Mos i besoni “Hashimit të ri”
Nga Imer Mushkolaj – Duhet të mos kesh mend në kokë, për t’iu besuar atyre që thotë Hashim Thaçi. Tash si president, ai po provon të shfaqet si “njeri i ri”. Të krijohet përshtypja se nuk ka jetuar këndejpari gjithë këto vjet dhe Kosova që kemi nuk është trashëgimi e keqqeverisjes së tij. Mos i besoni. Është ai i vjetri, veç me petk të ri. Veç në karrige tjetër.
Lexojeni këtë deklaratë: “Drejtësinë askush nuk mund ta blejë. Shkeljen e ligjit askush nuk mund ta injorojë, ta heshtë e as ta fshehë, por nuk do të tolerohet askush as për të pushuar, fjetur apo pasuruar mbi dosjet e shkelësve të ligjit”. Është e vitit 2008 dhe e ka thënë Hashim Thaçi – atëherë kryeministër, tash president.
Lexojeni edhe këtë tjetrën: “Nuk dua të ketë hezitime në betejën kundër korrupsionit, por duhet të shkohet deri në fund. Qëndrimi i qeverisë është zero tolerancë ndaj korrupsionit, kudo dhe kurdoherë që paraqitet”. Po ashtu është e vitit 2008 dhe, po ashtu, e ka thënë Hashim Thaçi.
E kjo? “Tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit do të jetë përgjigjja jonë ndaj të gjithë kundërshtuesve të rendit dhe ligjit”. Hashim Thaçi e ka thënë edhe këtë, veçse në vitin 2009.
Mjaftojnë vetëm këto deklarata për të kuptuar gjithë demagogjinë e njeriut që është ngjitur në karrigen e të parit të shtetit.
Gjatë dy mandateve në krye të Qeverisë, Hashim Thaçi nuk ia ka dalë ose nuk ka dashur të krijojë një shtet të së drejtës, një shtet që ndëshkon shkelësit e ligjit.
Drejtësia është blerë nga të fortët, shkelja e ligjit është bërë me qëllim ose është injoruar e heshtur, ndërkaq mbi dosjet e shkelësve të ligjit njerëzit janë pasuruar.
Ndërkaq, deklarimet e tash presidentit për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit kanë mbetur vetëm parulla që tingëllojnë bukur, me të cilat edhe mund të fitohen vota, por pastaj gjithçka vazhdon edhe më keq se më parë.
Gjatë dy mandateve të Thaçit si kryeministër krimi e korrupsioni kanë lulëzuar, drejtësia është kapur e shteti është privatizuar. Por, tash ai po përpiqet që të shfaqet krejt tjetër Hashim, një Hashim i ri dhe që të krijon përshtypjen se viteve të fundit nuk ka jetuar këndejpari.
LEXO EDHE
Presidenti që vjen nga kultura e lirisë
* * *
Nëse e dëgjoni me vëmendje çfarë thotë tash, Hashim Thaçi po shfaqet si njeri që nuk mban kurrfarë poërgjegjësie për trashëgiminë që ka lënë mbrapa, për Kosovën e ngulfatur krimi e korrupsioni, Kosovën e pazhvilluar, Kosovën e izoluar. Po shfaqet si njeri i unitetit dhe epitetin hero nuk po heziton ta shpërndajë për këdo që i vjen ndërmend.
Në një fjalim para zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, ai tha se heroi i Kosovës është prokurori i mirë, gjyqtari i drejtë dhe gardiani i qendrave korrektuese, i cili punon strikt sipas ligjeve. Por, nuk tha asnjë fjalë se si pikërisht këta që i përmendi gjenden në grusht të politikës që i përdor për qëllime të veta.
Presidenti tha, po ashtu, se çështja e depolitizimit të institucioneve do të jetë e përhershme dhe se në bordet e institucioneve të pavarura do të ketë më pak njerëz politikë. Dyfytyrësi e llojit të vet. Bordet janë përplot militantë të PDK’së e AAK’së dhe vazhdojnë të mbushen çdo ditë.
Presidenti premtoi se në institucione apo në agjenci nuk do të ketë persona me dosje kriminale e njerëz me aktakuza. Madje shtoi se edhe në listat e ardhshme zgjedhore nuk duhet të ketë vend për të njëjtit.
Ai “harroi” se zyrtarë të lartë të PDK’së e kryetarë komunash kanë qeverisur e vazhdojnë të qeverisin, pavarësisht se janë dënuar nga drejtësia. Ka edhe nga ata që i kanë ikur drejtësisë.
Presidenti theksoi edhe se zyrtarët e drejtësisë e deputetët duhet të jenë më të guximshëm në mbrojtjen e kushtetutës. Pra, besoni a jo, për mbrojtjen e kushtetutës po flet njeriu që ishte numri dy i qeverisë që e shkeli atë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel.
* * *
Duhet të mos kesh mend në kokë, për t’iu besuar atyre që thotë Hashim Thaçi. Keqqeverisja e tij gjatë dy mandateve si kryeministër e ka sjellë vendin në situatë të vështirë. E ka shndërruar në një shtet të kapur, që shërben për shfryrje epshesh të të pangopurve, të cilët ende vazhdojnë ta vjedhin e plaçkitin.
Presidentit Thaçi tash i ka rënë ndërmend se u dashka kthyer besimi i qytetarëve tek institucionet publike. Tek institucionet që i ka pasur e vazhdon t’i ketë në dorë, pavarësisht se formalisht nuk është në krye të partisë e të ekzekutivit. Institucionet që janë shndërruar në zyra njerëzisht të papërgjegjshëm e të korruptuar. Si t’iu besohet këtyre institucioneve dhe njerëzve në to, të cilët qëllim parësor i kanë përfitimet e privilegjet, e jo kujdesin ndaj qytetarit?
Andaj, mos i besoni “Hashimit tjetër”. Është ai i vjetri, veç me petk të ri. Veç në karrige tjetër.


