Mos e harroni Betejën e Zhegocit, aty u vranë fëmijë, pleq e gra

Gjilan – Edhe Verbica e Zhegovcit ka përjetuar të njëjtin fat sikurse fshatrat tjera të Gjilanit. Ofensiva serbe në këto rajone nuk ka kursyer as fëmijë, pleq e gra. Çka dëshmojnë dëshmitarët e atyre ditëve të tmerrit. Si e shohin ata tani masakrën. Çka thotë Mustafë Zymberi, Remzi Hajrullahu, Afrim Myrtaj. Pse dosja e Zhegocit nuk u hetua kurrë nga hetuesit vendor.

Sipas dëshmitarëve dhe aktivistëve më 15.04.1999 në ofensivën serbe e cila udhëhiqej nga ushtria e rregullt e ndihmuar edhe nga policia janë vrarë tek vendi i quajtur :“Te Hanët e Zhegovcit” : Hanumshahe Abdullahu-Zymberi e lindur më 02.10.1962, Tefik Vehbi Zymberi, 21.12.1960, Ramadan Hysen Hyseni 20.12.1954, Shaban Hysen Hyseni 06.07.1960.

Sipas dëshmitarëve ky grup është vrarë nga grupet ushtarake policore dhe se ata janë vrarë në rroba civile. Mustafë Zymberi vëllai i Tefik Zymberit thotë se ky grup është vrarë nga njësitet speciale të Serbisë. Rreth 6000 polic mendohet të kenë marrë pjesë në ofensivën e Zhegovcit.

Mustafa thotë se pas katër ditësh ka arritur të shkojë në vendin e krimit ku janë groposur në një varrezë masive të gjithë të vrarët. “Policia dhe ushtria serbe për t`i humbur gjurmët i kanë varrosur me ekskavator kufomat. Kur e kam hapur varrin e kam identifikuar Tefikun i cili ka qenë i masakruar” shprehet Mustafa.

Në të njëjtën ditë sipas Remzi Hajrullahut aktivist janë vrarë Pajazit Misin Ahmeti i lindur më 23.06.1971 dhe Alban Shaqir Ajeti i lindur më 05.09.1978. Edhe dëshmitari tjetër Remzi Sylejmani nga Zhegoci thotë se këto vrasje janë shkaktuar nga njësitë ushtarake e policore serbe që gjuanin nga fshati serb Parallovë.

Këtë deklaratë Remzi Sylejmani e ka dhënë më 15 prill 1999 para komisionit për krimet e luftës në Gjilan.

Për vrasjen e Pajazit Ahmetit ka dëshmuar Afrim Myrtaj(1974) , i plagosur në ofensivën e Zhegovcit. “Kam qenë afër Pajazit Ahmetit ku kemi rënë në pritë nga forcat serbe. Ata menjëherë kanë shtënë në drejtim tonin dhe unë kam marrë 9 plumba në trup kurse Pajaziti ka vdekur në vend sepse ka pasur hiq më pak se 820 plumba në trup” rrëfen Afrimi.

Sipas Afrimit ofensiva e Zhegovcit ka nisur në ora 10.00 të paraditës së 15 prillit 1999. “Unë ashtu i plagosur dhe duke u vetëmbrojtur me të shtëna kohë pas kohe kam arritur që të ikë dhe të shpëtojë”. Afrimi sot është polic në njësitin e hetimeve kriminale në Gjilan.

Në të njëjtën ofensivë janë vrarë edhe : Gafurr Hyseni i lindur më 18.06.1948, i vrarë në hyrje të fshatit Slovi e Lipjanit. Më 16 prill 1999 në pjesën jugore të Zhegovcit tek vendi i quajtur “Lugu i Demës” janë vrarë : Sahit Beqir Baftiu 01.01.1952, Shahin Beqir Baftiu (1959) , Bahri Xhymshit Sadiku (1966) dhe Kastriot Sahit Baftiu i lindur më 24.11.1985.

Më 21 prill 1999 është vrarë : Bahtir Habib Jahiri i lindur më 01.05.1975 është vrarë në vendin e quajtur Bullaj.

Më 21 maj 1999 janë vrarë : Ibrahim Xhemajl Pacolli ( 18.08.1960) i cili është vrarë në lagjen e quajtur “Nuhajt”, kurse Naile Abaz Jahiri e lindur më 15.04.1912 është vrarë në prag të shtëpisë së saj.

Për vrasjen e Naile Jahirit e lindur në fshatin Marevc të Prishtinës me vendbanim në Verbicë ka dëshmuar Fadil Jahiri nga fshati Verbicë.Sipas këtij dëshmitari Nailja është vrarë nga një grup paramilitarësh nga një polic i quajtur Sllobodan nga fshati Llabjan si dhe një polic me emrin Pera nga fshati Prekovc.

Më 16 prill 1999 është vrarë edhe Zylfije Gashi e lindur më 05.07.1979) si dhe është plagosur Shqipe Gashi (1982).

Më 15 prill 1999 nga e njëjta ofensivë janë vrarë tek “Lugi i Mrizit” : Sherif Sefë Sherifi i lindur më 07.05.1943 dhe Enver Pacolli.

