Hidromorava

“Mos të kemi frike të negociojmë, por jo të negociojmë pa pasur frikë” (J.F. Kennedi)

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lisen Bashkurti – Negociatat janë instrumenti më efikas i diplomacisë. Në vetvete negociatat janë një proces i pafund. Negociatat janë një lëvizje e pandërprerë në veprimtarinë diplomatike. Negociatat janë vetë mënyra e ekzistencës së diplomacisë. Kur ndërpriten negociatat diplomacia hesht. Kur hesht diplomacia flet forca. Edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i tillë.

Kenedi ka qënë një nga presidentët më diplomat në historinë e Shtëpisë së Bardhë. Ai na ka lënë mendimin…mos të kemi frike të negociojmë, por jo të negociojmë pa pasur frikë…Ky mendim filozofik është një mesazh shumë i thellë për thelbin e negociatave, për rëndësinë e tyre, për vështirësinë dhe sfidat që ato kanë. Negociatat janë si gjithë betejat e tjera, por vecse me mjete paqësore. Negociatat prodhojnë tre lloje rezultatesh. Ato mund të sjellin fitore për njërën palë dhe humbje për palën tjetër; ato mund të prodhojnë fitore pa të humbur për asnjërën palë, pra zgjidhje kompromisi; ato mund të sjellin humbjen e të dy palëve, pra dështimin e tyre.

Nga këto tre lloj rezultatesh që prodhojnë, negociatat diktojnë edhe casjet ndaj tyre. Ato janë mundësia më e mirë, më e lirë, më e dobishme, më e drejtë, më e qëndrueshme dhe më e zbatueshme për zgjidhjen e problemeve të cdo natyre. Mundësia për zgjidhje kompromisi, ose zgjidhje pa të humbur është inspiruese dhe inkurajuese në vetevete. Si të tilla negociatat na bëjnë që të mos kemi frikë që të negociojmë…

Por, negociatat mund të prodhojnë edhe dështim të rëndë për njërën palë, ose dështim fatal për të dy palët njëkohësisht. Dështimi i negociatave është e keqja më e madhe. Më mirë mos të hyhet në negociata sesa të dështohet në to. Dështimi vret shpresën dhe besimin te palët negociuese se mund të arrijnë në zgjidhje diplomatike kompromisi midis tyre. Besimi i thyer nga dështimi negociatave është gati gati si buka e thyer. Pas dështimit të negociatave ose riciklohen rrugë e mjete të tjera jo diplomatike e jo paqësore, ose do të duhet shumë kohë që të mund ri-fillojnë sërish negociatat. Kosto është e lartë në të dy variantet. Kjo është arsyeja që nuk mund të negociojmë pa pasur frikë…

Kosova është në një fazë delikate të historisë së saj politike. Në këtë fazë diplomacia është në plan të parë. E brënda saj diplomacie aftësia negociuese është në krye të të gjithave. Nga dikush kjo është quajtur si “faza e fundit e dialogut”. Nuk më është dukur përcaktim racional. Teorikisht është e pasaktë, ndërkohë që praktikisht është i nxituar. Ajo që mund të themi është fakti që dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re, e cila synon të krijojë një marrëveshje kuadër të gjërë që do t’i hapte rrugë radualisht normalizimit të marrëdhënieve midis dy vëndeve.

Kjo fazë e re duket të jetë e gjatë, e komplikuar dhe shumë e vështirë. Janë shumë variabla që ndikojnë për këtë. Variabla të paqëndrueshme brënda Kosovës, variabla kontradiktore brenda Serbisë, variabla ambige brënda Ballkanit, variabla dinamike brënda BE, variabla kaotike gjeopolitike euro-aziatike dhe variabla tranzitive ndërkombëtare. Sic shihet jemi në një fazë ku lypet të konsiderohen faktorë, aktorë dhe dukuri të shumta të paqëndrueshme, kontradiktore, ambige, dinamike, kaotike dhe tranzitive mjaft të paparashikueshme. Për këtë arsye përcaktimet “faza e fundit e dialogut” apo “faza e normalizimit” të marrëdhënieve janë shumë të diskutueshme dhe më shumë reflektojnë qëndrime subjektive plot keqkuptime sesa reflektojnë realitetet aktuale dhe perspektive.

Gjithë këto variabla janë në tryezën e negociatave Kosovë-Serbi. A është përgatitur diplomacia e Kosovës për t’u përballur me to? A është e qartë diplomacia e Kosovës në qëllimin dhe objektivat e saj? A ka vendosur prioritetet e veta diplomacia e Kosovës? A ka parashikuar diplomacia e Kosovës gjithë opsionet e mundshme? A ka marrë parasysh diplomacia e Kosovës tërë skenaret që mund të sjellin negociatat? A ka përllogaritur diplomacia e Kosovës avantazhet dhe dizavantazhet e saj? A e njeh mirë diplomacia e Kosovës strategjinë e diplomacisë Serbe? A e njeh diplomacia e Kosovës mirë vetveten, fuqinë dhe aftësinë e saj? A e njeh diplomacia e Kosovës sa dhe sic duhet lëndën për të cilën do negociohet? A i ka studiuar diplomacia e Kosovës faktorët e brëndshëm, faktorët Rajonal, Evropian dhe botëror? Së fundi a ka përgjigje për të gjitha këto pyetje në dosjen e vet diplomacia e Kosovës?

