Molotovi ‘djeg’ protestën masive

E thirrur si paqësore, protesta më masovike e opozitës e mbajtur pas viteve të luftës, eskaloi në dhunë, pasi disa protestues përkundër thirrjes, hodhën koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke i vënë flakën objektit.
Megjithëse u mendua se protesta do të përfundojë e qetë, pasi përfunduan fjalimet e tre liderëve opozitarë, në skenë u paraqitën disa persona të cilët filluan të hedhin gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi në drejtim të kordonit të policisë dhe objektit të ekzekutivit.
Protestuesit u munda t’i qetësojë deputeti i “Vetëvendosjes” dhe ish-gjenerali i UÇK-së, Rexhep Selimi, si dhe deputeti Fisnik Ismajli, por ishte e pamundur.
U pa se vetëm një pjesë e vogël e protestuesve ishin të dhunshëm dhe kërkonin “bela”. Të tjerët u ndanë.
Ndërsa, Policia e Kosovës në fillim ishte shumë indiferente, derisa flaka e mori ndërtesën. Pas kësaj njësitet e Policisë së Kosovës intervenuan duke hedhur qindra bomba gazi lotsjellës në drejtim të protestuesve.
Kështu përballja e Policisë së Kosovës me disa qindra protestues vazhdoi për më shumë se dy orë në sheshet kryesore të kryeqytetit e në rrugën “Xhorxh Bush” dhe përfundoi në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta filloi te Biblioteka Kombëtare, ku u tubuan dhjetëra mijëra qytetarë për të vazhduar marshin protestues në drejtim të Qeverisë, ku liderët e opozitës mbajtën fjalime duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë “Mustafa” dhe organizimin e zgjedhjeve të lira në Kosovë./zeri/