RCCOLA

Mosefikasiteti kryenegociatorëve në dialog, i pashmangshëm takimi mes liderëve

/ 3 minuta lexim

Mbajtja së shpejti e një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vlerësohet i pashmangshëm. Kjo pasi për të dytën herë brenda pak ditësh, kryenegociatorët e dy shteteve nuk arritën të gjejnë zgjidhje për dinarin, ndonëse e kanë edhe një mundësi javën e ardhshme. Mirëpo, BE-ja nuk ka treguar nëse zgjidhja e çështjes së dinarit është parakusht për takimin mes liderëve.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë para vetes mundësinë e tretë për ta zgjidhur çështjen e dinarit serb.

Dy herët e kaluara ata dështuan të arrijnë kompromis në Bruksel për mënyrën e transferimit të pagesave nga Serbia për serbët e Kosovës.

Por, marrë parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve, gjasat nuk konsiderohen të mëdha për një pajtim mes tyre.

Andaj, takimi mes liderëve vlerësohet se është i pashmangshëm, nëse jo për çështjen e dinarit, për zbatimin e marrëveshjes bazike po.

“Rolin kyç e ka BE-ja, se si do t’i japë kahje BE-ja, se si do ta përcaktojë agjendën BE-ja dhe si do të ofrojë në njëfarë mënyre kushtëzimin, sepse një gjë tjetër që nuk ka ndodhur është fakti që BE-ja ende nuk e ka lidhur kushtëzimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje me kapitullin 35 për Serbinë”, ka thënë drejtoresha e GLPS-së, Arbesha Loxha, për RTV Dukagjini.

Mobi Casa

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq nuk e kanë takuar njëri-tjetrin që nga 14 shtatori i vitit të kaluar, dhjetë ditë para se të ndodhte sulmi terrorist në Banjskë.

Por, caktimi i një takimi eventual mes tyre vetëm për çështjen e dinarit, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, do të ishte qesharake.

“Mendoj se gjithsesi nëse do të mund të ekzistonte, do të ishte pjesë e konturimit të një marrëveshjeje më të gjerë, por edhe tematika të tjera të cilat mund të jenë diskutuar dhe që kanë qenë më pak të zëshme gjatë periudhës së fundit. Por që të kërkohet dhe të realizohet një takim në nivel liderësh për këtë çështje mendoj se do të ishte një dështim shumë i madh për dialogun në vet vete dhe pastaj për gjithë këtë mandat që ka dominuar diskutimet ndërmjet palëve”, ka thënë Çipa.

Ndërkombëtarët, thotë Çipa, do të bëjnë përpjekje për të gjetur një rrugë të mesme për dinarin.

Për këtë çështje, të hënën kryenegociatorët mbajtën takimin e dytë, por u tha se palët ishin ende larg me propozimet e tyre.

Një përpjekje e radhës për dakordim do të bëhet më 4 prill, kur kryenegociatorët do të shkojnë sërish në Bruksel. /Dukagjini/