Mosmarrëveshjet mbajnë peng kandidatët për studentë të matematikës
Drejtues të Fakultetit të Shkencave Matematikore në Universitetin e Prishtinës kanë paralajmëruar hapjen e konkursit për studentë të rinj në shtator, në programin e matematikës, megjithëse ky program nuk është akredituar fare për vitin e ardhshëm akademik.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, Tahir Arbneshi, ka thënë për “Kohën Ditore se pritet të ketë konkurs në shtator për regjistrimin e studentëve të rinj “meqë ne jemi duke bërë përpjekje për akreditimin e programit dhe pastaj edhe për hapjen e konkursit në shtator”.
Arbneshi ka pohuar se programi i matematikës në këtë fakultet nuk është akredituar ende, meqë Dep. i Matematikës nuk i ka përgatitur me kohë formularët e aplikimit për akreditim për t’i dorëzuar ato në Agjencinë e Akreditimit.
Arbneshi ka thënë se Agjencia edhe vitin e kaluar e kishte akredituar programin e matematikës me kusht, duke kërkuar që programi i studimeve bachelor dhe master të bëhet 3+2 e jo 4+1, siç ka qenë më parë.
Sipas tij, aplikimi i këtij standardi pastaj ka filluar të bëhet me disa muaj vonesë, e jo nga shtatori i vitit të shkuar, siç është dashur të bëhej.
Ndryshe nga dekani Arbneshi, në Ministrinë e Arsimit dhe në Rektoratin e UP-së nuk kanë mundur të thoshin se është e sigurt që në shtator do të hapet konkursi për regjistrimin e brucoshëve në matematikë.
Arbër Morina, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka thënë për gazetën se Departamenti i Matematikës është vonuar shumë për të aplikuar për akreditim dhe nuk dihet nëse Agjencia do të mund të gjejë ndonjë formë tjetër për të mundësuar regjistrimin e studentëve të rinj në këtë program.
Ai ka thënë se pa u akredituar programi, Ministria nuk mund të lejojë shpallje të konkursit.
Ardian Gola, këshilltar i rektorit (u.d.) të UP-së, Anton Berishaj, ka thënë për gazetën se “nëse AKA-ja na e jep dritën e gjelbër, menaxhmenti do të shpallë konkurs për regjistrimin e studentëve të rinj”.
Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, ka thënë se ndonëse nuk e di se si ka shkuar procedura e aplikimit për akreditim, nuk është dashur të vijë puna që aplikacioni i Departamentit të Matematikës të mos shqyrtohet.
Kurse Qëndrim Gashi, profesor i matematikës në këtë departament të UP-së, ka thënë se askënd nuk e ka dëgjuar të pohojë se matematika nuk është e nevojshme, apo se nuk ka kuadër e infrastrukturë bazike të mjaftueshme që ajo të zhvillohet në UP.

