UBT

Moskultura e debatit

/ 7 minuta lexim

Nga Adriatik Kelmendi- A do të donit t’i shihnit në një duel televiziv Thaçin e Mustafën, Kurtin e Haradinajn, Pacollin e Jahjagën? Përse s’po i shihni? Çka na tregojnë duelet e miqve tanë amerikanë Obama e Romney?

NË FAQEN E RUBIKONIT në Facebook ka një foto profili për të shënuar si kujtim të vetmin rast kur kam pasur në studio për debat të gjithë liderët institucionalë e politikë në të njëjtën kohë. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Kolë Berisha, Agim Çeku e Veton Surroi është 5-shja e ligës së parë të lojtarëve politikë të kategorisë së rëndë që ndonjëherë kanë pranuar të jenë në një përballje televizive së bashku.

Ka ndodhur më 2 shkurt 2007, në ditën kur Presidenti Ahtisaari prezantoi në Kosovë Planin e tij Gjithëpërfshirës për Statusin e vendit. Dhe besoj se kjo ka qenë e mundshme pikërisht për arsyen që në atë moment të pestët kanë qenë në të njëjtin kazan, si pjesë e Ekipit të Unitetit, të njohur si Ekipi i Elefantëve. Pra, po, me nuanca, por kanë mbrojtur një qëndrim, që është rezultati i procesit negociator me Serbinë. Në të kundërtën s’besoj se do të ndodhte ndonjëherë. Pasi që kjo është dëshmuar si një mision i pamundur deri më tash në Kosovë.QYTETARËT E KOSOVËS gjithnjë kanë qenë të privuar nga rasti për t’i parë të ballafaqohen në një debat liderët që pretendojnë t’i udhëheqin.

A mund ta paramendoni se çfarë përfitimi do të ishte që të shihen në një duel televiziv ta zëmë Thaçi e Mustafa, Kurti e Haradinaj, Pacolli e Jahjaga, e kështu me radhë në kombinime të ndryshme?

Pa asnjë dyshim këto duele do të kishin numrin më të madh të shikuesve, por edhe debatimin më gjithëpërfshirës të mundshëm. Në këtë mënyrë, të gjithë liderët do të mund të tregojnë se kush ka cilën pikë më të fortë, kush i ka idetë e planet më të qëndrueshme, vizionin më largpamës, oratorinë më të zhvilluar, kulturën më të gjerë, forcën bindëse më të madhe e deri – nervat më të forta.

Mirëpo, ajo për të cilën jemi bindur deri më tash është se ata që pretendojnë të na udhëheqin më të rëndësishme e kanë – fshehjen. Ikjen, shpesh qyqare, nga ballafaqimi e nga debati.

Fatkeqësisht, kjo kishte filluar që nga Presidenti Ibrahim Rugova. Ai ishte i njohur se i shmangej tepër shumë intervistave, sidomos televizive, duke i bishtnuar përgjigjes në shumë pyetje të shtuara gjatë kohës së udhëheqjes së tij, shumicën e të cilave i mori me vete në varr.

Të tjerët, megjithëse pak më të hapur për të folur, asnjëherë s’kanë kaluar kompleksin e përballjes me kundërshtarin politik. Gjithnjë dalin në skenë kalkulimet personale e meskine: kush është përpara me votat nga zgjedhjet e kaluara, kush është më i madh se tjetri, kush më i fortë se tjetri e kush është më i sinqertë se tjetri. Pra, gjithnjë ekziston një arsyetim që ia japin vetvetes për ta shmangur përballjen. E sigurisht, mbi të gjitha mbizotëzon një emërues i përbashkët – pasiguria në vete. Frika.

Që të gjitha këto çojnë në drejtim të kundërt nga llogaridhënia aq e domosdoshme kundrejt qytetarit, e cila do të duhej të ishte esenciale nga individët që mbrujnë në vete trimërinë e marrjes përsipër të udhëheqjes së të tjerëve.

