Momenti i fundit!
Nga Burim Ramadani – Nëse institucionet dhe partitë politike, sikurse shoqëria në tërësi, kanë vendosur të kthehen kah sundimi i ligjit, veprimin e parë që duhet të bëjnë është të largojnë të dyshuarit për korrupsion apo dukuri tjera negative. Ky është momenti i fundit! Esenca e të keqes në Kosovë është korrupsioni. Aty fillon dhe aty mbaron gjithçka.
“Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë”!
Kjo fjali profetike e Jezusit është përdorur për qindra vjet në rrethana të ndryshme dhe çështje të llojllojshme. Por, a mund të përdoret sot në Kosovë?
Po.
Në rend të parë, për institucionet qeverisëse. E pastaj, për partitë politike. Më tutje, për shoqërinë civile e mediat. Dhe, përfundimisht, për qytetarët në ditën e votimit.
Po të kishte kapacitete më të zhvilluara shoqëria kosovare, atëherë të gjitha këto kategori do të vepronin përnjëherë. Por, fatkeqësisht, kjo nuk është gjendja që u krijua për vite të tëra.
Momenti i fundit, sigurisht, është përdorur e keqpërdorur pa ndalë. Tërë kohën. Krejt këto vite të funksionimit shtetëror. Është shfrytëzuar në format më të këqija si element manipulimi. Kryesisht, për qëllime afat-shkurtëra individuale apo grupore.
Porse, vërtetë momenti i fundit për shoqërinë dhe politikën kosovare ka ardhur. Anipse deri më tash është theksuar mjaft shumë ky formulim. “Momenti i fundit” nuk është harxhuar. E, viti 2015 duhet të jetë gjithçka për të kthyer orientimin shoqëror, institucional e politik kah sundimi i ligjit, pastërtia, ndershmëria, profesionalizmi dhe përkushtimi.
Thënë më thjesht, nuk duhet të hezituar më. Nga askush! Në asnjë nivel!
Edhe sundim të ligjit, edhe afera nuk bën! Edhe shtet ligjor, edhe përfitime joligjore nuk bën!
Duhet ndarë njëherë e përgjithmonë të mirën nga e keqja.
Dhe, e mira ndaj të keqes, sikurse e keqja ndaj të mirës nuk kanë të ndalur së luftuari. Për qindra e mijëra vjet. Vetëm se kanë marrë forma të ndryshme, në situata të ndryshme, për motive dhe qëllime të ndryshme.
Fatkeqësisht, jo rrallëherë e keqja ka qenë mbi të mirën! Kryesisht, sepse e mira nuk përdor as logjikat dhe as mjetet e metodat e të keqes! Përndryshe, nuk do të ishte “e mira” edhe më tutje! Do të bëhej e njëjtë sikurse “e keqja”!
E keqja në Kosovë, që dikur ka qenë diçka tjetër, sot është korrupsioni!
Esenca e të keqes në Kosovë është korrupsioni. Aty fillon dhe aty mbaron gjithçka. Nga fillimi me korrupsion, përmes shumëzimit të pasojave negative, përfundon tek korrupsioni. Te përfitimi joligjor në dëm të së mirës publike.
Dhe, shërbimi për të mirën publike është thelbi i politikës. Shërbëtor ndaj të mirës publike i bie të jesh në politikë. E, shërbëtor me pagesë popullore ndaj të mirës publike i bie të jesh qeversisës apo i zgjedhur.
Qartazi, në Kosovë një numër jashtëzakonisht i vogël i shërbëtorëve për të mirën publike e kuptojnë kështu të qenit në këtë mision. Thjesht dhe qartë, politika është mision. Njerëzit në të mund të vendosin për aktivitetin e tyre në këtë mision. Edhe nëse mund të jenë episodik, edhe nëse mund të jenë në afat më të gjatë. Varësisht, cilat janë mjetet dhe metodat që kanë në dispozion për të shërbyer ndaj të mirës publike.
Apo, sikurse ka thënë Maks Ueber, dikush e shndërron politikën për të jetuar “prej” saj dhe dikush e ka politikën për të jetuar “për” të!
Sidoqoftë, momenti i fundit për të qartësuar orientimin duhet të jetë tash, ky vit!
Ndryshimet në shoqëri, deri më tash, nuk janë përkthyer në ndryshimet në politikë.
Për më pak se pas dy vjetësh, në Kosovë do të jenë në kategroinë e qytetarëve që mund të votojnë për herë të parë ata dhe ato që kanë lindur pas luftës.
Do të votojnë ata dhe ato që kanë lindur pas 12 qershorit 1999.
Institucionet, partitë dhe aktorët tjerë publik duhet të bëjnë vetëm një gjë: të largojnë të dyshuarit për korrupsion apo dukuri tjera negative.
Në shikim të parë është e thjeshtë, por në përmbajtje është më e ndërlikuar.
Sepse, duhet nisur nga brenda!


