Monografitë e dobëta dhe shkrimi i shenjtë për dëshmorët!

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Në morinë e shumë veprave, monografive, dhe krijimeve për dëshmorët, ka pasur dhe fatkeqësisht ka edhe të tilla të cilat janë krijuar dobët dhe dosido. Nëpër disa mungojnë fakte, të tjera nuk përfillin kriteret, e në shumë prej tyre as për së afërmi nuk jepet jeta dhe vepra për dëshmorin për të cilin është shkruar.

Kalojnë vite, dekada e shekuj dhe kujtimet për dëshmorët mbeten përherë të freskëta në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë, falë flijimit të dëshmorëve frymojnë dhe jetojnë të lirë. Përkujtimi për dëshmorët, është nderim, obligim e përgjegjësi më së paku që mund ta bëjmë për flijimin e tyre.

Të pasqyrosh jetën dhe veprën e një dëshmori të lirisë përmes shkrimit, sa është një përgjegjësi po aq edhe një çështje e shenjtë dhe kërkon trajtim të veçantë. Ngjarjet dhe bëmat e kaluara të një populli gjatë kohëve dihet se i takojnë historisë, shkencës e cila vlerëson, regjistron apo edhe stigmatizon të vërtetat e ndodhura.

Me përfundimin e luftës çlirimtare, historiografia jonë bashkë me shkrime për dëshmorët dhe ngjarje të rëndësishme historike, ka shtyrë historianë, krijues dhe veprimtarë të ndryshëm të përmbushin njohuritë tek lexuesit dhe brezat. Por, duhet përmendur gjithsesi, se jo të gjitha shkrimet dhe botimet kanë qenë të nivelit çfarë duhej të ishin në të vërtet.

Në morinë e shumë veprave, monografive, dhe krijimeve për dëshmorët, ka pasur e fatkeqësisht ka edhe të tilla të cilat janë krijuar dosido. Nëpër disa mungojnë fakte, të tjera nuk përfillin kriteret, e në shumë prej tyre as për së afërmi nuk jepet jeta dhe vepra për dëshmorin për të cilin është shkruar.

Shkrimi i historisë dhe anashkalimi i të vërtetave apo edhe shkrimi nën diktatin e mos njohurive të mjaftueshme, mos studimit për prezantimin e drejtë të ngjarjes apo personazhit për të cilin shkruhet, pa mëdyshje është kuazi shkencë dhe si e tillë është e natyrshme të zgjoj reagime dhe nuk do mendje se është i destinuar për dështim.

Pa njohjen e mirëfilltë të historisë është vështirë, e ndoshta e pamundur të ndërtojmë një të ardhme të denjë. Për të shkruar për faktet dhe proceset historike me gjithë kompleksitetin e tyre, në radhë të parë kërkohet dhe janë mese i domosdoshme në radhë të parë një arsim i lartë dhe aftësi të mira kreative dhe mendore. Për këto shkaqe lënda e historisë renditet mes elitës së dijes kombëtare.

Historia e diktuar është histori e dështuar

Librat e dobët për historinë, disa monografi dosido për dëshmorët e kombit dhe vepra tjera jo vetëm se janë të pa dobishme, pa kontribute, por ato janë edhe të dëmshme. Ato sikur botohen vetëm për të joshur një pjesë publiku apo disa syresh… Libër shkruesit e tillë deformojnë të vërtetat, shtrembërojnë shijen e lexuesit dhe duket se botohen vetëm për të kapur vëmendjen e publikut ose për të prodhuar një zhurmë momenti e asgjë më shumë.

Libër shkruesit të cilët kanë krijuar vetëm për të përmbushur diktatet politike, madje jo rrallë edhe ato pseudo atdhetare, asnjëherë nuk ia kanë dalë funksionit të ndriçimit të historisë popullore dhe kombëtare. Shkenca e historisë kurrë nuk ka qenë argëtim, studim dhe kënaqësi për amatorët ashtu siç nuk ka qenë as si lodër për ti kënaqur turmat.

