UBT

Mos u mashtroni me buxhetin prej 2 miliardë euro

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm prej 2 miliardë eurosh. Gjatë miratimit kryeministri i vendit ka deklaruar se buxheti prej 2 miliardë eurosh është zhvillimor dhe reflekton në përcaktimin e Qeverisë teksa Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka theksuar se projektligji në fjalë është hartuar me pajtimin e FMN-së, duke shtuar se pritet që të ketë rritje ekonomike me mbi 4 për qind.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se nuk duhet habitur dhe mashtruar pas faktit se tash buxheti ka arritur në dy miliardë euro.

“Nëse kemi parasysh trendin e rritjes, atëherë këtu ka ndodhur vetëm rritja e shpenzimeve, e asgjë tjetër. Të hyrat do të rriten në 5.5 për qind, ndërsa shpenzimet në 15.5 për qind. Madje, norma e rritjes së të hyrave është më e ulët se në vitin 2016, meqenëse ato do të jenë 11.1 për qind më të larta se në vitin 2015”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij rritja e të hyrave qëndron në një proporcion të përafërt me rritjen ekonomike të parashikuar për vitin 2017.

“Ndërkaq, rritja e shpenzimeve bazohet në një lojë shifrash, përkatësisht me mbulimin e deficitit për 299 milionë euro, ose dy herë e gjysmë më shumë se ai që parashihet në vitin 2016. Ai do të mbulohet përmes emetimit të letrave me vlerë dhe huazimeve-do të thotë se qeveria do ta fusë popullin në borxhe për të mbuluar deficitin buxhetor”, ka shtuar Rexhepi.

Fundamenti

Sipas Rexhepit ky projeksion ka më shumë elemente të një buxheti zhvillimor, meqenëse shpenzimet kapitale kanë një rritje shumë të madhe prej 44.6 për qind krahasuar me vitin 2016.

“Mirëpo shpërndarja e shpenzimeve kapitale sërish mbetet e ngurtë, pa ndonjë risi të veçantë, meqenëse, buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës, duke përfshirë edhe shpenzimet me të cilat si ndarje i takojnë Ministrisë së Ambientit, në shpenzime merr pjesë mbi 15 për qind, kurse sivjet-12 për qind. Në shpenzimet kapitale këto dy pozicione marrin pjesë afër 40 për qind”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu sipas tij, mbetet simbolike pjesëmarrja e bujqësisë (2.8 për qind), shëndetësi (2.8 për qind) apo e arsimit (2.2 për qind).

“Nuk besoj se buxheti mund të vijë në situatë që të mos ketë mundësi pagese. Mirëpo, kjo më shumë varet nga mënyra e shpenzimit dhe nga shuma e parave që huazohen si borxh”, ka përfunduar Rexhepi./Indeksonline/