UBT

Monografia mbi Veprimtarinë e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjenevë, libër që kujton përpjekjet dhe sakrificën e brezave në ruajtjen e Gjuhës dhe Kulturës Sonë

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Shqiptarët edhe pse populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik, asnjëherë nuk janë ndjerë të qetë në trojet e veta të mileniumeve.

Ata mbi pesë shekuj kanë provuar shtypjen dhe mohimin e të drejtave të tyre elementare nga Perandoria Otomane.

Me gjithë pengesat dhe trysnitë e vazhdueshme të armiqve ata më 28 Nëntor të vitit 1912, arrijnë që në Valonë (Vlora e sotme) të krijojnë shtetin e tyre.

Kur tamam nisi vënia e themeleve të këtij shteti njëfarë Mbretërie Serbe e degjeneruar dhe e udhëhequr nga kriminelë ordiner fillon pushtimin e tokave pellasgo-ilire.

Kjofarë Mbretërie detyrë vetes ia kishte dhënë shfarosjen e shqiptarëve dhe popullimin e trojeve të tyre me sllavë.

Gjatë dy Luftërave Ballkanike Serbia, ndaj shqiptarëve kryen gjenocid të paparë.
Politikë e ngjashme zbatohet edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në vitin 1945, nga çetnikë e partizanë serbo-malazezë u vranë dhe masakruan mbi 55-mijë shqiptarë etnik.

Ata të pa status dhe të drejta në tokat e tyre, dhe të ekspozuar përpara një gjenocidi që nuk e njeh historia, detyrohen të migrojnë në të gjitha vendet e globit.

Shpresa dhe këmbëngulja e tyre që një ditë do ta ribëjnë Shqipërinë Natyrale, edhe pse në dhé të huaji i shtynë që me zellin më të madh të punojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.

Nëse në një vend ishin edhe dhjetë shqiptarë të mërguar bënin përpjekje për hapjen e ndonjë shoqërie apo klubi kulturor.

Këtë e dëshmojnë edhe dhjetëra klube e shoqata të krijuara nga shqiptarët në Amerikë, Evropë, Azi, Afrikë e deri në Zelandë të Re, gjatë dy shekujve të kaluar.

Në prag të shekullit të njëzetenjë një fat si ky do t’u imponohet prapë shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës Lindore dhe atyre të Malit të Zi.

Ata nën dhunë dhe represion degdisën nëpër botë. Kurse shumica e atyre që Atdheun vendosin ta mbrojë edhe me kokë vriten dhe masakrohen nga regjimi kriminal i Serbisë.

Intelektualë dhe Atdhetarë të shpërndarë në të gjitha anët e botës sikur kujtojnë thënien emblematike të rilindësit tanë Papa Kristo Negovani, ”Shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb, po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohet më fjala shqiptar e shqip”.

Shqiptarët të shpërndarë në Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi e Zelandë të Re, kanë jetësuar porosinë e Negovanit, duke hapur Shkolla Shqipe të Mësimit Plotësues në të gjitha vendet, ku jetojnë dhe veprojnë.

Kuptohet që një punë e tillë kërkonte kohë e angazhim,por duhet të jemi të sinqertë që tani rrethanat për të vepruar ishin shumë më të lehta dhe më të favorshme, se ato në të cilat vepronin gjeneratat përpara nesh.

Të përndjekurit e viteve të 80-ta, përcilleshin çdo hapë nga UDB-ja jugosllave dhe zagarët e saj.

Më 17 janar të vitit 1982 në Unterguppenbach të Gjermanisë, me një atentat nga më të pistët UDB-ja jugosllave organizatë tipike terroriste vret tre ideologët e Lëvizjes sonë për çlirimin e viseve shqiptare Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe bashkëveprimtarin e tyre Kadri Zeka.

Kurse më 5 maj të vitit 1985 në krye të detyrës në burgun e Beogradit, mbytet me tortura shtazarake Zija Shemsiu, dhe burgoset bashkëveprimtari i tij Sami Kurteshi, i cili vuan vite të shumta burgimi në kazamatet jugosllave.

Përkundër dhunës dhe terrorit edhe pse në kushte tepër të rënda si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë etj, u krijuan klube dhe shoqata të cilat fuqishëm kundërshtuan okupimin e Kosovës nga sllavo-komunistët.

Me çlirimin Kosovës dhe demokratizimin e shtetit tonë amë Shqipërisë, disa intelektualë e mësimdhënës të fushave të ndryshme kanë nisur punën në shkrimin e librave dhe monografive.

