Morali i PDK-së, hipotekë në bankë

Nga Genc Mustafa – Në plotësimet e fundit të qeverisë, u emërua edhe një zëvendësministër nga Gjilani, Izmi Zeka, i cili në të njëjtën kohë është edhe këshilltar komunal në Asamblenë e Gjilanit. Sipas traditës, pritej që Zeka do ta linte mandatin e këshilltarit komunal, si dorëheqje morale, për t’i liruar vendin anëtarit të radhës nga partia e tij, të cilit do t’i jepej kjo mundësi me rastin e lirimit të vendit nga partia në përkatëse. Kjo nuk ndodhi dhe si duket nuk ka për të ndodhur.
Në një qytet të vogël merren vesh shumë gjëra, edhe kush është anëtari në pritje, edhe cili është vendimi i Zekës për këtë çështje, përpara se ai të japë një përgjigje zyrtare për këtë. E që e ka me borxh t’ia japë partive të tjera, se pse po i mban dy poste në të njëjtën kohë.
Edhe pse kjo po provohet të heshtet nga ai, vrojtuesit e politikës po e presin një gjë të tillë dhe është legjitime që njerëzit ta komentojnë këtë.
Ndonëse e pakonfirmuar zyrtarisht, në qytet po flitet se Zeka, moslëshimin e mandatit të deputetit ta ketë arsyetuar me një kredi në bankë. Pra i duhet edhe paga e këshilltarit komunal për ta larë këstin, nuk i mjafton veç ajo e zëvendësministrit.
Nuk e dimë nëse ky arsyetim mund të interpretohet edhe ndryshe. Por, nëse është kështu, ky është arsyetimi më interesant që ka njohur politika jonë, në të tilla raste dhe kjo e arsyeton titullin. E arsyeton dilemën, nëse PDK moralin e paska hipotekuar në bankë.
Për ndryshe, ndërhyrja në punët e brendshme të partisë tjetër do të ishte e paarsyeshme sikur të njëjtën gjë mos ta bënin në mënyrë të përsëritur moralistët e kësaj partie në kuvendin komunal e jo rrallë herë edhe zëdhënësit partiakë, të shndërruar në përfaqësues të moralit.
Edhe çështja e interpretimit të ligjit nuk na takon neve as nuk është kompetencë e jona, por ajo të bën të reagosh është një lloj tradite dhe morali në këto raste, aq më tepër të proklamuar më shumë po nga ata të cilët në rastin e tyre nuk po e respektojnë të njëjtën gjë.
Ka raste kur zyrtarë politikë gjejnë një vend pune për të cilin kërkohet dorëheqja nga posti politik, por ka raste kur këtë e lejon ligji. Sidoqoftë, edhe në rastet e fundit, pra kur lejohet, është një rregull i pashkruar, një traditë, një tërheqje morale apo lirim i postit politik, kjo për disa arsye. Jo vetëm për shkak të mos mbajtjes së dy vendeve të punës, por edhe për t’u dhënë hapësirë më shumë anëtarëve të partisë për të marrë pjesë në përfaqësim. Kjo e fundit i bën mirë partisë pasi krijon mundësinë e angazhimit të më shumë njerëzve.
Edhe nëse ligji është i paplotësuar, apo si thonë avokatët, gjendet ndonjë zbrazëti ligjore, nuk duket të jetë e moralshme mbajtja e dy posteve zyrtare. Aq më pak nga po ata të cilët janë kundër këtij fenomeni – kur ndodh tek pala tjetër.
Kisha dashur një deklarim nga këshilltarët komunalë të PDK-së për këtë. Pse ju po i mbani nga dy poste?