxheti, pastaj ka mungesa të barnave sesa për ligje sepse ligje ka. Por gjithmonë duhet të shikohet nëse ka parregullsi apo keqmenaxhim atëherë mund ta dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarin”, tha Avdyli.

Përderisa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se secili projektligj që shkon në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet është në dëm të qytetarëve.

Sipas saj, mosvotimi i projektligjeve është përgjegjësi e Qeverisë sepse e kanë shumicën në Kuvend. Ajo kujton kohën kur VV-ja oshte në opozitë e nuk përkrahte iniciativat e partive të tjera në pushtet.“Secili projektligj që vjen në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet normalisht që dëmtohet qytetarët e vendit. Por kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe mazhorancës sepse kanë mbi 58 deputet ku përgjegjësia është e tyre të sjellin projektligje dhe të votojnë. Ato projektligje t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës”.“Në kohën kur kemi qenë pozitë dhe VV në opozitë ka votuar gjithmonë kundër dhe nuk ka marrë pjesë në votime tani këta e kanë obligim dhe përgjegjësi edhe për këtë rast qytetarët kanë pasur kohë mjaftueshëm për të analizuar se a e kanë merituar një Qeveri populiste siç është Kurti 2”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se nuk është përgjegjësi e opozitës, por mazhorancës që të funksionojnë Parlamenti dhe të miratohen ligjet.

Mes tjerash, Lekaj potencoi se nëse vazhdohet me këtë injorancë nga mazhoranca, nuk ka kuptim që kjo Qeveri të vazhdojë punën, raporton EO.“Sa i përket mazhorancës e ka përgjegjësinë e plotë që të funksionojnë parlamenti dhe të miratojë ligjet. Nuk është përgjegjësi e opozitës, mirëpo ne si grup i AAK kemi bërë më të mirën e mundshme. Çdo herë kemi qenë konstruktiv sepse ka dominuar interesi i qytetarëve dhe jo interesi i partisë politike. Shpesh kemi votuar ligje. Por kjo nuk do të thotë që përgjegjësia mbi ne, por mbi Qeverinë e Kosovës dhe mazhorancën”.“Është edhe një injorancë e deputetëve nga mazhoranca që të mos vie në seanca, të mos miratohen ligje dhe disi e kanë marrë me sportivitet këtë gjë. Ne jemi për të prodhuar ligje, për të miratuar ligje që ia rregullojnë jetën qytetarëve. Dhe nëse vazhdohet kështu nuk e di pse ka kuptim që kjo Qeveri të jetë aty ku është”, tha Lekaj.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS