Molotovgjuajtësit ecin të lirë
Policia ka njoftuar se ka rritur edhe prezencën e stafit policor në rroba civile nëpër kryeqytet. Ata kanë ftuar edhe qytetarët që të njoftojnë Policinë për çdo informatë që mund ta kenë në këtë drejtim.
Pesë djegie të veturave të zyrtarëve, sulmi në shtëpinë e kryeministrit dhe tentimi për djegien e zyrave më të rëndësishme shtetërore, atyre të Presidencës, nuk kanë bërë që Policia e Kosovës të zbulojë autorët e këtyre krimeve.
Përveç dëmeve materiale e futjes së urrejtjes në mes të kundërshtarëve politikë, këto sulme kanë nisur të ngjallin frikë dhe pasiguri edhe në mesin e qytetarëve.
Policia thotë se është duke kryer hetime intensive për identifikimin dhe arrestimit e të dyshuarve të përfshirë në këto raste. Mirëpo, këtë nuk e besojnë edhe shumë ekspertët e çështjeve të sigurisë.
Ata ngrenë vetëm një pyetje: si ka mundësi që në shtatë sulme të cilat kanë ndodhur nëpër vende ku janë të vëzhguara nga kamerat gjatë 24 orëve, Policia nuk ka gjetur asnjë të dyshuar deri më tani?
Derisa ekspertët ngrenë këtë pikëpyetje, Policia në anën tjetër ka thënë se po bën gjithçka që ka në dorën e saj për të zbardhur këto raste.
“Sa u përket rasteve të dëmtimit-djegies së veturave zyrtare dhe atyre private të personaliteteve të ndryshme, Policia e Kosovës në të gjitha rastet bazuar në autorizimet ligjore është duke kryer hetime intensive”, thuhet në përgjigjen e Policisë, i cili më pas vazhdon: “Të gjitha dëshmitë relevante të konfiskuara në raste të caktuara, duke përfshirë edhe incizimet-kamerat janë duke u hetuar dhe analizuar nga njësitet kompetente, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtyre rasteve kriminale dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të involvuar në këto raste”.
Në anën tjetër eksperti i çështjeve të sigurisë, Skënder Perteshi, ka thënë se për Policinë zbulimi i këtyre rasteve nuk duhet të jetë aq i vështirë sa po paraqitet./zeri/