Referuar Kenedit, mund të thuhet se Kosova nuk ka frikë për të hyrë në bisedime. Por shqetësues është fakti që Kosova duket se hyn në negociata pa pasur frikë. E mungesa e frikës vjen nga mos njohja e negociatave, nga përgatitja e pamjaftueshme për t’u përballur me to, nga mospërllogaritja e rezultateve dhe pasojave të mundshme, nga mosparashikimi i konseguencave që mund të sjellin ato. Në thelb hyrja në negociata pa pasur frikë është naivitet diplomatik, është mungesë përgatitje, përgjegjësie dhe profesionaliteti. Më duket se diplomacia e Kosovës është në këtë gjendje. Por, situata nuk është pa shpresë dhe pa rrugëdalje.

Për të kapërcyer këtë gjëndje naive lidhur me negociatat Kosova lypet të ketë parasyshë disa elementë: Së pari, është përpilimi i strategjisë së negocimit, pra heqja dorë nga improvizimet apo të ashtuquajtura projekte kulisash. Strategjia e negocimit ka të bëjë me hartimin e tërësisë së politikave, me anën e të cilave synohet të arrihen qëllimi kryesor i negocimit dhe objektivat kryesore. Në strategji përfshihen edhe prioritetet themelore të renditura për nga shkalla e rëndësisë. Prioritetet shoqërohen me gjithë opsonalitetin e mundshëm. Më tej përpilohen skenaret përkatëse që përmbajnë pritshmëritë me avantazhet dhe dizavantazhet, me përfitimet dhe humbjet, me shkallën e garancisë dhe të rrezikshmërisë.

Dokumenti strategjik i negocimit përcakton edhe vijat e kuqe përtej të cilave nuk negociohet; vijat fleksibile, të cilat janë tit-for-tat për tërheqje dhe lëshime; si dhe vijat gri, të cilat në rrethana ultimative mund të jenë pjesë e lëshimeve. Së fundi dokumenti strategjik do duhet të përpilojë tre skenaret prognozë të përfundimit të negciatave: skenarin e arritjes së kompromisit; skenarin e humbjes të njëanshme; dhe skenarin e dështimit dypalësh të negociatave. Dokumenti strategjik do të ofrojë rrugë-daljet që do të duhet të ndjekë Kosova pas këtyre tre skenareve.

Fundamenti

Dokumenti strategjik i negocimit përgatitet nga tërësia e institucioneve kushtetuese të Kosovës të ngarkuar për politikë bërje dhe vendim-marrje në politikën e jashtme. Themeli ligjor është kuadri kushtetues i Kosovës. Asnjë individ dhe asnjë institucion i vecantë nuk mund të anashkalojë kushtetutën në këtë këtë dokument strategjik negocimi. Anashkalimi i kushtetutës është tradhëti historike. Sikundër asnjë individ dhe asnjë institucion i vecantë nuk mund të anashklojë gjithëpërfshirjen ndër-institucionale në përpilimin e strategjisë së negocimit. Cdo lëvizje dhe iniciativë jashtë institucionale shpie gjithashtu në gabime me pasoja historike.

Së dyti, pas përpilimit të këtij dokumenti strategjik negociues gjithëpërfshirës ndër-institucional kalohet në miratimin e ekipit negociator dhe udhëheqësit të tij.

Ekipi negociator është institucion ad hoc i krijuar enkas për realizimin e dokumentit startegjik negociues. Ky ekip nevojitet të jetë atdhetar që jep garanci; të jetë gjithëpërfshirës, që shpreh angazhim e kontribut; të jetë me integritet të lartë, që krijon besim; të jetë me kulturë e profesionalitet, që ushqen shpresë; të jetë me eksperiencë, që ofron modele suksesi. A ka Kosova kapacitete të tilla? Mendoj se ka plot. A po i konsideron klasa politike e Kosovës kapacitetet e vendit? Mendoj se jo. Kosova ka mjaft kapacitete njerëzore, këto duhen angazhuar në procesin e negociatave, por kjo nuk do thotë se s’mund të angazhohen edhe ekspertë jashtë Kosove.

Së treti, ekipi negociator ka shumë punë përgatitore për të bërë. Ai është hartuesi i taktikave të negocimit në proces e sipër. Ekipi ndan rolet e antarëve në përputhje me taktikën e negocimit dhe në dinamikë e sipër. Përcakton gjuhën verbale të negocimit. Gjithashtu përcakton gjuhë trupore e xhestikulare. Ekipi përpilon taktikat e punës me grupe të ndryshme ekspertësh, harmonizohet me faktorët jashtë negociatorë, komunikon me opinionin publik dhe median. Është ky ekip që hap pas hapi ofron raporte të detajuara mbi ecurinë e procesit të negocimit në përputhje me dokumentin strategjik negociues.