Viteve të fundit, ashtu siç qëndron gati i gjithë standardi i kulturës sonë në përgjithësi, edhe shkrimi dhe botimi i librave të ndryshëm nuk ka shënuar ndonjë veçanti. Janë botuar libra dhe monografi të ndryshëm historike të ngjarjeve të reja e të vjetra. Nga njëra anë kjo është mirë sepse nuk mungon vullneti për të spikatur ngjarjet, epokat dhe figura të ndryshme të heronjve, dëshmorëve të jetës dhe veprës së tyre. Madje duhet theksuar se mesin e gjitha këtyre botimeve ka edhe nga ato të cilat vërtet posedojnë vlera të mirëfillta për historiografinë tonë kombëtare.

Por, ajo çka më së shumti shqetëson është shkrimet amatore, pa përfillur standarde dhe rregulla që janë mese të domosdoshme për shkencën e historisë. Madje në këtë mes, sipas njohurive që kemi, nga disa është keqpërdorur edhe misioni i të shkruarit sidomos i shkrimeve për dëshmorët dhe ngjarjet historike. Disa nga përpiluesit e monografive të tilla kanë përfituar personalisht shuma të majme për të paraqitur të pavërtetat për të vërteta, për të shtrembëruar ngjarjet dhe për të nxjerrë figura historike në vende të pamerituara apo edhe të kontestuara.

Për këta falsifikues e vërteta nuk ka qenë e nevojshme të jetë e saktë. Vetëdija jonë shkencore dhe kompetente shpesh ka heshtur dhe nuk kemi pasur ndonjë kundërshtim intelektual e shkencor. Autorët e këtij zhanri me ide të paqarta rreth njohurive historike, metodave të punës dhe burimeve me të cilat janë shërbyer sikur nuk kanë çarë shumë kokën. Qëllim i tyre ka qenë vetëm ajo për të arritur tek ekzemplarët e botimit e asgjë më shumë.

Kur kemi shtrembërime dhe devijime të tilla atëherë merret me mend, se krijohet edhe version keqkuptimi me librin dhe misionin e vërtet të tij. Nga kjo rrjedh edhe indiferenca për leximin e librit. Mos interesimi sidomos i rinisë sonë për të lexuar… dhe shumë dukuri tjera dhe zbehje kulturore në përgjithësi.

Shkrimet e dobëta dhe monografitë e standardizuara

Mobi Casa

Dukuri tjetër që i përshkon monografitë dhe librat për dëshmorët e kombit tonë, është edhe një stereotipi e shabllonizuar dhe i përsëritur dhunshëm nëpër shumë këto monografi… Lexuesi ynë shpesh fillon leximin e librit në stilin… “Ai u lind dhe u rrit në një familje atdhetare…me ndjenja patriotike…” Dhe përgjatë gjithë leximit, lexuesi krijon ndjenjat dhe përshtypjen se heroi i tij paska qenë prototip i njëjtë sikur ndonjë tjetër që ka lexuar më parë… Këtu krijon përshtypjen sikur edhe mendimet i paskan pasur të njëjta…e lëre më qëllimin çlirimtar apo atë të veprimtarisë.

Këtu në mungesë invencioni, mungojnë detajet, mungojnë veçantitë nga jeta e krye personazhit. Mungon shtjellimi i ndonjë ngjarjeje të thjeshtë por, që do të përplotësonte një gamë të gjerë të veprimtarisë së tij. Mungon ndonjë bisedë e tij, mungon ndonjë gabim i tij, mungon saktësia, përshkrimi fizik e të mos flasim për botëkuptimet…

Këto monografi dhe libra për dëshmorët, kështu të standardizuara dhe me klishe të lodhshme, aspak nuk i nderojnë jetën, veprën dhe flijimet e tyre. Nuk nderojnë as shokët dhe familjet e tyre. Heronjtë, dëshmorët janë të shenjt, janë piedestali i lirisë së një kombi. Ata në çdo pikëpamje duhet nderuar denjësisht dhe aspak nuk duhet nxituar sa më parë për të shkruar dhe botuar për ata.

