UBT

Mos i lini idiotët të fitojnë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Idiotët janë në rrugë të mirë për të fituar luftën me shumicën e ndershme të shoqërisë. Por, ata nuk duhet lejuar në qëllimin e tyre. Duhet t’i ndalojmë të na udhëheqin jetët tona, të vendosin për të ardhmen tonë.

Atyre që e kanë parë filmin e regjisorit Michael Cuesta, “Kill the Messenger”, mund t’iu kujtohet një porosi e gazetarit Gary Webb (luajtur nga aktori Jeremy Renner), për një koleg të tijin nga gazeta rivale. Filmi, i bazuar në histori të vërtetë, është një rrëfim për gazetarin i cili, përkundër presioneve dhe shantazheve, në vitet ’90 publikoi disa artikuj të guximshëm lidhur me burimin e parave që SHBA shfrytëzoi për të financuar luftën kundër qeverisë komuniste të Nikaraguas. Shkrimet që kishin të bënin me kontrabandimin e katër tonëve drogë implikonin qeverinë amerikane dhe CIA’n në këtë çështje.

Pas botimit të artikullit të parë, kur kolegu nga gazeta rivale e pyet Webb’in nëse ka ndonjë porosi për të, ai thotë: “Mos i lini idotët të fitojnë”. Një porosi kjo që bëhet edhe më kuptimplotë në rrethanat kosovare, kur idiotët janë në rrugë të mirë për të fituar betejën me shumicën e ndershme.

Gary Webb është personifikim i luftëtarit të së vërtetës, i atillë çfarë kemi edhe në Kosovë, ashtu siç kemi dhe media si gazeta për të cilën ai punonte, “San Jose Mercury News”. Si profesionist me integritet, ai zgjedh të sfidojë shtetin, nëpërmjet hulumtimit të titulluar “Aleanca e errët”, pavarësisht se paralajmërohet për pasojat, nëse e publikon atë. Madje, më vonë ai përballet edhe me injorimin e redaksisë së tij dhe të mediave rivale. E qëllim kishte që të mos i lë idiotët dhe idiotësinë të fitojnë.

* * *

Idiotët ka kohë që kanë nisur betejën e tyre për të ngadhënjyer në shoqërinë kosovare. Ata i gjen gjithandej: në politikë, në arsim, shëndetësi, kulturë. I gjen në vendet kyçe të vendimmarrjes, i gjen në pozita të lakmueshme të menaxhimit, qeverisjes.

Ata kanë përdorur e keqpërdorur resurset e këtij shteti të varfër për interesa të veta. Ata janë pasuruar në emër të sakrificës për këtë shtet, janë katapultuar në krye të institucioneve pa meritë.

Ndonjëri ka “përfunduar” si ambasador, tjetri si akademik me tituj të blerë ose të falur shkencorë, të tjerë janë rehatuar si biznesmenë që kontrollojnë fushat kryesore të ekonomisë së vendit.

Por, radha e tyre nuk përfundon këtu. Ka nga ata që janë vënë në krye të institucioneve politike e të sigurisë pavarësisht të kaluarës së tyre të errët. Të tjerë kanë kapur institucione të tjera vitale të shtetit, e të tjerë janë rehatuar në krye të agjencive të rëndësishme e kompanive publike. Ndonjëri që “e do kulturën” është rehatuar në krye të institucioneve kulturore. Dhe, këta idiotë udhëheqin jetën tonë, vendosin për të ardhmen tonë. Këta idiotë tallen me ne çdo ditë, na konsiderojnë hiçgjë.

Mobi Casa

Në fjalorin e shqipes, idiot është ai person që është i metë ose shumë i trashë nga mendja, ai që sillet, flet a vepron si i tillë. Idiotët tonë nuk është se vuajnë për mend, por ata veprojnë e flasin si të tillë. Shumë nga ata nuk dinë t’i lexojnë dhjetë rreshta, ndërkohë që janë plot tituj shkencorë, Natyrisht, të falur nga idiotë të tjerë që kanë kapur institucione akademike.

Përveç idiotësisë, ata kanë edhe një të përbashkët tjetër: shteti është në shërbim të tyre. Ata nuk janë aty për shtetin, por shteti për ta. Shtetin e kanë kthyer në pronë private. Për t’i kënaqur apetitet e tyre politike e biznesore, akademike e kulturore.

Dhe vazhdojnë. Vazhdojnë betejën, për ta fituar luftën me ne. Me ne që na konsiderojnë idiotë të klasit të parë. Me ne që vazhdojmë të mos bëzajmë, por i pranojmë të na udhëheqin jetët tona, të na dizajnojnë të ardhmen tonë.

* * *

Beteja e Gary Webb’it ishte një betejë e Davidit kundër Goliatit dhe këtë herë fitoi Goliati. Interesat e mëdha bënë që ai të mos kishte mbështetjen e mjaftueshme për të shkuar tutje. Idiotët nuk ia krijuan mundësinë që ai të çonte deri në fund atë që të tjerët as e filluan.

Guximshëm, ai jo vetëm që hulumtoi lidhjen ndërmjet CIA’s dhe trafikantëve të drogës nga Nikaragua, me qëllim të financimit të luftës së Contras’it kundër qeverisë komuniste nikaraguaiane, por gjeti edhe se kjo kontrabandë në shkallë të gjerë shkaktoi një epidemi të drogës në lagjet e afrikano-amerikanëve në Los Angeles dhe vende të tjera. Webb detyroi CIA’n që të bëjë një hetim serioz mbi këtë çështje, ndërkohë që karriera e tij prej gazetari ishte shkatërruar dhe ai vrau veten në vitin 2004.

Të mos i lësh idiotët të fitojnë duhet të jetë lajtmotiv për secilin gazetar a aktivist civil, të cilët duhet të çojnë tutje përpjekjet e veta për një shtet të pastruar nga të tillët.

Të mos i lësh ata të fitojnë duhet të jetë lajtmotiv për secilin qytetar, që të aktivizohet në përpjekje për të siguruar jetë dhe të ardhme më të mirë, jashtë sundimit të idiotëve.

Idiotët mund ta fitojnë betejën, por nuk duhet lejuar që ta fitojnë edhe luftën me ne. Ata duhet ndaluar në përpjekjet për të dalë trimfues në luftën me shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen tonë.