Hidromorava

Momenti i së vërtetës për Obamën

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Uragani Sandy ka shkatërruar shumë pjesë të brigjeve lindore të SHBA-së dhe tani, presidenti aktual, Barack Obama, duhet ta menaxhojë krizën. Duke pasur parasysh se javën e ardhshme do të përpiqet që të fitojë zgjedhjet presidenciale, për të siguruar një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ai është i detyruar të marrë përsipër një rol të ri. Dështimi mund t’i kushtojë me vendin e punës.

Madje edhe para se uragani Sandy të godiste brigjet lindore të SHBA-së, presidenti Barack Obama deshi të qartësojë se ai është gati, se mund të kryesojë vendin nëpër këtë krizë. Saktësisht tetë ditë para zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit.

“Do të jetë kjo një stuhi e madhe dhe e fuqishme”, deklaroi Obama të hënën. Ai tha se kishte biseduar me guvernatorët dhe të gjitha shtetet e rrezikuara dhe se Agjencia Federative për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) është vendosur në gjendje gatishmërie. Ai siguroi se është i gatshëm furnizimi me ushqim dhe ujë, duke shtuar se në kohëra të krizës Amerika bashkohet. Vendi është i gatshëm të përballet me stuhinë, theksoi Obama.

Është ky një president si menaxher i krizës. Obama po bën atë, që amerikanët e presin nga një president, kur SHBA-ja goditet nga një stuhi aq masive si Sandy: Ai po lë anash politikën dhe po vepron si zyrtari më i lartë për parandalimin e katastrofave. Kur një gazetar e pyeti, “Cili do të jetë ndikimi i stuhisë në zgjedhje?”, Obama u përgjigj me kthjelltësi dhe në mënyrë energjike. “Zgjedhjet do të përkujdesen për vete javën e ardhshme. Aktualisht, prioriteti ynë numër një është që të shpëtojmë jetë”.

Mënyra se si do të trajtojë ai stuhinë mund të përcaktojë epilogun e zgjedhjeve.

“Uragani do të jetë një test i madh për Obamën gjatë ditëve në vijim, një test që debatin në Denver do ta bëjë të duket si një lojë e fëmijëve”, shkroi Julian Zelizer, profesor i historisë dhe i çështjeve publike në Universitetin Pricetoën. Obama pësoi humbje nga rivali i tij republikan gjatë debatit në Denver, duke i dhënë kështu një nxitje të papritur fushatës së Mitt Romneyt.

Një gjë nuk duhet të ndodhë, nëse Obama dëshiron një mandat të dytë të Shtëpinë e Bardhë: nëse do të ketë paraqitje të dobët, sikur paraardhësi i tij George Bush pas uraganit Katrina, ai mund të bëjë gati valixhet. Bush shkatërroi reputacionin e tij në vitin 2005, kur ju deshën katër ditë për të shkuar në New Orleans pas katastrofës. Autoritetet federative, në veçanti FEMA, dështuan që të reagojnë ashtu siç duhej. Më shumë se 1800 persona humbën jetën, shumica prej tyre të varfër dhe me ngjyrë. Ishin shtetet tjera, si Gjermania, që dërguan pompa dhe ushqim në rajonet e goditura.

Obama, i cili fajësoi Bushin për dështim, tani duhet ti shmanget momentit të vet Katrina. Nëse arrin sukses, momenti Sandy do ta udhëheq drejtë fitores në zgjedhje. Pas të gjithave, një krizë është momenti i zyrës ekzekutive.

Dhe kjo krizë është vetëm fillimi. Nata e së hënës ishte e tmerrshme. Njerëzit vdiqën, rreth 5 milionë banorë mbetën pa furnizim me rrymë, Manhattani u vërshua dhe një reaktor bërthamor në New Jersey u shkyç si masë sigurie. Tani Obama dhe ekipi i tij duhet të veprojnë. A do të ketë kujdes për viktimat? A ka ushqim të mjaftueshëm? Pas sa kohe do të rikthehet furnizimi me rrymë?

Uji Dea

Qysh të hënën Shtëpia e Bardhë dërgoi një e-mail të gjatë, në të cilin u detajizua programi i qeverisë për parandalimin e katastrofës:

Më shumë se 1500 punëtorë janë dërguar në brigjet lindore, për të përkrahur shtetet gjatë operacioneve të shpëtimit, si dhe në fushën e logjistikës dhe të komunikimit.

28 ekipe tjera të FEMA-s, me 294 anëtarë, do të jenë në gjendje gatishmërie.

5 milionë litra ujë, 3 milionë racione, 900 mijë batanije, janë dërguar në shtetet e rrezikuara. Qendrat për distribuim janë ngritur në Neë Jersey dhe Massachusetts.

Garda Kombëtare ka dërguar 1900 pjesëtarë në rajonet e goditura.

Dhe lista vazhdon. Dhe në qendër të të gjitha këtyre përpjekjeve është Craig Fugate, shefi i FEMA-s, i emëruar nga Obama.

Menaxheri i krizës, Obama, ka pasur paraqitje të përbashkëta publike me Fugatën dhe kishte anuluar fushatën e tij gjatë ditës së bardhë. Por në sfond, strategu kryesor i Obamës, David Axelrod, vazhdoi punën për të siguruar rizgjedhjen e tij. Gjatë një konference telefonike të hënën, ai siguroi gazetarët se fitorja e Obamës ishte e pashmangshme, me presidentin që po kryeson në anketa në shtetet kryesore.

Nga ana e tij, edhe Romney anuloi fushatën e tij, pak kohë pasi që këtë e bëri Obama. Ai nuk mund t’i lejojë vetës që të krijojë përshtypjen se po tenton të përfitojë politikisht nga kjo krizë. Ai kërkoi nga ithtarët e tij që të japin donacione për viktimat.

Por gjatë stuhisë, lehtë mund të ndodhë që njerëzit të harrojnë deklaratat e Romneyt në vitin 2011, se ai dëshiron të heq qafësh FEMA-n, organizatën që për momentin po dëshmohet si tejet e rëndësishme. Gazeta Huffington Post nxori në sipërfaqe këtë deklaratë të Romneyt, por një zëdhënës i Romneyt theksoi se kandidati republikan nuk dëshiron të mbyllë FEMA-n. Natyrisht. Janë vetëm edhe gjashtë ditë deri në zgjedhje.