Nëpërmjet këtyre librave plotësohen arkivat e shtetit tonë, dhe brezat në ardhje mësojnë të vërtetën mbi sakrificën e atyre që vepruan jashtë atdheut, pa takuar prindër e fëmijë të tyre për vite e dekada.

Pas një pune gati dyvjeçare dritën e botimit e sheh edhe monografia “Shkolla Shqipe në Gjenevë” e autorit Agim Demir Paçarizi.

Libri është shtypur katër-pesë ditë para ndërrimit të moteve në Shtëpinë Botuese“Lena-Grafik”të Prishtinës.

Abas Fejzullahu, veteran i Arsimit në Kosovë dhe Diasporë,duke e pasur në duar dorëshkrimin e këtij libri para se të botohet thotë ”Kjo monografi është hartuar ex-novo pa u kopjuar asgjë nga ato më të hershmet.

Sipas, z.Fejzullahu gjithçka në këtë monografi është pasqyruar në mënyrë të drejtë dhe reale.
Madje, ai përshtypjet e tij rreth këtij libri i shpreh edhe nëpërmjet një artikulli mjaft përmbajtjesor në gazeta e portale si: “Voice of Albanians” të krijuesve të njohur Skënder dhe Elida Buçpapaj, në “Bota Sot” “Shkodër.net”etj.

Vlerësim kritikë kësaj monografie i bën edhe Jusuf M.Bytyçi. Ai punën e Paçarizit e cilëson si një vlerë të veçantë për brezat si në Kosovë ashtu dhe Diasporë.

Po ashtu lexuesi me të marrë në duar librin do të bindet për punën serioze të pedagogut të shumë brezave Agim Demir Paçarizi.

Paçarizi si në Kosovë ashtu edhe në mërgim punën e mësimdhënësit e ka kryer me dashuri dhe përkushtim të madh, gati dyzetvjet.

Në këtë monografi me diku 15-të kapituj e nënkapituj përfshihen të gjithë ata që kontribuuan qoftë në organizim, mësimdhënie apo edhe dhënie donacionesh, në dobi të kësaj shkolle.

Iniciativa për çeljen e një shkolle të pavarur me mësim në gjuhën shqipe në Gjenevë, doli në pranverë të vitit 1987,nga mërgimtarët e hershëm si:Xhafer Shatri, Kadri Abdullahu, Shyqeri Ukshini, Adem Islami, Sami Tusha, Jakup Halimi, Selman Kllokoqi, Ejup Ahmeti, Elfi Agushi, Sami Dërmaku, Aqif Januzi, Ilaz Bajrami, Sabit Hajdini, Muharrem Zymeri, Gafurr Çalaj, Ymer Cacaj, Miftar Abdullahu, Muhabi Latifi, Avdi Veseli, Enver e Rabije Abdullahu etj.

Ky grup iniciues nën udhëheqjen e z.Xhafer Shatri, organizoi një mbledhje në banesën e veprimtarit të njohur të këtij kantoni Selman Kllokoqi.

Pas këtij takimi u caktua grupi punues prej 8 vetave, që detyrë kishte regjistrimin e saktë të fëmijëve tanë mërgimtarë dhe moshën e tyre, me të drejtë të përfshirjes në shkollën me mësim plotësues në gjuhën shqipe.

Me të përfunduar regjistrimi si nevojë urgjente u shfaq gjetja e pikave ku mund të zhvillohej ky mësim.

Adresë e parë e përkrahjes rreth këtij problemi mjaft serioz do të jetë “Centre Social Protestant”në Gjenevë.

Në këtë qendër më tepër të karakterit bamirës mërgimtarët tanë do ta kenë edhe përkrahjen e parezervë të mikut tonë të madh Ueli Leuenberger.

Ai plot pesëdhjetë vjet ishte kryeprotagonist i organizimeve tona në Zvicër. Veç kësaj Leuenberger, u shqua si mbrojtës i çështjes shqiptare edhe në Parlamentin e Zvicrës.

Të gjithë i dimë reagimet e tij të fuqishme kundër grupeve ksenofobe. Ato me postim afishesh në vende publike i etiketonin dhe fyenin shqiptarët me lloj-lloj termash përçmues.

Qëllimi ishte që të pengohet vendosja e tyre në Zvicër. Dyshohet që këto grupe ekstremistësh ishin të manipuluara nga lobi serbë, që jepte shuma të majme të hollash për t’i diskredituar shqiptarët, e përndjekur me dhunë nga regjimi fashist i Serbisë.

UBT

Leuenberger luftëtar i pakompromis në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të popujve të shtypur jo që mbërrin me fitua këtë betejë, por më 14 maj të vitit 1996, në zemër të Gjenevës, hap Universitetin Popullor Shqiptar.

