Mos i amnistoni uzurpatorët
Nga Enis Veliu – Qindra prona shoqërore në gjithë territorin e Kosovës, edhe më tutje vazhdojnë të jenë në dorë të uzurpatorëve, pavarësisht se ditë më parë Prokuroria kishte premtuar se brenda një periudhe të shkurtër kohore do t’i lirojë ato.
Gjatë dy javëve të kaluara, Policia e Kosovës përmes një aksioni simbolik kishte liruar disa lokale të vogla në Prishtinë, Ferizaj. Por, fatkeqësisht edhe shumë prona të mëdha shoqërore, edhe më tutje vazhdojnë të menaxhohen nga uzurpatorë të ndryshëm, ku nga to po krijojnë të hyra marramendëse.
Para pak ditësh përmes një hulumtimi gazeta “Zëri” ka gjetur se kompania “Gama” ka të uzurpuar objektin e shitjes dhe një parcelë toke në hyrje të Prishtinës.
“Mustafë Bucaliu ka të uzurpuar një parcelë dhe një ndërtesë të NSH-së ‘Magjistralja’, te bulevardi ‘Bill Klinton’ dhe te rrethi në Fushë Kosovë. Ndërtesa është në madhësi prej 1872 metra katrorë, ndërsa toka është në hapësirë prej 6546 metra katrorë”, tregon raporti i publikuar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për asetet shoqërore të uzurpuara aktualisht.
Objekti me emrin e biznesit “Gama Elektronik”, i uzurpuar, është ndër pikat kryesore të shitjes së kësaj kompanie. Mirëpo, edhe pas raportimeve, biznesi në fjalë pa asnjë problem vazhdon ta ushtrojë veprimtarinë, pa u penguar nga askush. Raste si kjo ka edhe më tutje sa të duash në gjitha komunat e Kosovës.
Persona të lidhur ngushtë me pushtetin, por edhe partitë politike prej përfundimit të luftës, por edhe sot, aktualisht kanë përfituar shuma të mëdha parash nga pronat shoqërore.
Gazeta “Zëri” ditë më parë kishte raportuar se një person për një dekadë kishte mbajtur të uzurpuar një pronë të madhe në mes të Prishtinës, ku nga ajo kishte përfituar në emër të qirasë mbi një milion euro, por tash me të thuajse askush nuk po merret.
Në kushte dhe rrethana normale Prokuroria përpos së duhet të lirojë pronat e uzurpuara, ajo duhet të konfiskojë edhe pronat private të personave që kanë krijuar pasuri nga pronat e uzurpuara, e nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë në mënyrë automatike po amnistohen uzurpatorët që kanë krijuar kapital prej miliona eurosh nga prona shoqërore.
Prokuroria po ashtu në këtë rast nuk duhet të lërë anash edhe zyrtarët e lartë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit që deri më tash kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë.
Madje, këta për më shumë se një dekadë me xhelozi e kanë ruajtur listën e personave që kanë uzurpuar pronat shoqërore. Uzurpatorët e lidhur ngushtë me zyrtarët e lartë të AKP-së, por edhe me partitë politike në masë të madhe kanë dëmtuar shtetin në aspektin ekonomik, pasi që tashmë disa raste janë evidentuar kur investitorët e huaj kanë privatizuar objektet shoqërore në Kosovë, por nuk kanë mundur t’i marrin në menaxhim ngase nuk janë lejuar nga investitorët.
Këta të fundit disa herë radhazi kanë paraqitur rastin edhe në Polici dhe Prokurori, por reagimi i këtyre të fundit po ndodh shumë vite me vonesë, atëherë kur uzurpatorët janë bërë milionerë nga uzurpimi i pronave shoqërore.