Gjithashtu më 15 prill 1999, por në vende të ndara tek vendi i quajtur “Bisag” janë vrarë: Ilmi Hysen Hyseni i lindur më 10.06.1966, Feim Ajeti i lindur më 21.05.1983, Bashkim Ramadani i lindur më 24.11.1982. Ky grup është vrarë në istikame.

Ndërsa në lagjen Bilinicë tek vendi i quajtur “Kodra e madhe” janë vrarë: Fadil Shemsi Ajeti i lindur më 15.02.1977, Ismet Ibrahim Ajeti i lindur më 29.03.1941 si dhe janë vrarë dy mysafirë Fatmir Ademi i lindur më 05.07.1966 dhe Blerim Ademi i lindur më 31.05.1979.

Gjithashtu më 15 prill 1999 në qendër të fshatit Zhegovc është vrarë me snajper:Ismet Hamdi Sadiku i lindur më 25.07.1956. Dëshmitarët Nazmi Beqiri dhe Bekim Sadiku kanë deklaruar se Ismeti është vrarë në rroba civile. Ismet Sadiku është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe tek shkolla e fshatit në Verbicë të Zhegovcit.

Më 15 prill 1999 derisa po luftonte në Zhegovc, Muharrem Raif Ibrahimi i lindur më 02.08.1959 nga Gjilani detyrohet së bashku me shokët të tërhiqet në Marevc ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë serbe.

Në vijën e parë të frontit qëllohet nga një granatë ku merr lëndime në shpatull dhe këmbë. Plagën e kishte të madhe dhe të pa evitueshme në mungesë të mjekimit adekuat.
Të plagosur rëndë Muharrem Ibrahimin e gjen Basri Canolli-Shpendi (gjithashtu dëshmor i kombit) i cili e merr dhe e strehon tek familja e tij. Pas dy ditëve, më 21 Prill 1999. vdes në odën e Halil Canollit, dhe varroset në varrezat familjare. Prej atje më 19. Shtator 1999, rivarroset në varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Gjatë hulumtimit të dokumentacionit rreth veprimit të patologëve serb dhe gjykatësve hetues në vendin e ngjarjes shihet se kanë bërë procesverbale ,por në shumicën e rasteve ato janë bërë për N.N. persona.

Në rastin e Verbicës së Zhegovcit është gjetur procesverbali mbi zhvarrimin e tetë shqiptarëve të vrarë për eks-humacionin e tyre e cila procedurë është kryer nga gjykatësi Zhivojin Jankoviq. Kufomat i ka shikuar patologu dr. Millorad Pavlloviq si dhe inspektori policor Bojzhin Ristiq.

Gjithashtu nga dëshmitë që ka mbledhur Komisioni për krimet e luftës në Gjilan për vrasjet në Zhegovc, Vërbicë, Bresalc, Gadish, Sllakovc, e Kishna Pole, ekziston dyshimi i bazuar se në këto treva gjatë ofensivave serbe ka vepruar Brigada 175 e Këmbësorisë së Leskocit nga Serbia.

Çfarë dëshmoj në EULEX, ish polici serb për Dosjen e Zhegocit

Edhe pse nga EULEX-i në Gjilan ishte hetuar dhe marrë në pyetje një ish polic serb si i dyshuar se ka marrë pjesë në krimet e kryera në Zhegoc e Verbicë, kurrë asnjë hetim zyrtar ndaj tij nuk është zhvilluar ose të paktën kjo është mbajtur sekret.

Ish polici serb V.I. nga Gjilani është marrë në pyetje para tre vitesh nga EULEX-i si i dyshuar për vrasjen e 12 shqiptarëve në Vërbicë të Zhegovcit e njohur si ofensiva e Zhegovcit e datës 15 prill 1999.

Ish polici serb nga Kamenica V.I. shef i njësitit policor për një lagje në Gjilan kishte rrëfyer në EULEX gjëra interesante, derisa EULEX e pati quajtur vetëm si “bisedë informative” deklaratën e ish policit. Ish polici serb ka dhënë detaje interesante dhe emra të mundshëm si të dyshuar për vrasjen e shqiptarëve.

Ai ka deklaruar se në të njëjtën kohë pra në prill të vitit 1999 ka qenë në Carralevë duke shërbyer. Por ai ka thënë se vrasjet në Zhegovc janë kryer nga njësiti për antiterrorizëm dhe njësia speciale e ardhur nga Serbia.

Gjithnjë sipas këtij ish polici në vrasjet e Zhegovcit kanë marrë pjesë edhe disa polic serb nga Suhareka të cilët e kanë folur mirë gjuhën shqipe. Madje i njëjti polic i dyshuar ka thënë se “Dosja e Zhegovcit” është në Beograd dhe për të gjitha vrasjet ekzistojnë dokumentacione, prova dhe materiale interesante.

Ai e ka shfajësuar vetën duke thënë se me të njëjtin emër ekziston edhe një serb në një fshat të Gjilanit. Megjithatë polici V.I është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me hetuesit ndërkombëtarë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).