Së katërti, në krye të ekipit negociator vihet një personalitet me vlera, besim, kulturë dhe aftësi të njohura në fushën diplomatike në përgjithësi dhe të negociatave në vecanti. Kredibiliteti politik, profesionaliteti diplomatik dhe respekti ndërkombëtar janë trinomi i vlerave të kërkuara për liderin e ekipit negociator. Negociatat duhet t’i udhëheqë një njeri, por ato nuk mund të bëhen kurrësesi pa një punë përgaditore në ekip, pa ecuri negociatash në ekip, pa konsultim në proces në ekip dhe pa vendim-marrje në ekip.

Në procesin e negociatave Kosovë-Serbi ka rëndësi edhe përcaktimi i aleatëve strategjikë ndërkombëtar mbështetës, ndërmjetësues dhe garantues. Përcaktimi i aleatëve strategjikë ndërkombëtar mbështetës, ndërmjetësues dhe garantues nuk mënjanon përgjegjësitë kryesore të Shtetit të Kosovës. Pëprpjekja për të ndarë përgjegjësi me aleate strategjike është kryekëput e gabuar. Presidenti, Qeveria dhe gjithë institucionet kushtetuese politikë-bërëse dhe vendim-marrëëse të politikës së jashtme të Kosovës lypet të bëjnë punën e tyre paraprake, përgatitjet respektive, të demonstrojnë legjitimitet, transparencë, përgjegjshëmri dhe gjithëpërfshirje. Mbas kësaj mund të kërkohen partnerë strategjikë ndërkombëtarë mbështetës, ndërmjetësues dhe garantues, duke përfshirë ShBA, BE apo shtete individuale të vecanta. Këto të fundit mbeten faktorë të huaj mbështetës, ndërmjetësues apo garantues. Baza ngelen institucionet sovrane e legjitime kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pra, dokumenti strategjik negociues, ekipi negociator, lideri i këtij ekipi janë pjesë e detyrave dhe përgjëgjësive të Kosovës.

Kosova është 10-vjet shtet i pavarur e sovran dhe lypet të demonstrojë gadishmëri, aftësi dhe kompetenca për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, duke përfshirë edhe proceset negociuese ndërkombëtare. Gadishmëria, aftësia dhe kompetencat për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, duke përfshirë edhe proceset negociuese përbëjnë në tërësinë e tyre një prej katër parimeve të së drejtës ndërkombëtare për shtetin, si subjekt i marrëdhëinieve ndërkombëtare. Kosova duhet ta zbatojë këtë parim detyrues për shtetin. Asnjë faktor ndërkombëtar sado partner strategjik që të jetë nuk mund dhe nuk duhet të zëvëndësojë këtë detyrim ndërkombëtar të vetë Republikës së Kosovës. Transferimi i këtij detyrimi shtetëor të Kosovës tek faktorë të tjerë ndërkombëtar, qoftë edhe partnerë startegjikë, do ishte sa i pamundur aq sa edhe tregues i paaftësisë së Republikës së Kosovës për të përmbushur të drejtat dhe detyrimet e shtetit në marrëdhënie ndërkombëtare. Për Kosovën kjo është një sfidë e madhe. Është sfidë institucionale politikë-bërëse dhe vendim-marrëse, sfidë lidershipi politik, sfidë kapacitetesh diplomatike dhe ekspertize.

Në procesin e negociatave Kosovë-Serbi rolin udhëheqës e ka diplomacia. Diplomacia e Kosovës po qëndron e anashkaluar nga ky proces, po tregohet e plogësht dhe e paaftë. Diplomacia e Kosovës është në krizë. Ajo është nën trysninë e politikës së ditës, e nënshtruar nga konjukturat afatshkurtëra, e toksikuar nga idetë, qëndrimet e veprimet e partiake dhe së fundi e gulfatur në grackën bilaterale të lojës Serbe.

Diplomacia e Kosovës ka thuajse në harruar agjendën e saj të gjërë ndërkombëtare. Rënia në grackën e diplomacisë bilaterale Serbe dhë lënia pas dorë e agjendës së gjërë ndërkombëtare të Shtetit të Kosovës po e vetëizolon Kosovën, po tkurrë njohjet ndërkombëtare të saj dhe po ngadalëson dukshëm integrimin, qoftë edhe në organizata të vecanta. Ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Pacolli duket që nuk ka rolin e duhur në procesin e negociatave me Serbinë. Kjo nuk është për shkak të ndarjes së punës midis institucioneve, por është nga njëra anë për shkak të mënjanimit të tij politik nga të tjerët, nga ana tjetër, për shkak të deficencave personale formuese e profesionale. Momenti historik i Kosovës thërret diplomacinë në krye të punëve. Diplomacia aktuale e Kosovës nuk është në nivelin e momentit historik.