Mos i pengoni investitorët!
Nga Enis Veliu – Burokracia, korrupsioni dhe sistemi i brishtë i drejtësisë, edhe më tutje vazhdojnë të jenë pengesa kryesore për investitorët e huaj që ia mësyjnë Kosovës për të bërë biznes.
Bazuar në të dhëna zyrtare, viteve të fundit numri, por edhe shuma e mjeteve të huaja që janë investuar në vendin tonë, ka rënë dukshëm në raport me vitet paraprake.
Madje si për çudi biznese të mëdha kanë braktisur përfundimisht shtetin tonë, pasi që nuk kanë pranuar që të hyjnë në aranzhmane korrupsioni.
Tashmë është krijuar një perceptim publik se çdokush i huaj që tenton të investojë në vendin tonë duhet t’ia paguajë “tallin” politikës.
Dhënia e përqindjes si kusht kryesor për të kryer punë në vendin tonë thuajse është standardizuar.
Për këtë çështje zyrtarisht askush nuk flet, sidomos para organeve të drejtësisë, por jo zyrtarisht shumica e tyre pranojnë se kanë dhënë ryshfet nga 5 deri në 20 për qind të vlerës së tenderit.
Disa vite pas përfundimit të luftës, me konkretisht pas fillimit të procesit të privatizimit, numri i investitorëve të huaj në vendin tonë rritej dita-ditës.
Por, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, investimet e huaja në vendin tonë kanë rënë nga dita në ditë.
Këtë e dëshmojnë të dhënat e Bankës Qendrore, ku thuhet se investimet direkte kanë shënuar rënie të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, kurse në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.
Përfundimisht institucionet e Kosovës biznesin duhet ta shohin si promotor të zhvillimit ekonomik të vendit, pasi që përmes zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mund të hapet një numër i madh i vendeve të reja të punës, e jo ata t’i përdorin bizneset e huaja, si mjet për të përfituar personalisht siç ka ndodhur dhe po ndodh në vazhdimësi.
Si për çudi në Kosovë numri i politikanëve biznesmenë po rritet dita-ditës, siç po rritet edhe numri i biznesmenëve që po shuajnë bizneset e tyre, pasi që nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë presioneve, shantazheve të politikës.
Së fundi bankat komerciale në vend thuajse çdo ditë po nxjerrin në shitje shtëpi, e pasuri të bizneseve që i kanë lënë në hipotekë, si kusht për të marrë kredi për ta zhvilluar biznesin e tyre.
Por, në fund ka ndodhur e kundërta. Ata i kanë paguar “tallin” politikës dhe në fund janë dorëzuar, pasi që nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë kamatave të larta dhe pagesës së haraçit njëkohësisht.
Bizneset e lidhura ngushtë me politikën po lulëzojnë dita-ditës, ndërkaq biznesmenët që nuk pranojnë t’u japin para atyre, po shkatërrohen në vazhdimësi.
Institucionet e vendit sa më shpejt që është e mundur duhet ta rritin efikasitetin në sistemin e drejtësisë, e në të kundërtën numri i investitorëve të huaj do të bjerë edhe më tutje.
Nëse bazohemi në të kaluarën, por edhe në të tashmen, investitorët e huaj duhet të presin me vite të tëra për ta zgjidhur një problem në gjykata, e nëpër shtetet tjera të rajonit apo edhe më gjerë, një çështje e tillë kryhet edhe brenda ditës.
E derisa në të kaluarën energjia elektrike dhe infrastruktura rrugore kanë qenë pengesë për investitorët e huaj, tash sistemi i brishtë i drejtësisë është problemi kyç që pengon ata të vijnë në vendin tonë.