Prej këtij momenti mërgimtarët shqiptarë të të gjitha viseve tona janë me një qendër të rëndësishme kulturore, ku mund t’i zhvillojnë të gjitha aktivitetet e tyre.

Ambientet e kësaj qendre krijojnë mundësi për punë cilësore dhe hapje të pikave të tjera të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në të gjitha komunat e Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Pikërisht më 1996, edhe shkolla me mësim plotësues në Gjuhën shqipe do ta ketë kulmin e arritjeve të saj.

Nëpërmjet një konkursi të rregullt të shpallur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, të datës 10 gusht 1996, të gjithë mësimdhënësit e shkollës me mësim plotësues në Gjuhën shqipe në Zvicër, përzgjidhen me kualifikime përkatëse.

Po ashtu në krye të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë ”Naim Frashëri” të Gjenevës do të jetë profesori i diplomuar i pedagogjisë z.Nehat Rexhepi.

Ndërkaq, arka e këtij Asociacioni Arsimor ku kohë pas kohe kontribuonin me mjete prindërit si:Nehat Fera, Halil Halili, Xhafer Shatri, Muharrem Lutfiu, Zijadin Abdullahu, Shaban Limani, Sami Arifi, Miftar Abdullahu, Hevzi Kryeziu, Kadri Abdullahu, Qamil Aliti, Avdi Veseli, Azem Azemi, Ali Hetemi, Dalip Hajdini, Kadri Ajeti, Islam Demiri, Ismet Kadriu, Muhabi Latifi, Muhamet Ajeti, Nazmi Jashari, Nebih Bllaca, etj menaxhohet në mënyrë të përpiktë dhe profesionale nga atdhetari i njohur Jakup Halimi.

Bashkëpunimi i Shkollës së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, edhe gjatë kësaj periudhe me Departamentin e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Gjenevës, ishte në nivel të duhur.

Këtë e dëshmon edhe ky vërtetim i nxënëses Shqipe Agushi, ku shihet bartja e notës nga Mësimi Plotësues i Gjuhës shqipe,në atë të rregullt në Gjuhën frënge.

Edhe pse puna zhvillohej në baza vullnetare bartës të aktivitetit në shumë fusha janë mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle.

Sidomos një grup nxënësish prej dhjetë vetave të prirë nga koreografi ynë i mirënjohur Xhemali Berisha, me paraqitet e tyre të shkëlqyera do ta begatojnë shumëllojshmërinë kulturore jo vetëm brenda komunitetit tonë, por në tërë Republikën dhe Kantonin e Gjenevës.

Punën e prezantueses së programeve dhe deklamimin e vargjeve më me vlera të autorëve tanë do ta bëjë vite me radhë nxënësja shembullore e kësaj shkolle Artë Hevzi Kryeziu.

I entuziazmuar nga suksesi i mësimdhënësve dhe fëmijëve tanë në Diasporë, Dr.Ibrahim Rugova, president i Republikës së Kosovës, në një nga mbledhjet e mbajtura në Prishtinë, publikisht e pati falënderuar ministrin e Arsimit në ekzil, prof.dr.Muhamet Bicaj.

Ai në bashkëpunim më kryetarët e LAPSH-it, në vendet e Perëndimit, pati arritur nivel të kënaqshëm të mbarëvajtjes së këtij mësimi.

Në anën tjetër aktivitetin jashtë shkollor të gjithë nxënësit e shkollës shqipe, me prirje në futboll e zhvillonin në Klubin Futbollistik F.C.”Kosova”të Gjenevës, krenari jona e përhershme.

Paçarizi duke qenë në rrjedhën e këtyre zhvillimeve arrin që me dokumente e shifra të regjistrojë çdo gjë, që ka të bëjë me shkollën e mësimit plotësues të Gjuhës shqipe në Gjenevë.

Libri me rreth 260 faqe përfshin edhe autobiografitë e pjesës dërmuese të mësimdhënësve.

Me kusht që të iket prej çdo censure dhe lëshimi të rastësishëm jetëshkrimet janë të shkruara nga vetë mësuesit e shkollës së mësimit plotësues të Gjuhës shqipe, në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës.

Sipas z.Paçarizi kjo monografi do të ishte edhe më e vëllimshme sikur thirrjes për bashkëpunim t’i përgjigjeshin edhe disa nga ish-mësuesit e kësaj shkolle.

Ata edhe pse të kontaktuar nga ai pa dhënë asnjë sqarim kanë refuzuar bashkëpunimin.
Megjithatë, ai s’është dekurajuar në asnjë mënyrë, por ka vazhduar me projektin e veprës deri në realizimin e saj.

Kapitull në vete në këtë libër është edhe bashkëpunimi i kësaj shkolle me Departamentin për Arsim Shkencë e Kulturë të Gjenevës.

