Mos ua vazhdoni mandatin pakicave!
Vazhdimi i mandateve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës, nuk duhet të lejohet. Mazllum Baraliu thotë se me vazhdimin e mandateve, po favorizohet pakica e po dëmtohet shumica. Ai thotë se nëse interesat e pakicës dominojnë mbi shumicën, atëherë do të ketë tiranizim të shumicës nga pakicat e kjo do të thotë, tirani në demokraci. Sipas tij, demokracia nënkupton sundim nga shumica.
Njohësi i çështjeve kushtetues, Mazllum Baraliu, thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet vazhdimi i mandatit për komunitetet. Sipas tij, votimi pro kësaj çështjeje mund ta rrezikojë seriozisht funksionimin e shtetit.
“Jo nuk duhet lejuar, për arsye se do të ishte privilegj dhe favorizim i tepruar për pakicat dhe i dëmshëm për shumicën. Po ashtu do të ishte në kundërshtim me orientimet kushtetuese, për arsye se çështja e vendeve të rezervuara është përmbyllur me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur”, ka thënë Baraliu. Në një intervistë për Tribunën, Baraliu vlerëson se lejimi i vazhdimit të mandateve të rezervuara shumë lehtë mund të ndikojë që pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale të themelohet një Qeveri e pakicës e cila do t’i përmbyste të arriturat e deritanishme në vend.
“Mund të vijë partia e cila po dirigjohet nga Beogradi, e cila mund të jetë partia e dytë ose e treta dhe të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër dhe të përmbysë shumë të arritura duke mos përjashtuar as përmbytjen e kushtetutës”, ka thënë ai. Baraliu ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës që të kenë parasysh interesin e qytetarëve shumicë, para se të merren me interesin e qytetarëve pakicë.
Tribuna: Kohët e fundit është rikthyer debati për lejimin e vendeve të rezervuara në Kuvend për komunitetet edhe për dy mandate. Mendoni se duhet të lejohet një gjë e tillë?
Baraliu: Jo nuk duhet lejuar për arsye se do të ishte privilegj dhe favorizim i tepruar për pakicat dhe i dëmshëm për shumicën. Po ashtu do të ishte në kundërshtim me orientimet kushtetuese, për arsye se çështja e vendeve të rezervuara është përmbyllur me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Pastaj janë të privilegjuar për shkak të vendeve të garantuara si dhe janë privilegjuar me heqjen e pragut zgjedhor për partitë minoritare. Pra ata me kushte jashtëzakonisht të lehta dhe me një numër simbolik të votave dhe në mënyrë të pabarabartë me qytetarët e tjerë që janë shumicë, po vazhdojnë të favorizohen jashtëzakonisht shumë. Ky favorizimi do të fuqizohej me vazhdimin e mandateve të rezervuara për arsye se neni 3 dhe neni 24 i Kushtetutës së Kosovës i garanton çdo qytetari të drejtat të barabarta. Në këtë rast ka shumëfish faktorë dhe mundësi që ata të jenë të privilegjuar dhe janë të privilegjuar dhe një favorizim tjetër me vazhdimin e vendeve të rezervuara, vërtet nuk është as i nevojshëm e as i domosdoshëm.
Tribuna: Vazhdimi i mandatit prek edhe Kushtetutën e Kosovës. A duhet të lejohet që të ndryshohet kushtetuta në këtë pikë?
Baraliu: Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet kjo, sepse në rast të tillë kushtetuta duhet të rishkruhet dhe nëse do të rishkruhej ajo, atëherë ka shumë çështje të cilat duhet të ndryshohen. Mendoj se vazhdimi i mandatit për vende të rezervuara është një dëshirë joreale dhe e padrejtë dhe në kundërshtim me ato dispozita që përmenda më parë.
Tribuna: Faktori ndërkombëtar në Kosovë është shprehur pro vazhdimit të mandatit për vendet e rezervuara për komunitetet. A mund të ndikojë ky disponim i ndërkombëtareve që ta shtyjë edhe faktorin vendor që të pranojnë vazhdimin e mandateve të rezervuara në Kuvend?
