Fundamenti

….mos e vet, se t’kallxon vet!

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Riad Rashiti – Edhe pse nuk do të duhej aspak ti reagojë një praktikanti, sepse relevanca nuk është adekuate, mirëpo për hir të sqarimit të publikut me duhet të reagoj ndaj “deklaratës” së tij. Është për tu vlerësuar sinqeriteti i “praktikantit” të komunës së Gjilanit, në reagimin lidhur me keqpërdorimet e paraqitura në publik, të bëra nga zyra e prokurimit, e me lejen e kryetarit të komunës.

Ai, e ka pranuar plotësisht të vërtetën, për të cilën ne kemi ngritur shqetësimin tonë si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve (e jo në cilësinë e praktikantëve), për shkeljet procedurale dhe ligjore, andaj edhe kemi kërkuar fillimin e hetimeve nga prokuroria e Gjilanit, lidhur me projektin e realizuar pa asnjë procedurë ligjore. Pranimi i këtij fakti nga ana e tij, shpresoj shumë se do ti shërbejë punës së hetuesisë në Gjilan.

Ndërsa sa i përket tentimit për të keqpërdorur shprehjet emocionale nga ana e “praktikantit” të komunës (në mungesë të zëdhënësit), ne e kuptojmë papërvojën e tij profesionale dhe arsimore por edhe atë politike.

Duke pasur parasysh të lartëcekurat, unë po mundohem ta kuptojë edhe një pjesë të reagimit të “nekrofilit” të komunës së Gjilanit, sepse përndryshe do ta quaja të turpshme, kur ka pyetur “çfarë patët me varrezat” dhe kur thotë se po i pengojnë edhe eshtrat e familjarëve tanë.

Këtë shprehje do ta quaja një ligësi të llojit të vet, sepse ne në asnjë moment nuk kemi thënë pse po investohet aty, sepse edhe ne në qeverisjen tonë kemi investuar dy projekte në varrezat e qytetit të Gjilanit. Kemi bashkëpunuar ngushtë dhe shumë mirë me Bashkësinë Islame, ku përveç projekteve të realizuara , ishim ne ata të morëm vendimin për heqjen e shpenzimeve të varrimit për të gjithë qytetarët e Gjilanit.

Ne, si përfaqësues të qytetarëve, në këtë rast, vetëm kemi paraqitur shqetësimin për anashkalimin e të gjitha procedurave dhe shkeljeve ligjore për projektin në fjalë, e të cilat mirë që po i pranon edhe vet ‘praktikanti” i komunës së Gjilanit.

Uji Dea

Nuk është vetëm ky rast ku Komuna e Gjilanit po bën shkelje ligjore ne kontraktimin dhe kryerjen e projekteve të komunës.

Përndryshe, numri i projekteve përmes kuotimit (informacion që na dha “praktikanti”) dhe krahasimi me vitin paraprak, tregon më së miri dinamikën e punëve në komunën tonë. Aktualisht janë realizuar 14 projekte të “vockla” në mesin e këtij viti, ndërsa vitin e kaluar qenkan realizuar 84 projekte.

“Praktikanti” ynë po i tregon publikut të komunës më së miri për angazhimin dhe efikasitetin e kësaj qeverisje lokale. Prandaj thuhet në popull: ….mos e vet, se t’kallxon vet!

P.S
I rekomandoj “praktikantit” të komunës, që në reagimet e tij të ketë më shumë kujdes dhe mos të bëjë “copy-paste” të tekstit të marrur nga email-i i zyrtarëve të komunës dhe të shfrytëzojë në reagimin e tij.

Riad Rashiti, këshilltar komunal – Gjilan