Gjë që natyrisht nuk ndodh me vendet të cilat themi se dëshirojmë t’i arrijmë, e që janë demokracitë perëndimore, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

NË SHBA S’MUND të paramendohet më një garë zgjedhore pa përballjen e kandidatëve oponentë. Sipas një tradite të vendosur që nga koha e kandidaturës së Abraham Lincolnit, por të fuqizuar me debatet televizive që filluan në vitin 1960, amerikanët kanë privilegjin t’i shohin dhe vlerësojnë në ballafaqim me njëri-tjetrin ata që denjojnë t’u kërkojnë votën.

Jo rastësisht, dueli i parë ndërmjet senatorit demokrat John F. Kennedy dhe nënkryetarit republikan Richard Nixon për zgjedhjet e vitit 1960 mbetet si një ndër transmetimet më të ndjekura në historinë amerikane të televizionit, i përcjellë nga 66 milionë shikues nga popullata e atëhershme prej gjithsej 179 milionë banorësh.

Fidanishtja

Ikja eventuale nga dueli me kundërkandidatin në SHBA tashmë shihet si një qyqarllëk i madh dhe si diçka që do të asgjësonte gjasat e ndonjërit për t’u zgjedhur President.

Natyrisht se edhe kandidatët për presidentë të superfuqisë së vetme botërore shpesh do të dëshironin të llogarisnin në ndonjë avantazh që kanë e të mos përballeshin fare me kundërshtarët, por populli amerikan e ka fuqizuar aq shumë kërkesën për llogaridhënie, sa që do ta dënonte me hedhje jashtë loje ikanakun.

Kjo ka bërë që duelet televizive të të fortëve të kthehen në kulturë, kulturë të debatit, pavarësisht rreziqeve të mëdha që mbartin.

Shembulli më i mirë ilustrues mund të merren edhe dy raundet e dueleve presidenciale ndërmjet të Presidentit demokrat të SHBA-së, Barack Obama, dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney. Fillimisht, Romney shihej si një outsajder i pashpresë krahasuar me Obaman e popullarizuar, mirëpo thyerja më e madhe ndodhi pikërisht pas duelit të parë që ndodhi më 3 tetor në Denver. Pas duelit që u përqendrua në gjenden ekonomike në vend, Romney u pa si më i mirë se Obama, gjë që për herë të parë që nga shpallja e kandidaturës i dha atij një përparësi prej 2 për qind në sondazhe.

Së këndejmi, ekipi i Obamas me të drejtë u zu në panik dhe u përqendrua shumë që rezultati të jetë i përmbytur në duelin e dytë, të 16 tetorit, në New York. Kështu, debati që u mbizotërua nga politika e brendshme dhe e jashtme, rehabilitoi pak Obaman, pasi që i dha një përparësi të lehtë.

Tash, pas vetëm dy duelesh, duket se askush në Amerikë nuk e ka më guximin që të parashikojë me siguri se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-së. Rrjedhimisht e gjithë vëmendja është përqendruar te Finalja e Madhe, debati përfundimtar që fokusohet në politikën e jashtme, i paraparë të mbahet më 22 tetor në Florida.

Qytetarët amerikanë kanë pasur rastin t’i shohin kandidatët e tyre dhe të formësojnë mendimet se për kë do të votojnë më tepër përgjatë dy debateve 90-minutëshe televizive ndoshta më shumë se sa nga e gjithë e kaluara e Obamas e Romneyt.

Pasi që këta s’janë fshehur.

NUK JAM SHUMË optimist se kultura e debatit amerikan do të bartet shpejtë te ne në Kosovë. Liderët politikë kosovarë mjerisht kanë ende shumë arsye që të fshihen dhe të mundohen që t’ia rrisin pameritueshëm vetes vlerën duke mos dashur të ballafaqohen me kundërshtarin e perspektuar si më të dobët. Mirëpo, humbësit që mbesin këtu janë qytetarët, ata që fatkeqësisht ende gjerësisht perceptohen vetëm si makina votuese.

S’i dihet, mbase një ditë miqtë tanë amerikanë edhe do t’i instruktojnë të marrin pjesë në duele televizive.

Ndoshta atyre s’ua kthejnë fjalën.