Baraliu: Ajo mund të jetë ashtu dhe ka shembuj që tregojnë dhe dëshmojnë se shpeshherë klasa politike në përgjithësi po i nënshtrohet edhe presioneve dhe shantazheve nganjëherë në forma të ndryshme të ndikimeve nga jashtë. Ka shembuj të ndryshëm për këtë dhe shembulli i fundit është ai rreth themelimit të Gjykatës Speciale dhe misionit të riformatizimit të EULEX-it. Kjo ka treguar se ka pasur presion të madh nga disa vende të cilat janë mike të Kosovë të cilat kanë shtyrë deputetët që të votojnë me çdo kusht. Nëse ky presion ndodh edhe në këtë rast do të ishte gabim për arsye se ata duhet t’i kenë parasysh prioritetet dhe interesat e vendit, e pastaj bashkëpunimi dhe respektimi i kërkesave dhe interesave të huaja të cilat nuk dihen se ku shkojnë dhe deri ku na shpien.
Tribuna: Në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, pritet që të votohet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Mirëpo votë kundër kanë paralajmëruar deputetët e minoriteteve të cilët po kushtëzojnë votën e tyre me vazhdimin e vendeve të rezervuara. A duhet lejuar një kushtëzim i tillë?
Baraliu: Në asnjë mënyrë, sepse një kushtëzim i tillë është shantazh dhe nënçmim i dinjitetit të shumicës. Nëse interesat e pakicës dominojnë mbi shumicën, atëherë do të kemi tiranizimin e shumicës nga pakicat, pra kemi tirani në demokraci, ndërsa demokracia nënkupton sundim nga shumica. Kjo nuk duhet të ndodhë, sepse nuk ka kuptim dhe nuk është korrekte pasi tepër shumë i është ofruar komuniteteve pakicë duke u dëmtuar shumica. Pra nuk do të kishte kuptim dhe do të ishte fyerje e shumicës nga ana e pakicave. Nuk ka asnjë bazë që dikush të bëjë këtë, dhe të ndërlidhet votimi i FAK-ut me vazhdimin e mandatit për komunitete. Nuk do të bëhej kiameti edhe nëse FSK-ja nuk transformohet, për arsye se transformimi real bëhet atëherë kur ajo funksionalizohet si një ushtri e vërtetë, kur të rritet numri i pjesëtarëve të saj dhe kur të pajisej me armë luftarake për aftësimin e saj. E jo formalisht të bëhej një emërtim i cili në fakt nuk do të thotë asgjë nga statusi i tanishëm i një organizate civile emergjente, në një organizatë kinse ushtarake.
Tribuna: Çfarë do të ishin pasojat nëse pranohet që komunitetet t’i kenë të rezervuara vendet në Kuvendin e Kosovës edhe për dy mandate?
Baraliu: Pasojat janë të paparashikueshme për arsye se futet një mekanizëm i cili nuk do të mund të hiqej më. Për arsye se Kushtetuta e tanishme nëse ndërrohet vetëm në këtë segment dhe qëllimi është që kjo të bëhet. Kam dëgjuar që vazhdimi i mandateve do të sillte dy apo tre deputetë, kjo është dezinformuatë, sepse po tentohet që të minimizohet pesha e problemit, sepse askush nuk e di se a do të bëhet tre apo trembëdhjetë, këtu nuk ka asnjë limit se sa deputetë mund të bëhen, pra mund të këtë më shumë se tre. Kjo mund të krijojë zhbalancim në Parlament dhe në qeverisje mund të krijohet çekuilibrime të cilat mund t’i përmbysin të arriturat e deritanishme në Kosovë. Po ashtu mund të vijë edhe ajo situatë që të krijohet qeveri e pakicës nga komunitetet pakicë, pikërisht për shkak të këtyre mekanizmave favorizues. Pra mund të vijë partia e cila po dirigjohet nga Beogradi, e cila mund të jetë partia e dytë ose e treta dhe të bëjë koalicion me dikë dhe të përmbysë shumë të arritura, mund të përmbysë Kushtetutën.