Paçarizi duke shprehur mirënjohje të lartë ndaj autoriteteve dhe institucioneve të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, përmend emra të shumtë personalitetesh dhe individësh që janë krah i fuqishëm i shkollës shqipe.

Mirëpo, në një shkrim si ky është e pamundur të theksohen, sepse lista e tyre është shumë e gjatë.
Duhet potencuar që Shkolla me Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe në Gjenevë, është nga të parat në Zvicër, që ndihmohet financiarisht nga Departamenti i Arsimit të kësaj Republike dhe Kantoni.

Gjatë rrugëtimit tridhjetëvjeçar kjo shkollë është ndeshur edhe me vështirësi të shumta.
Atëherë kur është menduar ngritja e nivelit të saj ka pasur rënie drastike të numrit të nxënësve, dhe dorëheqje nga puna të mësimdhënësve të kualifikuar.

Ata që për vite të tëra kanë punuar vullnetarisht tani për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë mundur ta vazhdojnë këtë mision të shenjtë. Disa edhe kanë pasur detyrime ndaj vendit të tyre të rregullt të punës.

Deri tek kjo mbase ka ardhur edhe si pasojë e mosinteresimit të qeverive tona në Kosovë e Shqipëri, të cilat përveç premtimeve pak kanë arritur të bëjnë në dobi të këtij mësimi.
Vendet e tjera si Italia, Spanja, Portugalia etj, këtë mësim e kanë dukshëm më të avancuar.

Komunitetet e këtyre vendeve me qëndrim në Zvicër,janë të mbështetura drejtpërsëdrejti si me kuadro ashtu edhe me mjete nga qeveritë e tyre.

Shkolla me Mësim Plotësues në Gjuhën shqipe në Gjenevë, pa u analizuar asnjëherë shkaqet ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet sidomos pas vitit 2000.

Në mënyrë që të mos vije deri te mbyllja e saj, angazhohen disa individë si:Agim Paçarizi, Faruk Osmani, Albanë Krasniqi-Malaj, Januz Salihu, Faruk Bllaca, Drita Veshi, Avdyl Hamza, Rasim Zeqiri, Hajrush Sadiku, Qemajl Neziri, Ali Mehmeti, Mirishahe Limani-Hiler, Idriz Zeqiraj, Jakup Emini, Rifat Haxhiaj, Fadil Avdiu, Ismet Kurteshi, Nexhmedin Ilazi, Nasuf Nuhiu,etj.

Kjo çetë e tërë arsimdashësish me të gjitha mjetet vihet në ruajtjen dhe vazhdimin e këtij mësimi.

Me të konsoliduar kryesia ata angazhojnë disa mësues e mësuese edhe pse jo të gjithë me përgatitje adekuate në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë.

Në këtë drejtim dallohen edhe ish-nxënësit e kësaj shkolle Gëzim Nexhmedin Ilazi, Aulona Lila-Bislimi dhe Liburn Mehmetaj.

Ata në kohë krize nga më të rëndat udhëheqin Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë“Naim Frashëri”të Gjenevës.

Gjithashtu në kryesitë e më hershme të kësaj shoqate kanë kontribuar edhe ish-nxënëset e kësaj shkolle Artë Hevzi Kryeziu, Arjetë Adem Çerkini, Valdete Abdullahu-Sopi, Xhevrie Faruk Osmani, Vjosa Gërvalla etj.
Kurse ndihmë të rregullt në xhirollogaritë e kësaj shkolle kanë ndarë vëllezërit, Azem e Ajet Hyseni, pronarë të ndërmarrjes “Hyseni Constructions SA” me vendndodhje në Gjenevë.

Në rast festash e jubilesh të ndryshme kanë ndihmuar edhe mërgimtarët tanë si:Milazim Maliqi, Krist Veseli, Arsim Hyseni, Besnik Ajeti etj.

Të gjithë të interesuarve u sugjerojmë leximin e kësaj Monografie, sepse në te gjithçka është trajtuar objektivisht dhe me korrektësi.

Monografia përmban edhe parathënien në gjuhët:shqip, frëngjisht dhe gjermanisht.
Po ashtu lexuesi brenda kopertinave të librit do t’igjejë edhe disa rreshta mbi jetën dhe veprën e autorit Agim D.Paçarizi.

Krijuesit të kësaj monografie i dëshirojmë nxjerrjen në dritë edhe të ndonjë libri tjetër të kësaj natyre, sepse vetëm kështu plotësohen vakuumet në shumë disiplina të gjuhës dhe historisë sonë, sa të dhimbshme aq edhe krenare!/arif ejupi/rajonipress/