Duhet nderuar meritueshëm dhe jo me amatorizëm dhe pa bazë të nevojshme për të prezantuar ata. Duhet ndalë çdo diletantizëm e dëshirë të dikujt për tu dukur në emër të tij. Nuk mjafton vetëm dëshira për të shkruar ani se kjo ka anën pozitive të nderimit.

Për të dhenë vetëm një dëshmi të këtij korpusi të delikteve dhe sihariqeve që shquhen nëpër këto monografi, shembujt janë të shumtë, por kësaj here ne po marrim vetëm një që ilustron më së miri atë që e shprehëm më lartë.

Në një libër që është botuar këto ditë nën titullin “Ju jeni pjesë e atdheut – Monografi për dëshmorët e UÇK-së nga Diaspora” e autores Ariana Bytyqi – Fazliu, për dëshmorët nga diaspora, sa i përket dëshmorit Kenan Halimi ndër të tjera shkruhet pa pasur edhe njohurinë më të vogël për jetën dhe veprën e tij.

Në librin në fjalë, dëshmori Kenan Halimi na del me ditëlindje të gabuar!… Në të vërtet Kenan I. Halimi u lind me 06.04.1978 në fshatin Skifteraj të Vitisë.

Pastaj, po në këtë libër për të thuhet se e ka mbajtur familjen, kur ai ishte i ri në moshë dhe madje i pa martuar asnjëherë!…). Atij nuk i kishte mjaftuar, vetëm organizimi dhe ndihmat materiale për luftën, kështu që Kenani në tetor të vitit 1998 i bashkohet radhëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Pashtrikut.

Pastaj thuhet se ka jetuar në Itali dhe është kthyer për t iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare ku edhe ka rënë dëshmorë?!… Dëshmori, kurrë nuk ka jetuar në Itali, por në qytetin e Gjenevës së Zvicrës. E vërteta është se Kenani bashke me familje kishte migruar në Zvicër në vitin 1991, ku aty kishte mbaruar shkollën fillore dhe atë të mesme.

Dëshmori i kombit Kenan I. Halimi ra heroikisht më 13 qershor të vitit 1999 në ditën e çlirimit të Therandës. Në parkun e këtij qyteti sot ndodhet lapidari i tij. Ditën e rënies së tij kishte lindur një djalë në këtë rreth dhe ai ishte pagëzuar me emrin e dëshmorit. E më vonë edhe njëri nga bashkëluftëtarët e tij kishte pagëzuar djalin me emrin e tij.

Për trimërinë, kontributin dhe rënien e tij në altarin e lirisë së Kosovës, në fshatin Skifteraj të komunës së Vitisë, (vendlindja e dëshmorit) shkolla e fshatit në nderë dhe krenari mbanë emrin Kenan Halimi.

Këto janë vetëm disa nga gabimet që duke dashur të pasqyrojmë veprën e dëshmorit, bëhen edhe gabime të tilla të pafalshme. Si ti tregojmë nesër brezit të ri, i cili nuk e ka njohur dëshmorin, se këto janë të pavërteta. Apo të marrim lapsin dhe të korrigjojmë mbi tekste se nuk ishte kështu!…

Për të shkruar për dëshmorët nuk mjafton vetëm të pyesim… Nuk mjafton vetëm ti përmendim emrin. Nuk mjafton dhe nuk mjafton…

Nuk i nderojmë dëshmorët nëse në përmendoret e tyre, në ato dy fjalë të shkruara, ka gabime drejtshkrimore. Nuk i nderojmë dëshmorët nëse i ndajmë nga shokët me të cilët së bashku u flijuan. Aspak nuk i nderon dëshmorët nëse i ndajmë sipas përcaktimeve politike, rajonale…

Pa mëdyshje se çdo kohë ka realitetin a njëmendësinë e vet dhe nga çdo kohë, sido që të jetë ajo, ka diçka që mund të tregohet. Vetëm realiteti i shpikur u ngjan ëndërrimeve që askush nuk e honeps… Andaj, shkrimi për ngjarje të rëndësisë kombëtare, dëshmorët e kombit vërtet është përkushtim dhe nderim, por gabimet dhe lëshimet ndaj jetës dhe veprës së tyre janë të pafalshme. Analizë/Albswiss.com/